Një urdhëresë e kryetarit të komunës detyron ata që kërkojnë të martohen të tregojnë lejen e qëndrimit. Është e njëjta normativë që në korrik u hodh poshtë nga Gjykata Kushtetuese
Romë, 1 tetor 2011 – Nuk mjaftonin Vatikani dhe San Marino. Tashmë duket se edhe Chiari, njëzetmijë banorë pak kilometra larg Brescias, është kthyer në qytet-shtet, me ligje të tijat që nuk duan t’ia dinë për Kushtetutën italiane. Është qyteti që po prin Secesionin (ndarjen nga Italia) që vazhdon të jetë temë e ëndrrave të Legës së Veriut.
Praktikisht, një urdhëresë e fundit e kryetarit të komunës Sandro Mazzatorta, legist i dyzuar mes fashës trengjyrëshe dhe një kolltuku të Senatit, detyron imigrantët që duan të martohen të paraqesin lejen e qëndrimit. Pra duke risjellë në fuqi ndalimin e martesës për klandestinët, ndalim që u hodh poshtë nga Gjykata Kushtetuese.
Duke mos mjaftuar gjykimi i shëndoshë, u desh një sentencë e Gjykatës Kushtetuese për të zhdukur një nga padrejtësitë më të dukshme të ligjit mbi sigurinë të vitit 2009. Sipas gjykatësve, shkelte të drejtën themelore të individit për të krijuar familje, dhe ky ishte një dëm shumë më i lartë nga objektivi që kërkohej të arrihej me sjelljen në fuqi të normës: të luftonte imigracionin klandestin dhe martesat për leverdi.
Por në Chiari, sipas Mazzatortas, “Lega nuk dorëzohet, dhe vazhdon të çojë përpara mosbindjen civile në respekt të ligjit dhe në të mirë të sigurisë së qytetarëve”.
Si e bën këtë? “Duke u mbështetur në një normë ligjore mëse të qartë – shpjegon kryetari i komunës – që parashikon paraqitjen e dokumenteve për çiftet që kërkojnë shpalljen e martesës. Urdhërohet që në kuadrin e dokumentacionit të nevojshëm për shpalljen e martesës duhet domosdoshmërisht të paraqitet nga i huaji i interesuar edhe leja apo karta e qëndrimit e vlefshme, siç parashikohet nga neni 5 i dekretit legjislativ 286/1998”.
Por meqë Gjykata kushtetuese e hodhi poshtë normën e kërkuar nga Maroni, mjafton edhe gjykatësi më pa eksperiencë për të shumëzuar me zero pretendimet e Mazzatortas. Ndërkohë, ama, kushedi sa të rinjve po u hap telashe. Edhe sepse në administratën e Chiarit shpresojnë të ndiqen nga të tjerë. “Qëllimi ynë është – thotë kryetari i qytetit-shtet, – t’u tregojmë rrugën të gjithë atyre administruesve që duan të ndjekin rrugën e rreptësisë dhe të drejtësisë”.
Elvio Pasca