in

Arvizu: “Ju falënderojmë që na keni bërë pjesë tuajën”

20 vjet marrëdhënie Shqipëri-ShBA
Më 15 mars 1991 u vendosën marrëdhëniet diplomatike mes Shqipërisë dhe ShBA-së pas një shkëputjeje 52-vjeçare. Më 1 tetor 1991 u hap ambasada amerikane në Tiranë. Sot, me një sërë aktivitetesh, Ambasada amerikane në Tiranë feston këtë përvjetor

Tiranë, 2 tetor 2011 – “Festojmë 20 vite miqësi të rilidhur mes popullit të Shteteve të Bashkuara dhe atij të Shqipërisë”. Është ky lajtmotivi i aktiviteteve festive që ambasada amerikane në Tiranë ka nisur me rastin e 20 vjetorit të rihapjes së  selisë diplomatike pas rënies së regjimit komunist në Shqipëri, veprimtari që do të vazhdojnë për 5 ditë me radhë.

Në fjalën përshëndetëse që mbajti në ceremoninë festive të organizuar në rrugën vetëm për këmbësorë pranë Galerisë Kombëtare të Arteve, ambasadori amerikan në Tiranë, Aleksandër Arvizu falënderoi shqiptarët: “20 vite më parë u shënua një risi për këtë vend. 20 vite më parë u shënua një nisje e re për SHBA-në në Tiranë. Në këto 20 vite ju na keni sjellë në zemrat tuaja, në shtëpitë dhe zyrat tuaja, dhe na keni lejuar që të bëhemi pjesë e arritjeve tuaja të mrekullueshme të këtyre 20 viteve. Na keni lejuar që të bëhemi pjesë e juaja, e së shkuarës, e së  tashmes dhe e së ardhmes, ndërsa ju punoni për të krijuar një të ardhme më të mirë për Shqipërinë”.

Pas ekzekutimit të Himnit Kombëtar të dy vendeve, ka parakaluar dhe Banda e Marinës së Shteteve të Bashkuara, e cila ka shkuar në Shqipëri enkas për këtë aktivitet festiv. Pas mbajtjes së fjalës së rastit, ambasadori Arvizu, i shoqëruar nga stafi i tij dhe kryebashkiaku Basha, ka ecur përgjatë rrugës pedonale dhe është takuar me qytetarët e pranishëm.  

Larg aktiviteteve protokollare, ambasada amerikane ka menduar një festë ndryshe në këtë përvjetor, një festë që përgjatë gjithë ditës do të shoqërohet me panairin e rrugës, koncerte nga grupe të njohura shqiptare, ekspozita për fëmijë dhe të rritur, ekspozita dhe stenda informative mbi jetën amerikane, karaoke, etj. Aktiviteti i sotëm për këtë 20 vjetor të rihapjes së ambasadës amerikane, nuk është i vetmi. Më 4 tetor, ambasada e SHBA-së në Tiranë, do të organizojë një pritje për VIP-at, më pas një simpozium me gazetarë, akademikë, aktiv në vitet 1991-1992, me qëllim për të ofruar retrospektivën dhe pikëpampjet e tyre mbi zhvillimet sot, etj. Ambasadori Arvizu ka lajmëruar se të pranishëm mund te jenë edhe disa diplomatë që kanë shërbyer më parë në Shqipëri.

Marrëdhëniet diplomatike mes SHBA dhe Shqipërisë u rivendosën në 15 mars të vitit 1991, pas një shkëputje prej 52 vitesh. Pas disa muaj, në 1 tetor të të njëjtit vit do të rihapej dhe ambasada amerikane në Tiranë. “Marrëdhëniet mes vendeve tona e kanë fillimin në vitet e para të shekullit të XX, kur Presidenti Uillson zgjeroi mbështetjen amerikane për shtetin e ri shqiptar. Marrëdhënia nuk u harrua asnjëherë nga disa mijëra amerikanë me origjinë shqiptare, të cilët mbajtën lidhjet me atdheun e tyre gjatë gjithë këtyre viteve”, shkruante në 15 mars të vitit 1991, Raymond G.H. Setiz, zv.sekretari për marrëdhëniet Evropiane dhe Kanadeze.

Arrestohet 50 vjeçari për dhunë ndaj të shoqes

Altini, viktimë në vendin e punës, protagonist i romanit “L’uomo che manca”