Një letër e administratës vendore u kujton bijve të imigrantëve të lindur në Itali që mbushin moshën madhore se mund të kërkojnë shtetësinë italiane. Drejtori i politikave shoqërore, Majorino: “Pakkush e njeh këtë mundësi që i jep ligji”
Romë, 4 tetor 2011 – “Mbush 18 vjeç e mund të bëhesh edhe shtetas italian!”. Është kartolina që në Milano po u mbërrin me postë 480 bijve të imigrantëve të lindur në Itali që mbushin moshën madhore. Një iniciativë e bashkisë, më saktë, e drejtorit për politikat Shoqërore, Pierfrancesco Majorino, për t’u kujtuar atyre një nga normat e ligjit mbi shtetësinë.
Është neni 4, paragrafi 2 i ligjit 91 të vitit 1992 që parashikon “që bijtë e imigrantëve të lindur në Itali që kanë jetuar këtu rregullisht për 18 vjet me radhë mund të marrin shtetësinë italiane, me kusht që të deklarojnë këtë dëshirë përpara nëpunësit të zyrës së Gjendjes Civile para se të mbushin 19 vjeç”.
Me të kapërcyer moshën 19-vjeçare, duhet t’i drejtohen ministrisë së Brendshme, përmes Prefekturës, duke hapur një procedurë shumë më të gjatë e të kushtueshme.
“Janë të paktë të rinjtë që e dinë këtë mundësi që u jep ligji” shpjegon Majorino, dhe nisma e administratës së Milanos mund t’i dhurojë Italisë shumë shtetas të rinj.
Letrat do të nisen bijve të imigrantëve të lindur në Itali deri në vitin 2016, çdo tre apo gjashtë muaj, në bazë të ditëlindjeve.
Nuk do t’u hyjë në punë qindra mijëra bijve imigrantësh të ardhur të vegjël apo të lindur në Itali, që nuk mund të dokumentojnë rezidencën e vazhdueshme dhe të rregullt për tetëmbëdhjetë vjet. Fatkeqësisht, për ta ligji mbi shtetësinë nuk parashikon asnjë rrugë të shkurtër.