Romë, 4 tetor 2011 – Një milion e dyqind mijë italianë kanë kërkuar thirrjen e një referendumi për shfuqizimin e ligjit elektoral aktual.
Një nga pikat më të kontestuara të sistemit zgjedhor të përdorur sot është ajo e të ashtuquajturave “Lista të mbyllura” në të cilat partitë fusin kandidatët. Zgjedhësit votojnë partitë, pa pasur mundësi të shprehin preferencat e tyre mbi kandidatët, që fitojnë sipas pozicionit që kanë në listë. Kjo gjë lë krejtësisht në dorë të partive zgjedhjen e parlamentarëve, me rrezikun që këta t’u përgjigjen më shumë liderëve politikë se zgjedhësve.
Promovuesit e referendumit kërkojnë rifutjen e preferencave, falë të cilave kush shkon e voton zgjedh edhe emrin e kandidatit që dëshiron të çojë në Dhomën e deputetëve apo në Senat.
Tashmë edhe në Parlament janë të paktë ata që mbrojnë sistemin e sotëm elektoral, që edhe vetë babai i tij, eksponenti i Legës së Veriut Roberto Calderoli, quajti “una porcata” (punë e ndyrë). Batuta i dhuroi ligjit elektoral titullin “Porcellum”, që në latinishte të vagëlluar do të thotë derrkuc.