in

Autoritetet shqiptare mblidhen në festën e ambasadës amerikane

Tiranë, 4 tetor 2011 – Pritja e organizuar sot pasdite nga Aleksandër Arvizu në Ambasadën amerikane me rastin e 20 vjetorit të rihapjes së saj ka mbledhur zyrtarët më të lartë të shtetit, Topi, Berisha, Topalli, kryetari i opozitës, Rama, përfaqësues të trupave diplomatike në Shqipëri, të shoqërisë civile dhe mediave.

Duke nënvizuar se ndihet krenar që i takon atij të flasë mbi miqësinë e madhe dhe partneritetin e thellë mes dy vendev, Arvizu tha se ai mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara “është një partneritet jetëgjatë që ndërtohet mbi pikëpamje që bashkëndajmë, për një Shqipëri të lirë dhe të begatë, me një demokraci të fortë dhe të gjallë që adreson aspiratat e shtetasve të saj”.

Ai kujtoi vizitën e sekretarit amerikan të Shtetit, Xhejms Bejker, të cilit iu ofrua një mikpritje zhurmëmadhe nga mijëra shqiptarë, 20 vite më parë në Tiranë, në verën e vitit 1991: “Sekretari Bejker, dëgjoi nga shqiptarët që ‘Amerika është me ne’. Po, absolutisht që po, ne kemi qenë gjithmonë në anën e kombit shqiptarë  dhe ne do vazhdojmë të mbështesim përparimin dhe avancimin e vazhdueshmë të Shqipërisë, integrimi euro atlantik, një shtet i fortë ligjor, një ekonomi e begatë e drejtuar nga tregu dhe institucione të pavarura dhe demokratike.Këto janë aspiratat e popullit shqiptarë”, deklaroi Ambasadori i SHBA-së.

Arvizu theksoi gjithashtu: “E ardhmja e Shqipërisë është në duart tuaja dhe në duart e të gjithëve. Ju përket ju ta përcaktoni të ardhmen.Mundësitë tuaja për sukses do të përmirësoheshin së tepërmi, nëse punoni së bashku për një qëllim të përbashkët dhe për të mirën e përbashkët. E ndërsa e bëni këtë, të jeni të sigurt se SHBA-të, do të vazhdojnë të jenë në anën e popullit shqiptarë”.

“Rivendosja e marrëdhënieve diplomatike me SHBA-të është një moment i rëndësishëm i demokracisë shqiptare”, deklaroi sot Presidenti i Republikës, Bamir Topi, gjatë pritjes. “Tetori i vitit 1991 shënoi rivendosjen e marrëdhënieve historike mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara, marrëdhënie të cilat kishin shënuar kulmin e tyre në fillim të shekullit XX në prag të pavarësisë së Shqipërisë, pastaj me rilindjen e demokracisë në Shqipëri dhe më vonë u pasuan me pavarësinë e Kosovës dhe me hyrjen e Shqipërisë si anëtarja më e re e Aleancës më të madhe për paqen dhe sigurinë në botë”, tha ai.

Duke shprehur mirënjohjen për ndihmën dhe mbështetjen e SHBA-së për vendin tonë, Topi tha se “ne i jemi shumë mirënjohës SHBA-ve që janë miku më i madh i shqiptarëve”. “Ju detyrohemi për gjithçka kemi realizuar në këto 20 vite por edhe më tej, për mbështetjen në rezistencën e kombit shqiptar, për rikthimin e të drejtës së Kosovës për të qenë një vend i pavarur, mbështetjen për anëtarësimin në NATO dhe mbështetjen e vazhdueshme nga SHBA dhe vendet e Europës për të qenë vend i BE-së”, tha Topi.

Mbase njeriu më i emocionuar në të gjithë ceremoninë, më shumë edhe se ambasadori Arvizu, ka qenë kryeministri Sali Berisha, duke reflektuar në fjalët e tij edhe peshën e debatit politik të këtyre ditëve. Ai ka nisur duke thënë: “I nderuar zoti Ambasador Arvizu, zonja Arvizu, zoti President i Republikës, zonja Topi, zonja kryetare e Parlamentit, zoti Topi…zoti Topalli. Por zoti President ka edhe një moment shumë të vecantë, të 20 viteve më parë…zoti Ambasador. Jam pak i emocionuar prandaj edhe nuk…”

Me ta marrë veten, edhe kryeministri theksoi se, rihapja 20 vite më parë e ambasadës së SHBA-së në Tiranë është një nga ngjarjet më të rëndësishme në historinë e marrëdhënieve mes dy vendeve, por edhe në historinë e kombit shqiptar.

Kryeministri solli në kujtesë vendimet e rëndësishme të SHBA-ve që kanë të bëjnë direkt me ekzistencën e lirë të shqiptarëve dhe me pavarësinë e tyre, në një kohë kur të tjerët vendosën ta fshinin nga harta Shqipërinë. “Gjatë Luftës së Dytë Botërore, shqiptarët luftuan në koalicion me vendin tuaj të madh por ranë në diktaturën më mizore. Në vitin 1991 Presidenti Bush dhe Sekretari i Shtetit Bejker sollën mesazhin e lirisë për shqiptarët. Më pas Presidenti Klinton udhëhoqi NATO-n në çlirimin e shqiptarëve të Kosovës nga një regjim barbar. Presidenti Bush udhëhoqi komunitetin ndërkombëtar me pavarësinë e Kosovës dhe Presidenti Barack Obama firmosi anëtarësimin e Shqipërisë në NATO”, tha Berisha, duke sjellë në vëmendje të gjitha aktet madhore të SHBA-ve që kanë të bëjnë me lirinë e shqiptarëve.

Një delegacion nga Friuli në Tiranë: “Shqipëria, vend strategjik për zgjerimin e biznesit tonë”

Jo me perçe në publik