Nga At Zef Pllumi, qershor 2004
2. Ujku ndërron qimen por jo vesin
Bejlegu i parë në mejdanin shqiptar u zhvillue në fund të Marsit 1991, simbas rregullave demokratike të caktueme prej Presidentit Ramiz Alisë. Gjatë fushatës elektorale tremujore u realizue akti mâ pozitiv i demokracisë shqiptare, zhdukja e heshtun apo edhe demonstrative prej shesheve të Tiranës e tre idhujve sfinksa që i kishin shtie tmerrin deri në palc popullit të mjerë shqiptar. Kjo u bâ që t’u mbushej mendja që populli shqiptar ka liri zgjedhjesh. Pra, në fundin e atij marsi shumkush me frigë e dikush pa frigë muer pjesë në “zgjedhjet e padetyruara”. Natyrisht sipas lojës së paracaktueme fitoi famëmadhja “Parti e Punës” kso here nën udhëheqjen e shokut Fatos Nano. Megjithëse ingjenjer Krroqi fitoi kundra Ramiz Alisë, prap se prap populli mbet i zhgënjyem aq sa edhe burizani i madh i partisë, Dritëro Agolli, tha me padurim: “Partia e Punës aq fort ish fosilizue sa nuk mund të vetëkorrigjohej pa i ndrrue edhe emnin.” Ndër ato ditët e para demokratike kje quejtë “herezí”. Megjithket “Kuvendi Popullor” u shndrrue në “Parlament”. Me të drejtë disa puritanë tash vonë filluen me e quejtë “Foltore” por mbasi shtypi intelektual si edhe populli injorant e ngatrruen me fjalën “faltore” më duket se nuk po përdoret mâ. Mendoj se puritanët kishin të drejtë se ajo duel faltore për të gjithë pjestarët e saj. Pra, i pari përparim u bâ. A do ta hante populli?…
Populli i zhgënjyem, i udhëhequn nga Sindikatat e Pamvaruna, e kuptoi se nuk ecej mâ gjatë me rrena por duhej shkatrrue baza ekonomike e Partisë-shtet. Kështu ndodhi ajo që kurrë nuk duhej të ndodhte. Për dy muej rresht u shkatrruen puna dhe toka. Vetëm atëherë Fatosi i madh thirri Pleniumin e veçantë të Partisë së Punës e i a ndrroi emnin në “Partia Socialiste e Shqipërisë”, tue mbetë po ata udhëheqës e po ata antarë përveç ndonjanit që kish ikë e bashkue me “jashtëqitjen e kombit”, siç i kish quejtë shkrimtari i madh, emigrantët e mjerë shqiptarë. Ndoshta kje tepër vonë.
Presidenti Ramiz Alia në këtë gjendje të jashtzakonshme e detyroi Fatos Nanon me pranue nji qeveri tjetër për të pregatitë zgjedhjet përsëri në Mars 1992.
Ajo u quejt “Prandvera e demokracisë shqiptare”. Ndoshta dikush ashtu thotë edhe sot. Puna duel ndryshej. Historia e Partisë Demokratike me atë të “mëmës parti” ngjajnë si dy pika uji. Në çdo mbledhje plenare ose Plenium, siç thirrej dikur, do të dënohej nga nji “heretik” ose trathtar, me të vetmin ndryshim se dikur Enver Hoxha i pushkatonte ndërsa tash, diktatori demokrat e human i lejonte me formue nji “parti tjetër”. Kështu barku i Partisë Demokratike polli aq parti sa sot e kemi të vështirë t’i numërojmë. Parashifet që të pjellin jo vetëm bijat por edhe nipçet. Ligji i bukur shqiptar, Gjykatat e Ndershme e të drejta si edhe Drejtorat e buxhetit punojnë me dikat e me ngulm për liri e demokraci të popullit dhe kështu çdo parti e formueme me të gjallë e me të dekun (në rregjistra figurojnë: “të humbun”) ka të drejtën me pasë nji seli (shtëpi) për zyrë, ka të drejtën me pasë nji a mâ shumë makina, shpenzime për zyrë e propagandë e tjera nevoja që i duhen nji njeriut të papunë e të tjera privilegje nga buxheti i shtetit, mjaft që mos të çfaqin idé shkatrruese siç janë “shpërblimi i të përndjekurve politikë” dhe “kthimi i pronave”, përse atyne dikur “me ligjë” u janë hjekë kto të drejta njerzore. Nuk ka revansh shteti ynë.
Koha e artë për demokracinë shqiptare kje kur ju hapën dyert tanë botës me hî e me dalë pa emen pa vulë, e vetëm na shqiptarët mbetëm klandestinë. Liria fetare kje ma e madhja fitore. Atëherë t’u mbush vendi me gjithfarë soj sorollopit. Kushdo që la pak lesh në mjekër e e quejti vedin prift, hoxhë o dervish kje nderue në këtë tokën tonë si i tillë. Kush i kqyri se ç’ishin ata: njerëz të Zotit apo të dreqit?… as sot nuk merret vesht!… Edhe Papa vetë erdhi me pa seri me sy se si nuk bâhej luftë fetare. Këtu linden mâ shumë fé se shqiptarë… . Anija e demokracisë hîni në dét të hapun. Lundroi në drejtim të Europës, demek me shkue atje ku e kërkonte populli. Por timonieri nuk e kqyri busullen dhe ernat e detit na hodhën n’Arabistan o Çinemaçin. Nuk u kuptue se ç’ndodhi ndër né. N’atë kohën e artë të demokracisë njerzit e diktaturës gjakatare, disa, u dënuen se kishin pij kafe pa pague, shum tjerë u bânë pronarë me vendime të Gjykatave tona shembullore e kështu kur u çpall në Parlament ligji socialist për pronat, na duel se çdo shtëpi e çdo tokë pat tre-katër pronarë të ligjëshem. Kundra këtij ligji qiten shtjelma vetem Republikanët të përkrahun nga thanat e thata: Partia e Legalitetit dhe ajo e Ballit Kombëtar. Kjo gjendje ra në sy e atje n’Europë e njeti filluen me vû në dyshim Demokracinë Shqiptare prandej Sala i urtë çoi e thirri nji aktor teatrit:
-Gjatë jetës sate a ke luejt në skenë ndonji rol politikanit?… .
-Jo.
-Mirë, pra të ka ardhë koha më e luejtë sot, sepse shumë zane n’Europë e n’Amerikë po më akuzojnë si qendër e fondamentalizmit islamik. Kështu themelo sa ma parë “Partinë Demokristiane”. Besoj se atëherë kanë me na quejtë demokraci të vërtetë në Ballkan. Ashtu kjoftë!…”
Ashtu u bâ. Mbasi nuk e vuni firmen kurrkush, i u kërkue Gjykatës që fantazma e Partisë të Bashkimit Fetar të ndrrohej në Parti Demokristane, satelit i Partisë Demokratike.
Nuk dij a e hângri Europa kët ullî.
Në fillim të Marsit 1997 në heshtjen e plotë të Parlamenti Shqiptar, me ovacione të pergjithëshme u shpall për të dytën herë Presidenti karizmatik Prof. Dr. Sali Berisha. Për shyqyr lëshoi dekretin bujar të amnistisë së përgjithshme.
N’e nesre nji termek i madh përfshini të gjithë vendin. U rrëzuen jo vetëm Piramidat por edhe burgu nazist i Tepelenës, ku vuente tue pí kafe (torturë çnjerzore e demokratve shqiptarë) themeluesi gjenial i Partisë Socialiste, Fatos Nano. Dyqind Petritat u mblodhen rreth tij grusht të bashkuem, hine në Parlament ku ditë për ditë dekretuen nga pesë ligje fantazma demokratike, për me i mbushë mendjen Europës se sa shpejt përparojmë në terr. Gjykatat e Ndershme të Shqipnisë mueren vendim urgjent që nga buxheti shtetnor të shpërblehej menjiherë kontributi i madh që Fatosi legjendar, gjatë dënimit, kish dhanë për ndërtimin e Piramidave e jo tue thá këneta e tue çilë miniera si “anmiqtë e popullit” të dënuem nga Gjykatat Popullore dikur.
Me të vërtetë Shqipnia u lëshue vrap, me të katra, në drejtim t’Europës. Mjerisht vendi gjindej pa rrugë.
Ç’e don?… Nuk lanë shtrigat me bâ dasem!… .
Për sherr u çuen disa çunakë të Partisë Socialiste e kritikuen se Shqipnia âsht tue ecë mbrapa, ose kish ngecë në vend. Mbrrijtën me marrë në dorë edhe Pushtetin pa e pasë testamend. Themeluesi legjendar nuk u step. Kapi librin shenjt, biblen: “Historia e Partisë së Punës Shqipnisë”. Me kushtrim thirri të gjithë petritat e vet në Kongres. Sa me turr u bashkuen Gramoz e Servet, Bardhyl e Agas, Makbulja, Luiza Hoxha me Namikun (jo Namik Hotin, por disa tjerë të asaj moshe, të gjithë kongresmenë të nderuem) e me datën 12 Dhetor, ditën e Demokracisë shqiptare, luejten të njajtin skenar të Konferencës së Tiranës të vjetit 1956, ku shoku Enver dërrmoi armiqtë e brëndëshëm, por kso here, me orë të tëra, të gjithë njëzëri thirrën Nano!…Nano!.. . Ndërsa themeluesi legjendar u prezantue: “Jam Fatos Nano… mbas meje vjen historia!”…
Ec e luej po deshte! Ky âsht uniteti i çeliktë i Partisë!… Ilir Meta mbet aty galuc i vetëm… Fol tesh ne ta mbajtë… fole mendimin ndryshe!… nuk duel kurrkush në mejdan, as Rexhepi… .
Kjo fitore e Fatosit legjendar i dha drejtim të ri Shqipërisë.
“-Sa orë drita pat populli në kohë të Ilirit?
-Me gjasë rreth 12 orë drita.
-Harasan sa duhen?..
-Dikuj gjashtë e dikuj dy, simbas zonave.
-Sa kilometra rrugë të reja u ndërtuen në kohë të Ilirit?
-Rreth katërqind.
-Marri e madhe!… Ne sot na duhen mjete të përparueme. Trena elektrikë për havá, helikoptera. Xhoana e jeme ka mendue për kta mjete mâ moderne, për ket meritë do të shpallet “First Lady” e Shqipnisë mbasi presidenti âsht vejan.”
Gazeta “Zëri i popullit”, gazeta mâ popullore e Shqipnisë, ajo që për pesdhetë vjet përsëriste idetë demokratike të diktaturës së Proletariatit, e themelueme nga Enver Hoxha, çdo ditë i bjen gajdes dhe këndon atë këngën e vjetër:
“Harro, mushkë Valarenë
se Ali Pashanë e prenë!…”
vijon me 3. Në vend të konkluzionit
Botuar në Bota Shqiptare nr. 109, 10 qershor 2004