La Repubblica publikoi sot në faqet e saj on line një telefonatë të përgjuar, të vitit 2009, të Valter Lavitola, i shumëpërfoluri gazetar e biznesmen italian, ish drejtor i gazetës Avanti, me sekretarinë e ministrit të Jashtëm italian, Frattini.
Lavitola i kërkon sekretarisë të takojë privatisht Francon – që është Franco Frattini, ministër i jashtëm i Italisë – bashkë me ministrin e Jashtëm shqiptar Ilir Meta, pas apo para takimit që ata do të kenë në Farnesina. Me dy fjalë, Lavitola i shpjegon sekretares me të cilën flet edhe rëndësinë e Metës: “është ai që mban në këmbë qeverinë e Berishës me 4 parlamentarët e tij dhe po merr edhe nëntë të tjerë”.
Ministri i Jashtëm Frattini, në transmisionin “La telefonata di Belpietro” të Canale 5, ka komentuar telefonatën e zbardhur nga La Repubblica. Ministri italian mohon në mënyrë kategorike që Lavitola të ketë marrë pjesë në ndonjë takim institucional. “Sekreteria ime – dhe jo unë, sepse unë nuk kam folur asnjëherë me Lavitolan – e tha qartë që ministri i Jashtëm bën vetëm takime institucionale dhe pikë”. Dhe përfundon duke thënë “telefonata e botuar tregon atë çka unë e dija prej kohësh, që nuk kam ngatërruar asnjëherë aktivitetin institucional me ndonjë aktivitet të ndonjë lloji tjetër”.
Mëkat që rastësisht, një foto e bërë nga kolegia Irida Cami për Top Channel-in, pikërisht më 21 tetor 2009, pak çaste pas konferencës së shtypit të mbajtur nga ministri italian e ai shqiptar në ambientet e Farnesina-s, tregon krejt të kundërtën: fikson pikërisht Metën, Frattinin dhe Lavitolan teksa bisedojnë së bashku. Pikërisht atë që Lavitola i kërkon sekretarisë së Frattinit në telefonatën e përgjuar. Të ketë qenë rastësi?
Për çfarë diskutonin Franco, Iliri e Valter? Cilat ishin interesat e tyre të përbashkëta, që nuk mund të jenë thjesht institucionale por diçka më shumë, siç nënkuptohet nga interesimi i Lavitolas, që në qeverinë Berlusconi nuk ka pasur ndonjë detyrë?