in

Meta hedh në gjyq La Repubblica. “Nuk më ka intervistuar”

Kryetari i LSI-së, Ilir Meta thotë se nuk ka dhënë dhe as autorizuar intervistën e botuar dje nga e përditshmja italiane në të cilën mohonte njohjen e tij me sekserin Lavitola

Kryetari i LSI-së, Ilir Meta do të angazhojë një studio ligjore në Romë për të hapur një proces tjetër gjyqësor ndaj të përditshmes “La Repubblica”.

Sekretari për Marrëdhëniet me Publikun në LSI, Ardit Çela, tha sot në një konferencë për shtyp se, “kjo gazetë jo-serioze, e cila është dënuar edhe më parë për shpifje dhe manipulime ka guxuar përsëri të fabrikojë një të ashtuquajtur intervistë të Ilir Metës, me qëllim interesash të luftës së brendshme politike në Itali”.

Fjala është për intervistën e botuar dje nga e përditshmja italiane La Repubblica pas përhapjes në Itali të fotografisë që e tregon bashkë me Frattinin e Lavitolan në ambientet e ministrisë së Jashtme italiane. Disi “i bezdisur” (sipas gazetarit Mastrogiacomo që e ka intervistuar), Meta thotë gjatë intervistës se nuk e njeh Lavitolan dhe se nëse ka qenë atje “dikush e ka autorizuar” dhe se nuk dëshiron të futet “në historirë që nuk kanë të bëjnë me të”.

Çela u shpreh se, “Meta jo vetëm që nuk e ka dhënë apo autorizuar një intervistë të tillë, por një personi që e ka telefonuar atë në emër të gazetës këtë javë, i ka bërë të qartë se do të pranonte të jepte një intervistë për La Repubblica, vetëm pasi kjo e fundit të kishte botuar vendimin e Gjykatës, që dënon gazetën.

Sekretari për Marrëdhëniet me Publikun në LSI konfirmoi edhe një herë, në emër të Metës, se drejtuesi i gazetës “L’Avanti”, Lavitola, të cilin sikurse ka deklaruar më parë, Meta e njeh prej kohësh si përfaqësues të medias italiane, ka qenë i pranishëm në një konferencë shtypi gjatë vizitës zyrtare të Metës në Romë, ashtu si edhe shumë gazetarë të tjerë. Gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me Frattinin, është përshëndetur me Lavitolan, ashtu si me shumë gazetarë të tjerë italianë dhe shqiptarë, në hollin e ambienteve të konferencës. 

Dhe së fundi, në mbrojtje të ministrit të Jashtëm Frattini, sekretari i LSI-së ka shtuar: “Makinacionet dhe fabrikimet e segmenteve të caktuara për të manipuluar të vërtetën, me qëllim dëmtimin e figurës së Frattinit, janë të papranueshme për Metën, pasi Frattini ka dhënë një kontribut të veçantë për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, për liberalizimin e vizave për të gjithë shqiptarët, duke qenë njëkohësisht arkitekt i Udhërrëfyesit të këtij procesi të rëndësishëm”.

Ditë e fundit e regjistrimit

Nuk i përgjigjeni Censimentit? Deri në dymijë euro gjobë