in

Nuk i përgjigjeni Censimentit? Deri në dymijë euro gjobë

Rrezikoni edhe heqjen nga lista e Gjendjes Civile, problem për ata që kërkojnë shtetësinë apo që duan të marrin shtëpi me qira të ulët nga komuna. Shkarko edhe udhëzuesin në gjuhën shqipe

Romë, 21 tetor 2011 – Mund të kalosh vërtet telashe, nëse vendos të hedhësh në kosh formularin e censimentit apo ta mbushësh atë me budallallëqe. Përveç fshirjes së emrin nga listat e Gjendjes Civile të komunës, rrezikon të marrësh edhe një gjobë të kripur.

T’i përgjigjesh pyetësorit të censimentit është një detyrim i parashikuar nga ligji, që ndëshkon rëndë dembelët dhe gënjeshtarët. Dekreti legjislativ 322 i vitit 1989 thotë se ai që nuk jep të dhënat e tij apo që i jep me qëllim ato të rreme apo të pjesshme, ndëshkohet me sanksion administrativ që shkon nga 206 deri në 2.065 euro.

Por një gjë e tillë nuk është e lehtë që të ndodhë. Zyrat e censimentit të hapura pranë Komunave që mbledhin pyetësorët duhet të kontaktojnë ata që nuk i kanë dorëzuar apo që i kanë mbushur keq, duke i këshilluar të përmbushin detyrimin e tyre apo të bëjnë korrigjimet e duhura. Por nëse nuk u vihet veshi as këtyre këshillave, atëherë zyrat e Censimentit pranë Komunës i sinjalizojnë rastin prefektit dhe arrin gjoba.

Për imigrantët përveç gjobës ka edhe një tjetër rrezik. Meqë censimenti vlen edhe për përditësimin e listave të zyrave të Gjendjes Civile, kush nuk plotëson pyetësorin e censimentit mund të fshihet nga listat dhe të mos rezultojë më rezident në Itali. Kjo gjë do të vështirësonte jo pak numërimin e viteve të rezidencës për paraqitjen e kërkesës së shtetësisë (sidomos për bijtë e lindur në Itali, që në këtë mënyrë nuk do të rezultonin me rezidencë të vazhdueshme në Itali) apo për të aplikuar për shtëpi me qira të ulët që jepen nga Komunat.

Për t’iu përgjigjur censimentit mjaftojnë pak minuta. Nëse ke nevojë për ndihmë, mund t’i hedhësh një sy edhe udhëzuesit në gjuhën shqipe të përgatitur nga ISTAT për t’u ardhur në ndihmë shtetasve shqiptarë.

Shkarko udhëzuesin në gjuhën shqipe

Elvio Pasca

Meta hedh në gjyq La Repubblica. “Nuk më ka intervistuar”

Celebrim liturgjik për 20-vjetorin e marrëdhënieve Shqipëri Vatikan