in

Qeveria abrogon tatimin e remitancave

Tatimi i remitancave është taksa më jetëshkurtër por edhe më e kotë. Në bocën e dekretit për Zhvillimin bie në sy edhe abrogimi i normës që në gusht të këtij viti fuste në fuqi tatimin me 2% të dërgesave në para të emigrantëve të parregullt

Romë, 25 tetor 2011 – E dinin të gjithë që tatimi me 2% i dërgesave në para të jokomunitarëve të parregullt familjeve të tyre në atdhe ishte vetëm diçk propagandistike, që nuk sillte asnjë qindarkë në arkate shtetit. E megjithatë me këmbënguljen e Legës ky tatim u fut në gusht me manovrën e dytë financiare të miratuar këtë fund vere.

Duket se e ka kuptuar më në fund edhe qeveria dhe e shkruan të zezë mbi të bardhë në bocën e fundit të Dekretit për Zhvillimin që nisi të qarkullojë mbrëmë në darkë pas mbledhjes së fundit të Këshillit të ministrave që po përpiqet të bëjë një plan zhvillimi duke iu përgjigjur kërkesave të Europës por duke mos prishur qejfet  e ndryshme në brendësi të mazhorancës.

Është thënë shpesh që tatimi me 2% i dërgesave të klandestinëve familjeve në atdhe nuk do të sillte asgjë në arkat e shtetit, në radhë të parë sepse një ligj i kërkuar me forcë nga Maroni dy vjet më parë, praktikisht nuk ua lejon klandestinëve të nisin para, pasi me t’u paraqitur në një Money transfer  atyre do t’u kërkohej leja e qëndrimit.

E dinë të gjithë që një normë e tillë nuk bën tjetër veçse inkurajon kanalet jozyrtare të transferimit të parave duke nxjerrë krejtësisht nga kontrolli shuma të konsiderueshme.

Të gjitha këto i shkruan tani qeveria në bocën e dekretit për zhvillim, në një notë që shoqëron nenin 120 që abrogon normën mbi tatimin e dërgesave (të ardhur në fuqi me dekretin e 13 gushtit 2011, të konvertuar në ligj më 14 shtator 2011). E veç këtyre pranon që norma është diskriminuese “krijon një pabarazi trajtimi ekonomik që duket se nuk gjen bazë ekonomike dhe juridike dhe godet subjektet më të dobëta e më të ekspozuara ndaj situatave të shfrytëzimit”.

Nuk është e thënë që boca të mos ndryshojë akoma. Gjithsesi tregon qartë që  masat e qeverisë ndonjëherë janë edhe thjesht propagandistike e nuk sjellin as edhe një qindarkë në arkat e shtetit por thjesht  kënaqin ndonjë legist. Që qeveria të shkruajë sot mbi kotësinë e tatimit mbi dërgesat e klandestinëve kur këtë e kishin të qartë të gjithë që para se ligji të miratohej, tregon paaftësinë e saj për të marrë masat e duhura në çastin e duhur, duke humbur kështu kohë në një moment kur Italisë i duhet të nxitojë.

Stranieriinitalia.it propozoi një sanatore për të huajt e parregullt me një vend pune për të sjellë para në arkat e shtetit, dhe jo pak, plot 3 miliardë euro në vit. Propozim që e përditshmja e Legës “Padania” e hodhi poshtë si “propozim të pacipë”. Ndoshta sepse përveç shtetit u bënte mirë edhe imigrantëve?

Keti Biçoku

Lexo të plotë shënimin në bocën e datës 24 tetor të dekretit mbi abrogimin e tatimit të dërgesave

Prodi: “Imigracioni është burim i jashtëzakonshëm, sfida qëndron te integrimi”

Ndalimi i mbulimit të fytyrës me vello diskutohet në Dhomën e Deputetëve