Përfaqësuesi i Komunave: “Nevojitet reforma e shtetësisë, kush lind në Itali është italian. Imigrantët duhet të votojnë në zgjedhjet vendore. Mungon një politikë kombëtare mbi imigracionin”
Romë, 28 tetor 2011 – “Nëse ka një gjë që bie në sy nga Dosieri i imigracionit të Karitasit, është mungesa e një politike të përgjithshme kombëtare për imigracionin dhe që problemi merret në shqyrtim vetëm nga entet lokale”. E thotë Flavio Zanonato, kryetar i komunës së Padovës dhe nënkryetar i Anci-t, shoqatës kombëtare të komunave italiane, përgjegjës për imigracionin, gjatë prezantimit në Romë të Dosierit Statistikor mbi Imigracionin të Karitas/Migrantes.
“Ka munguar politika kombëtare. Ka munguar – ka shpjeguar Zanonato – një politikë e aftë që të ketë një vizion të gjerë mbi të gjitha çështjet e imigracionit, një politikë e bërë për të mbrojtur të drejtat e të huajve. E gjithë kjo deri tani nuk është parë”.
“Anci e konsideron imigracionin si një burim për Vendin tonë në këndvështrime të ndryshme dhe për këtë arsye duhet pasur qëllim të kemi një politikë gjithëpërfshirëse që të dijë të vlerësojë dukurinë e imigracionit. Në këtë drejtim – ka shtuar nënkryetari i Anci-t – janë vënë në lëvizje sindikatat, shoqatat e bota e vullnetarizmit që kanë bërë një punë tejet të madhe. Po ashtu edhe famullitë dhe shkollat, që janë një mjet i fuqishëm integrimi”.
“Edhe në çështjen e emergjencës së Afrikës së Veriut, çështja nuk u trajtua nga klasa politike kombëtare duke e shtruar problemin në tërësinë e tij, por ajo u shqetësua vetëm për pritjen e parë pa menduar për një zgjidhje afatgjatë, në këndvështrimin e një integrimi të ardhshëm në Vendin tonë të këtyre imigrantëve”.
“Ne të Anci-t – ka kujtuar përfaqësuesi i komunave – kërkojmë me forcë që të aplikohet direktiva evropiane që parashikon mundësinë për imigrantët për të votuar në zgjedhjet administrative”. Duhen hapur sytë me brezat e dytë: “jemi të ulur mbi një minë me sahat – ka paralajmëruar – sepse do të jenë gjithnjë e më të shumtë bijtë e imigrantëve të lindur në Itali. pse të mos fusim në sistemin ligjor ius soli?”. Sepse sipas tij, shtetësia është “e nevojshme që një komunitet të mund të jetojë mirë e në paqe”. “Kush lind në Itali është italian” përfundoi Zanonato.
Lexo edhe: Pesë milionë imigrantë të rregullt, “së bashku përtej krizës”