Instituti Shqiptar i Studimeve Ndërkombëtare prezantoi më 26 tetor sondazhin e përvitshëm, i cili mat dhe analizon perceptimet, pritshmërinë dhe kuptimin që qytetaret shqiptarë kanë për BE-në dhe integrimin evropian. Nga sondazhi vërehet rënie e interesit për t’u integruar në BE, nga 93% në vitin 2010 në 80% këtë vit. Për ambasadorin Sequi, është faji i krizës së stërzgjatur politike
Vetëm 80% e shqiptarëve janë pro integrimit të Shqipërisë në BE, kundrejt 93% të vitit të shkuar. E thotë sondazhi i përvitshëm i Institutit Shqiptar i Studimeve Ndërkombëtare, i prezantuar gjatë konferencës me titull “Perspektiva Evropiane e Shqipërisë-Perceptime dhe Realitete 2011”.
Shifrat e publikuara nga sondazhi tregojnë se ndryshe nga një vit më parë, niveli i mbështetjes për t’u integruar në Bashkimin Evropian ka pësuar ulje të ndjeshme.
Kreu i Delegacionit të Bashkimit Evropian në Tiranë, Ambasadori Ettore Sequi, u shpreh gjatë prezantimit, ku merrnin pjesë ambasadorët e vendeve të BE-së në Shqipëri, se shkaku kryesor i humbjes së interesit të shqiptarëve për t’u bërë pjesë e BE-së, është kriza e tejzgjatur politike në vend, e cila, sipas tij, solli edhe refuzimin e statusit të vendit kandidat për të dytin vit radhazi.
Ambasadorët e vendeve të BE-së, të akredituar në Tiranë, të pranishëm në prezantimin e raportit e kanë cilësuar këtë shifër mjaft shqetësuese.
Në lidhje me këtë Sequi kërkon nga “politika të informojë shqiptarët për avantazhet që përfitojnë qytetarët me integrimin”.
Të pranishmit në tryezë ndanë mendimin se nëse kjo tendencë mund të shndërrohet në pengesë për reformat e nevojshme për integrimin në BE.
Sipas sondazhit, për 72,6% e të pyeturve integrimi i vendit në BE është “shumë i rëndësishëm, për 23,4% jo prioritet dhe për 2,2% jo i rëndësishëm”.
Sipas rezultateve të sondazhit, më shumë sesa niveli i mbështetjes ka rënë rëndësia që qytetarët i kushtojnë procesit të integrimit. Arsyet e mbështetjes kanë ndryshuar. Në vitin 2010 lëvizja e lirë ishte arsyeja kryesore me 37% të të intervistuarve. Arsyet ekonomike në vitin 2010 janë zgjedhur nga 29,3%.
Ndërsa përsa i përket faktorëve që ndikojnë në integrim, sipas raportit, shqiptarët mendojnë se politika është 44%, shteti i së drejtës 41%, zgjedhje të lira e të ndershme 37%.
Pra ka më pak shqetësim për zgjedhjet në veçanti sesa vitin e kaluar dhe më shumë shqetësim për politikën, thekson sondazhi, teksa shton se faktorët më pak të rëndësishëm janë feja (9%) dhe zhvillimet në rajon (7%).
Ndërkohë, sipas sondazhit, BE mbetet partneri më i rëndësishëm dhe kujdesi që duhet të tregojë qeveria shqiptare ndaj marrëdhënieve me BE mbetet parësor për qytetarët shqiptarë (82 %, njësoj si në vitin 2010).
Ndërkohë që rritet ndjeshëm rëndësia për SHBA nga 77 % në 81%. Po kështu, vazhdon vlerësimi i lartë për partneritetin me NATO (79%), OKB (77%).
Ndërsa përsa i përket vendeve fqinje dhe dinamikës rajonale, Italia mbetet më e rëndësishmja me 69%. Më problematiket janë Greqia (vetëm 20% nga 58% në 2010, mendojnë që qeveria duhet t’i kushtojë rëndësi) dhe Serbia (47% nuk i japin rëndësi fare marrëdhënieve me Serbinë) . Për herë të parë janë matur perceptimet për Turqinë, të cilat janë shumë pozitive, 61% mendojnë se partneritetit me Turqinë duhet t’i kushtohet shumë rëndësi. Kosova ka pasur një rënie e lehtë: 62% nga 75% thonë se duhet t’i kushtohet shumë rëndësi.