Shembulli i dy të diplomuarve psikologë, në Torino
nga prof. Murat Gecaj
1.
Anila Novruzaj ndiqte studimet në degën e psikologjisë, të Universitetit Pontificia Salesiana të Romës, në Torino. Ajo kishte përfunduar studimet për ekonomi-biznes, në Universitetin e Tiranës. Por kërkesat e një zyre punësimi, pra që lidhej me ndërmarrje të ndryshme prodhimi, i shtruan asaj detyrën që të kishte dhe një degë të dytë të shkollës së lartë. Megjithëse nga qyteti Asti, ku ajo banon familjarisht tash sa vjet, Torino është disa kilometra larg, mori parasysh kapërcimin e çdo vështirësie dhe u regjistrua aty, për t’u aftësuar më tej për jetën. Por kishte edhe një farë moshe (tani ajo i ka kaluar të 40 vjetët) dhe kërkesat e familjes, punës së përditshme dhe mirërritja e shkollimi i djalit, Mattias, kërkonin kohën e tyre të nevojshme. Megjithatë, si bijë vlonjatësh, me origjinë nga Tërbaçi i Vlorës, ajo u përball me çdo mëdyshje e doli fitimtare.
Kështu, muaj pas muaji e vit pas viti, Anila arriti t’i kapërceje vështirësitë e largësisë së Universitetit e i dha me sukses të gjitha provimet e kërkuara, në tri vjet radhazi. Bashkë me të, i vijuan leksionet e dhanë provime 60 studentë për degën e psikologjisë, që më parë kishin mbaruar studimet e larta për ekonomi, mjekësi, mësuesi etj. Ndër ta, ishte dhe një vlonjate tjetër, Lindita.
Në vizitën time të kohëve të fundit në atë qytet, pata mundësi që ta shihja nga afër punimin prej rreth 150 faqesh të diplomës së Anila Novruzajt, në gjuhën italiane (ajo, tashmë, ka marrë edhe shtetësinë e këtij vendi). Ai titullohej, “Kalimi në moshën e rritur, kur kufijtë ndërthuren”. Për hartimin e këtij punimi, përveç shfletimit të mjaft librave si literaturë ndihmëse, asaj i është dashur të vëzhgojë dhe të intervistojë shumë të rinj emigrantë, të moshave 14-19 vjeç. Ata janë banues në disa qytete të Krahinës së Piemontes dhe me kombësi shqiptare, rumune, marokene, peruane, senegaleze etj.
Dita e mbrojtjes së diplomës (më 4 tetor 2010) ishte ngjarje e shënuar për këtë emigrante shqiptare. Kënaqësi për të ishte se, ndër të tjerët, atë ditë aty ndodhej mikja e saj, Valbona Hodaj, e ardhur nga Tirana. Pasi u zbatua procedura e kërkuar, komisioni përkatës vendosi që kjo diplomante meritonte maksimumin e pikëve, pra 110. Sigurisht, kjo ishte kënaqësi e veçantë për të dhe meritë e punës këmbëngulëse disavjeçare.
E pyeta Anilën se cila është veçoria kryesore e këtij punimi. Ndër të tjera, ajo tha se kishte arritur në përfundimin se emigracioni, ashtu siç e kanë përjetuar dhe vetë italianët në të kaluarën e largët, është një fatkeqësi e detyruar nga rrethana të caktuara historike. Ai ka ndikimin e vet si te prindërit, por dhe te fëmijët e tyre. Gjatë viteve në emigracion, të rinjtë emigrantë të vendeve të ndryshme kanë gjetur forca për t’i përballuar sfidat e tij. Por, kryesorja, është dëshmuar se ata kanë fituar aftësi për ta përballuar jetën në kushte të reja, me afirmim e dinjitet. Ky është dhe një ndër mësimet e historisë shumëvjeçare të popujve, që janë prekur nga plaga e emigracionit. Pra, kështu, kujtesa historike flet shumë dhe për vetë italianët, të cilët në përgjithësi po e dëshmojnë përkrahjen ndaj emigrantëve dhe përshtatjen me ta.
Në fund, kjo diplomante e re në fushën e psikologjisë, më tregoi se sivjet po e vazhdon më tej punën e nisur. Pra, është regjistruar pranë degës përkatëse, në Universitetin e Torinos dhe do t’u nënshtrohet të gjitha kërkesave për të kaluar shkallën e parë të kualifikimit dhe për të marrë gradën “Doktore e shkencave psikologjike”. Por ajo ka edhe një merak tjetër, dëshiron që temën e shkruar, në mbarim të studimeve të dyta të larta, ta përkthejë në gjuhën shqipe dhe ai të lexohet e të jetë pasuri e lexuesve të vendlindjes së saj.
2.
Duke biseduar me Anila Novruzajn mësova dhe një fakt shumë interesant e domethënës. Studimet për degën e psikologjisë dhe provimet për të, në Universitetin e Torinos, i kishte ndjekur edhe një i moshuar, tashmë 84-vjeçar. Ai quhet Domenico Villone. Është me origjinë nga Pulja dhe jeton prej vitesh në qytetin e Torinos. Ka lindur në Afrikë, ku i ati ishte ushtarak në një kamp përqendrimi. Pastaj, 60-70 vjet më parë, u vendosën familjarisht në kryeqendrën piemonteze ku jetojnë sot.
Pasi mbushi moshën, ai doli në pension. Por disa vite më vonë, Domenicos i lindi mendimi të regjistrohej për studime të larta në degën e psikologjisë. Kështu, për një periudhë 3-vjeçare, arriti t’i ndiqte leksionet dhe t’i jepte me sukses provimet e lëndëve të ndryshme. Por, që të diplomohej, edhe atij i kërkohej të shkruante një punim diplome. Me këmbëngulje, ai e realizoi një gjë të tillë dhe, në korrik 2011, para komisionit përkatës paraqiti punim-diplomën me temë: “Jetëshkrimi, shkalla më e lartë e vetëdijes profesionale”. Udhëheqësi i diplomës dhe të gjithë pedagogët e tjerë mbetën shumë të kënaqur prej tij, prandaj i bënë vlerësimin maksimal, me 110 pikë.
Tani, që u njohëm me këto dy raste domethënëse, për vullnetin dhe këmbënguljen e njeriut në arritjen e qëllimit të dëshiruar, mund të nxjerrim përfundimin e njohur nga të gjithë, se kurrë nuk është vonë për të mësuar e studiuar. Shembulli i Domenico Villones dhe shqiptares Anila Novruzaj, e dëshmon më së miri këtë gjë që vlen për cilindo. Prandaj, u urojmë atyre nga zemra shëndet të plotë e plotësim të mëtejshëm të dëshirave të tyre dhe arritje të qëllimeve të dëshiruara!
Tiranë, 29 tetor 2011