Presidenti Topi dekoron me Urdhrin “Nderi i Kombit” politikanin dhe parlamentarin, shkrimtarin dhe publicistin e shquar shkodran, Pjetër Arbnori, pesë vjet pas vdekjes
“Personalitetit të shquar të Shkodrës dhe të gjithë Shqipërisë, simbolit të sakrificave mbinjerëzore nën persekutimin komunist, politikanit paqësor dhe shkrimtarit të talentuar, intelektualit vizionar e qytetarit fisnik, që gjithë jetën dhe veprimtarinë e tij ia kushtoi idealeve të mëdha të demokracisë, shtetit të së drejtës dhe të përparimit kombëtar”. Me këtë motivacion presidenti Bamir Topi, me Urdhrin “Nderi i Kombit, të dënuarin nga diktatura, politikanin dhe parlamentarin, shkrimtarin dhe publicistin e shquar shkodran, Pjetër Arbnori që është ndarë nga jeta më 8 korrik 2006. Urdhri i lartë dhe dekreti përkatës iu dorëzua gruas dhe dy fëmijëve të Arbnorit në një ceremoni solemne në Pallatin e Brigadave më 28 tetor.
“Me sakrificat e jashtëzakonshme dhe veprën e tij, Pjetër Arbnori mbetet një simbol qëndrese dhe humanizmi, një politikan e intelektual me horizont të gjerë dhe urtësi shembullore, një burim frymëzimi për sjellje qytetare dhe mendimin e lirë”, tha Presidenti Topi. Ai vuri në dukje se bindjet e tij politike, talenti në krijimtari dhe guximi për të kundërshtuar parimet staliniste të regjimit, i morën Arbnorit 28 vjet nga jeta e tij. “Burgjet, vuajtjet dhe dhimbjet e Pjetër Arbnorit janë burgjet, vuajtjet dhe dhimbjet e Shqipërisë”, tha Topi.
Presidenti i Republikës tha se “në kontrast me modelet politike konfliktuale dhe ideologjike, me sjelljet politike joqytetare dhe penguese për vendin, Arbnori kujtohet nga të gjithë për qetësinë, argumentin dhe integritetin e lartë. I zgjedhur deputet në pesë legjislatura, një nga përfaqësuesit më të denjë të qytetarisë shkodrane, Arbnori krijoi edhe në demokraci modelin e politikanit evropian, – mbështetës i vendosur i dialogut politik dhe i shtetit të së drejtës, aktivist i palodhur i të drejtave të njeriut, politikan që vendos mbi gjithçka tjetër interesin publik e kombëtar”.
Në emër të familjes Arbnori, vajza e tij, Gjystina, duke falënderuar Presidentin për urdhrin e lartë që i akordoi babait të saj, tha se familja e saj është me fat që “edhe pas pesë vjetëve të ndarjes nga jeta të babait tonë, kemi të freskëta kujtimet më të bukura nga një njeri që vazhdon të gëzojë respektin e të gjithëve për kontributin konkret që dha për demokracinë në Shqipëri, për mençurinë, maturinë, idealizmin dhe dashurinë për vendin”.
Suzana, e shoqja e Arbnorit ka deklaruar në një intervistë për të përditshmen Panorama se për këtë ceremoni kishte ftuar edhe kryeministrin Berisha e kryeparlamentaren Topalli, por këta të fundit nuk kanë marrë pjesë. Berisha sepse ka qenë në Tropojë, ndërsa Topalli sepse kishte agjendën e ngjeshur.