Kushtetuesja ka hedhur poshtë kërkesën e bashkisë së Tiranës për shfuqizimin e vendimit për kompleksin e ri parlamentar
Tiranë, 9 nëntor 2011 – Gjykata Kushtetuese ka vendosur me shumicë votash të rrëzojë kërkesën e bashkisë së Tiranës të bërë më 6 qershor të këtij viti, për shfuqizimin e vendimit nr. 66, të datës 21.10.2010, të Kuvendit të Shqipërisë “Për ndërtimin e Kompleksit të ri Parlamentar” si të papajtueshëm me Kushtetutën.
Lidhur me pretendimin e mosligjshmërisë të subjektit kërkues për t’iu drejtuar Gjykatës Kushtetuese, ajo vendosi rrëzimin e kërkesës për pezullim, për arsye të mungesës së argumenteve bindëse për cenimin e interesave shtetërore, shoqërore ose të individëve, si rrjedhojë e zbatimit të menjëhershëm të këtij vendimi.
Gjykata ka vlerësuar se “çdo organ pushteti legjitimohet të bëjë kërkesë përpara Gjykatës Kushtetuese kur ai pretendon se ndodhet para një konflikti kompetence”. Lidhur me pretendimin e krijimit të mosmarrëveshjes së kompetencës midis pushtetit vendor dhe pushtetit qendror Gjykata vlerëson se vendimi nr. 66, është një akt individual, i cili është nxjerrë nga organi kompetent, Kuvendi i Shqipërisë, në përputhje me Rregulloren e Kuvendit. “Vendimi nr. 66 është shprehje e iniciativës së ligjvënësit për ndërtimin e një Kompleksi të Ri Parlamentar”.
Si përfundim, Gjykata arrin në konkluzionin se vendimi nr. 66 i datës 21. Tetor 2010 “Për ndërtimin e Kompleksit të ri Parlamentar”, nuk ka shkaktuar konflikt kompetencash midis subjektit kërkues, Bashkia e Tiranës dhe Kuvendit të Shqipërisë.
Lexo edhe: Agjencia Reuters: Shqipëria rrëzon piramidën e Hoxhës për një parlament të ri