Ishte mbyllur për punime nga prilli i vitit 2010. Më në fund, Tirana rihap sheshin e saj kryesor, për këmbësorë e automjete. Por edhe ky fakt nuk mjafton për zgjidhjen e problemeve të trafikut
Tiranë, 14 nëntor 2011 – Sheshi “Skënderbej”, me një sipërfaqe prej afro 40 mijë m², i cili ka marrë tashmë formën e një qendre funksionale për qytetarët, u hap ditën e hënë. Punimet në qendrën e Tiranës u realizuan në kohë, duke bërë të mundur që sheshi “Skendërbej” të jetë i kalueshëm, që sot për mjete e këmbësorë. Në funksion të ndërhyrjes emergjente që ndërmori Bashkia për lehtësimin e trafikut në Tiranë, Këshilli Bashkiak miratoi gjatë mbledhjes së tij, me 29 vota pro dhe 21 kundër projektin për rehabilitimin e sheshit në qendër të Tiranës, i cili synon ta kthejë atë në një shesh për këmbësorët, por pa eliminuar lëvizjen e automjeteve që do të bëhen nëpërmjet rrugëve nëntokësore. Rehabilitimi ka të bëjë me ndërtimin e aksit të qarkullimit të makinave, për të shfryrë trafikun e rënduar në qendër të Tiranës.
Burime nga bashkia bëjnë të ditur se nga këto punime u përfitua një aks i qarkullimit të makinave përreth sheshit “Skënderbej”, si zgjidhje emergjente për situatën e rënduar të trafikut në Tiranë. Ndërkohë, rishikimi i planit urbanistik do t’i japë zgjidhjen përfundimtare planifikimit afatgjatë të sistemimit të sheshit.
Tirana përballet me një situatë kaotike përsa i takon trafikut rrugor, zgjidhja e të cilës kërkon edhe projekte të tjera paralele, siç është ndërtimi i Unazës së Madhe, që do të shkurtojë ndjeshëm kohën e transportit dhe do të ndihmojë zhvillimin e lagjeve të Tiranës, duke i lidhur ato me një sistem modern transporti.
Edhe Plani i ri Urbanistik, që do të jetë gati brenda 10 muajve, konsiderohet i rëndësishëm për zhvillimin afatgjatë të qytetit.