T’i përgjigjesh pyetësorit të regjistrimit të popullsisë është një detyrë për të gjithë. Edhe për të huajt që jetojnë në Itali. Stassi: “Asnjë pyetje mbi etninë, apo fenë”
Nga 9 tetori në Itali po zhvillohet faza më e rëndësishme e censimentit të popullsisë dhe të banesave, ajo e përpilimit të pyetësorëve. Censimenti është një regjistrim që prek mbarë vendin dhe mbledh informacione mbi 25 milionë familje rezidente në Itali dhe rreth 61 milionë qytetarë italianë e të huaj që jetojnë këtu. “Censimenti bëhet çdo dhjetë vjet. Bëhet prej Bashkimit të Italisë, nga viti 1861, dhe ky i tanishmi është i pesëmbëdhjeti. Është bërë rregullisht, përjashtuar vetëm dy herë, për më tepër mjaft larg në kohë. Nuk është bërë në vitin 1891 dhe as në vitin 1941 për shkak të luftës” tregon kreu i shërbimt të Censimenteve të Istat-it, institutit statistikor italian, Giuseppe Stassi.
Regjistrimi është një operacion që synon të japë një fotografi të vendit. Është numërimi i përgjithshëm i italianëve dhe të huajve me banim në Itali. Të gjithë, pra, jemi të thirrur t’i përgjigjemi pyetësorëve që kanë arritur tashmë pothuajse të gjitha familjeve.
Për Istat-in, të huajt përbëjnë një pjesë të konsiderueshme të shoqërisë, për dy arsye. Si për nga numri sepse sot ata përfaqësojnë rreth 7% të popullsisë. Drejtori i shërbimit të regjistrimit pranë Istat, Giuseppe Stassi pohon: “Ndërsa në regjistrimin e vitit1991, të huajt e regjistruar nuk arritën as 400 mijë, në regjistrimin e 2001-shit ishin pak më shumë se 1.3 milion, ndërsa më 1 janar të vitit 2010 janë të regjistruar në zyrat e gjendjes civile 4.200.000 shtetas të huaj. E jemi duke folur për pothuajse dy vjet më parë. Pra, prania e të huajve në Itali është diçka që ne shohim çdo ditë, dhe sigurisht një fenomen që ndihet gjithnjë e më shumë, kështu që është detyra jonë t’i japim atyre ndihmën maksimale në mënyrë që ata të mund të përmbushin këtë detyrim qytetar”. Dhe arsyeja e dytë ka të bëjë me objektivat e regjistrimit: dhënia e informacionit për të mund të programuar sa më mirë politikat e ardhshme, pra edhe ato që lidhen më emigracionin dhe integrimin. “Regjistrimi prek të gjithë, sepse të dhënat që mblidhen me anë të regjistrimit, një nivel shumë të detajuar territorial, janë ato që të na lejojë të kuptojmë si karakteristikat strukturore të familjeve, ashtu edhe karakteristikat socio-ekonomike të vetë familjeve, apo shkallën e arsimimit të tyre, lëvizshmërinë e tyre në territor për arsye studimit ose pune. Pra, të gjitha informacione shumë të rëndësishme për të programuar sa më mirë veprimet për të menaxhuar më mirë vendin dhe për të ofruar shërbime më efikase” thotë Stassi.
Pyetjet janë të njëjta për të gjithë qytetarët, italianët dhe të huajt. Ka një sërë pyetjesh që synojnë të marrin informacione për të kuptuar më mirë se cilët kanë qenë fenomenet e migrimit që kanë prekur Italinë në periudhën e fundit. “Para së gjithash, një nga gjërat e para që ju kërkohet të anketuarve është ajo e shtetësisë dhe vendi i lindjes. Pastaj duke përpiluar më tej pyetësorin, kërkohet nëse shtetësinë italiane është e marrë dhe në ç’mënyrë. Më pas pyetet për vendlindjen e prindërve, nëse ndonjëherë personi ka pasur vendbanimin jashtë vendit, ku jetonte një vit më parë regjistrimit (9 tetor 2010) e gjithashtu ku banonte më 9 tetor 2006, pesë vjet para regjistrimit”.
Pse nuk ka pyetje për fenë dhe etninë? Në Shqipëri, për shembull, ka dhe dy pyetje mbi këto dy të dhëna (sidoqoftë, me përgjigje fakultative).
“Duke marrë si premisë faktin që nuk mund të them asgjë për atë që bën një shtet tjetër sovran, as arsyen se përse e bën, mund të garantoj se në pyetësorin tonë nuk parashikohen pyetje as mbi origjinën as mbi fenë. Në Itali, meqenëse këto lloj pyetjesh sjellim me siguri si përgjigje të dhëna të ndjeshme, zyrtarisht nuk mund t’i jepen qytetarëve si të detyrueshme për t’iu përgjigjur” pret shkurt drejtuesi.
Çfarë është bërë për të ardhur në ndihmë të huajve që jetojnë në Itali?
“Shumë të huaj janë të integruar dhe të aftë për të kryer detyrën e tyre të regjistrimit, por sidomos ata që jetojnë në Itali prej një kohe të shkurtër, ose që nuk njeh detyrimet që duhet të respektojë, mund të gjendjet ngushtë me regjistrimin. Ky bëhet një herë në dhjetë vjet dhe ndoshta shumë prej të huajve nuk kanë qenë në Itali në vitin 2001 dhe nuk kanë si ta mbajnë mend. Pra, për këtë dhe shumë arsye të tjera, ne kemi studiuar disa veprime të posaçme.
Para së gjithash, fushata jonë e reklamave përfshin mesazhet drejtuar në mënyrë specifike të huajve; mesazhe në gjuhë të huaja do të përhapen në shtypin në gjuhë të huaja. Ne kemi parashikuar për periudhën tetor – nëntor 2011, daljen e 40 lajmërimeve në 14 gazeta (shën. red. edhe në Bota Shqiptare gjeni reklamën e Istat-it për censimentin). Përveç publicitetit, janë kryer edhe veprime të tjera. Kemi shtypur materiale informative në disa gjuhë, të cilat do të përhapen përmes shoqatave, të cilat mund t’ia transmetojnë anëtarëve të tyre; por gjithashtu edhe pranë census point (qendrat e censimentit) që do të ngrihen në qytetet kryesore italiane, por edhe në raste të tjera takimesh, të ashtuquajturit census tour turnè regjistrimi, i cili do të prekë shumë komuna e kur një ditë një furgon i personalizuar do të ndalojë në vende të dukshme dhe lehtësisht të arritshme ku do të ofrojë informacione e do të shpërndajë këto materiale”.
Dhe në faqen e internetit të Institutit mund të gjenden informacione në gjuhë të huaja?
“Jemi duke vënë në dispozicion në internet pyetësorët të përkthyer. U kujtoj të gjithëve se pyetësori duhet të plotësohet në italisht për arsyen e thjeshtë se përgjigjet do t’i nënshtrohen një skaneri optik, pra do të lexohen nëpërmjet një programi kompjuterik që njeh italishten. Edhe ky nuk është një problem i madh, sepse shumica e pyetjeve janë më përgjigje të mbyllur, pra duhet thjesht vënë një kryq në katrorin e përgjigjes përkatëse. Shumë pak pyetje janë me përgjigje të lirë, pra që duhet të shkruar diçka brenda katrorëve.
Janë në dispozicion përkthimet e pyetjeve të pyetësorit. Pra, shtetasi i huaj që dëshiron të shohë pyetjet në gjuhën e vet, mund t’i lexojë në të njëjtin rend dhe grafikisht, për sa është e mundur, janë të ngjashëm me pyetësorin në italisht. Më pas ai mund të vendosë përgjigjet në pyetësorin në italisht. Natyrisht kemi përkthyer edhe udhëzuesin për përpilimin që shoqëron pyetësorin. Këto materiale i kemi përkthyer në 19 gjuhë që faktikisht mbulojnë 80-90% të shtetësive të pranishme në Itali. Së fundi, kemi parashikuar që operatorët e numrit të gjelbër pa pagesë të përgjigjen në disa gjuhë: anglisht, frëngjisht, spanjisht, dhe jemi duke shqyrtuar mundësinë ndonjë gjuhe tjetër në mënyrë që t’i japin ndihmën sa më të plotë të mundshme atyre shtetasve të huaj që kanë nevojë për ndihmë”.
Cili është roli i komunave në ndihmën për të huajt?
“I kemi dhënë komunave një sërë udhëzimesh mbi faktin që në disa komuna ku ka një prani më të ndjeshme të të huajve, do të ishte mirë të ndërhynin për shembull ndërmjetësuesit kulturorë dhe vetë shoqatat e të huajve”.
Pra, si përfundim, asnjë vështirësi as për të huajt?
“Unë mendoj se një familje të huaj, duke pasur pyetësorin të përkthyer, për komoditet ndoshta dhe të shtypur, mund të hyjë në faqen e internetit dhe duke ndjekur udhëzimet, mund t’i përgjigjet pyetjeve pa vështirësi. Në Itali, përdorimi i internetit nga qytetarët e huaj është mjaft i lartë, sepse është një mjet komod dhe i shpejtë për të qenë të informuar mbi vendin e tyre; si dhe një mjet shumë i lirë (i pakushtueshëm) për të qenë në kontakt me të afërmit. Të njëjtën gjë bëjnë dhe italianët jashtë atdheut”.
Keti Biçoku