in

Memorandum për regjistrimin e fëmijëve që jetojnë jashtë Shqipërisë

Ministri Haxhinasto: “Do të vazhdojmë të realizojmë detyrime të tjera që kemi ndaj qytetarëve shqiptarë që jetojnë jashtë, si për mësimin e gjuhës shqipe, për ruajtjen e kulturës dhe trashëgimisë. Konkretisht jemi duke mbledhur një kontigjent të ri librash për t’i dërguar pranë konsullatave dhe ambasadave tona, me qëllim që t’u vihen në dispozicion komuniteteve atje për të mësuar gjuhën shqipe”

Tiranë, 16 nëntor 2011 – Në mjediset e Ministrisë së Punëve të Jashtme në Tiranë u nënshkrua sot “Memorandumi i mirëkuptimit ndërmjet Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Qendrës “Shërbimi Ligjor Falas” (TLAS). Memorandumi u nënshkrua nga Zëvendësministri i Punëve të Jashtme z. Selim Belortaja dhe Drejtoresha Ekzekutive e TLAS, Rajmonda Bozo, në prani të Ministrit të Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto dhe zëvendës Ministres së Punëve të Brendshme, Iva Zajmi.

Sipas komunikatës së ministrisë së Jashtme, ky memorandum ka si qëllim bashkëpunimin dhe shkëmbimin e informacionit, me qëllim nxitjen e regjistrimit të fëmijëve të lindur jashtë shtetit, pranë zyrave shqiptare të gjendjes civile.

Memorandumi parashikon që MPJ nëpërmjet konsullatave të saj jashtë vendit të bëjë të mundur marrjen e dokumentacionit përkatës pranë institucioneve të huaja dhe, në rast se konstaton se shtetasi nuk ka mundësi praktike të vijojë regjistrimin e fëmijës së tij, TLAS ofron shërbimet e tij për fillimin e procedurës së regjistrimit pranë zyrave të gjendjes civile në Shqipëri. Shërbimet e ofruara nga TLAS do të jenë pa shpërblim. Ky memorandum është një mundësi e shtuar për shtetasit shqiptarë jashtë shtetit, për të realizuar në kohë dhe me cilësi të gjitha procedurat e nevojshme për regjistrimin e fëmijëve të tyre, duke i mbështetur dhe përkrahur për të mos shkëputur lidhjet me vendin.

“Ky është një hap tjetër konkret i rëndësishëm për sa i takon shërbimeve që Ministria e Punëve të Jashtme ofron nëpërmjet rrjetit të shërbimit të saj konsullor për qytetarët shqiptarë dhe veçanërisht për një kategori të caktuara, për ata që i kanë lindur fëmijët e tyre jashtë shtetit dhe kanë këtë problematikë, e cila ka të bëjë me dokumentat e tyre të linde” tha ministri i Jashtëm Haxhinasto gjatë ceremonisë së nënshkrimit të memorandumit. 

“Gjithashtu do të vazhdojmë të realizojmë dhe detyrime të tjera që kemi ndaj qytetarëve shqiptarë që jetojnë jashtë. E kam fjalën për mësimin e gjuhës shqipe, për ruajtjen e kulturës dhe trashëgimisë. Konkretisht jemi duke mbledhur një kontigjent të ri librash për t’i dërguar pranë konsullatave dhe ambasadave tona, me qëllim që t’u vihen në dispozicion komuniteteve atje për të mësuar gjuhën shqipe. – premtoi gjithashtu ministri i Jashtëm – Ju siguroj që në të ardhmen shërbimet konsullore të misioneve tona diplomatike do të përmirësohen në mënyrë të vazhdueshme”.

Albania, vent’anni dopo

Papa puth Imamin. Toleranca sipas Benetton-it