Përkujtohet 65 vjetori i masakrës ndaj grupit të inxhinierëve martirë të dënuar në gjyqin e Kampit të Maliqit
Tiranë 22 nëntor 2011 – Miratimi i ligjit të lustracionit në Shqipëri si dhe nderimi ndaj të dënuarve dhe martirëve të krimeve të komunizmit ishin kërkesat e Shoqatës Antikomuniste të ish të Përndjekurve Politikë Demokratë. Kryetari i kësaj shoqate, Simon Miraka kërkoi sot gjatë aktivitetit të organizuar me rastin e 65 vjetorit të masakrës ndaj grupit të inxhinierëve martirë, të dënuar në gjyqin e Kampit të Maliqit, që edhe në Shqipëri, ashtu si në të gjitha vendet ish-komuniste të Evropës Lindore, të zbatohet ligji i lustracionit, në mënyrë që të hidhet dritë mbi krimet e komunizmit.
Gjykata Kushtetuese ka pezulluar zbatimin e ligjit “Për pastërtinë e figurës së funksionarëve të lartë të administratës publike dhe të të zgjedhurve”, të njohur ndryshe si ligji i lustracionit. Shkaku i pezullimit, sipas gjykatës kushtetuese edhe fakti që “zbatimi i tij mund të sjellë pasoja në funksionimin normal të shtetit të së drejtës si dhe në cenimin e të drejtave dhe lirive themelore të individit”.
Agron Tufa, Drejtori Ekzekutiv i Institutit të Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit evidentoi faktet e masakrës së regjimit komunist 65 vjet më parë, ndaj të ashtuquajturve “sabotatorë dhe agjentë amerikanë”. Në këtë masakër u ekzekutuan Ing. Abdyl Sharra, – me varje në litar, Ing. Kujtim Beqiri, – me varje në litar, Ing. Vasil Mano – me pushkatim, Zyrika Mano (ekonomiste) – me pushkatim, Ing. italian Eugenio Scatura – me pushkatim, Ing. Mirush Përmeti – me pushkatim, Mario Guarieli – me burgim të përjetshëm, Pandeli Zografi – me burgim të përjetshëm, Mihal Stradobërdha – me burg, etj.
Ndërkohë, historiani Uran Butka hodhi dritë mbi disa fakte që janë fshehur nga regjimi komunist i asaj kohe mbi këtë ngjarje, duke bërë thirrje se kjo masakër meriton të zbardhet dhe shkaktarët e saj të dënohen. Sipas tij, gjyqi ishte një montazh politik që i duhej pushtetit të kohës, para së gjithash, për të justifikuar dështimin në afatet e tharjes së kënetës së Maliqit. Ishte premtuar që mijëra të burgosurit do ta përfundonin “veprën e madhe” brenda tetë muajve, por në kushtet dhe me teknologjinë me të cilën punohej për arritjen e këtij objektivi, sigurisht që ishte e pamundur. Të paushqyer, të lodhur, të sëmurë, të shkatërruar nga lagështia, “skllevërit” e kohëve moderne nisën të vdisnin në masë.
Në nëntorin e 1946, në Tiranë u zhvillua gjyqi ndaj atij që u quajt me bujë “grupi i sabotatorëve të kënetës së Maliqit”. Procesi, që transmetohej me altoparlant publikisht, u zhvillua në kinema “Nacional”, në atë që më pas do të merrte emrin “17 nëntori”. Pas dhjetë ditësh u dha vendimi: Abdyl Sharra dhe Kujtim Beqiri, përkatësisht 35 dhe 30 vjeç, kryeinxhinieri dhe drejtori i kantierit të kënetës së Maliqit, me varje, Andrea Mano, Zyraka Mano, Eugenio Scaturo, Mirush Përmeti u pushkatuan, tetë të tjerë u dënuan me burgime të rënda.