in

Dekret fluksesh? “Këtë vit nuk do të ketë”

Ministria e Punës vendos që këtë vit të mos ketë dekret fluksesh. “Ka shumë të papunë edhe mes të huajve në Itali që rrezikojnë të humbasin lejen e qëndrimit”

Romë, 24 nëntor 2011 – “Shumë papunësi, edhe mes imigrantëve. Është e kotë t’u hapim dyert të tjerë punonjësve”. Natale Forlani, drejtor i Drejtorisë së Imigracionit në ministrinë e Punës, justifikon lajmin që për shumë të huaj do të jetë një dush i ftohtë: “E përjashtoj mundësinë e një dekreti fluksesh për këtë vit”.

Një gjykim i rëndë, po të mbahet parasysh që është pikërisht drejtoria e Imigracionit ajo që monitoron ecurinë e tregut të punës dhe nevojën e krahut të huaj të punës, duke dhënë kështu kontributin teknik më të rëndësishëm në përcaktimin e kuotave vjetore të hyrjeve. Vitin e shkuar drejtoria u hapi rrugën thuajse 100 mijë hyrjeve, këtë vit mendon të mos hapë kufijtë.

“Mendimi ynë është negativ pasi në Itali ka tashmë 280 mijë imigrantë të papunë, gjysma e të cilëve përfiton forma të ndryshme asistence. Para së gjithash u duhet dhënë këtyre personave mundësia e gjetjes së vendit të punës, përndryshe, me të skaduar leja e tyre e qëndrimit, ata do të hyjnë në radhët e klandestinëve” thotë Natale Forlani për stranieriinitalia.it.

Po kush na garanton që ndërmarrjet e familjet duan pikërisht ata punonjës? “Në bazë të të dhënave tona, të papunët e huaj janë të shpërndarë në mënyrë pak a shumë homogjene në territor dhe në sektorë të ndryshëm. Ndaj mund t’i përgjigjen më së miri nevojave të mundshme. Jemi të mendimit që tani për tani mund të sjellim nga jashtë vetëm punonjës me kualifikim të lartë, punonjës sezonalë dhe punonjës që kanë marrë pjesë në program formimi profesional në atdhe”.

Pa llogaritur klandestinët, për të cilët dekreti i flukseve është i vetmi rast i mirë për legalizim, kush e di si do ta marrin këtë vendim Vendet që kanë lidhur me Italinë marrëveshje dypalëshe mbi imigracionin, si Shqipëria për shembull. Kuotat e rezervuara të hyrjeve të rregullta, në fakt, janë ajo çka Italia ofron kundrejt angazhimit të tyre kundër flukseve të parregullta. “Nga ato vende mund të kemi hyrje punonjësish me kualifikim të lartë apo të formuar në atdhe. Nga ana tjetër edhe mes të papunëve ka shtetas të vendeve që kanë lidhur marrëveshje me Italinë” përgjigjet drejtori i Drejtorisë së Imigracionit.

Është vendosur pra, nuk do të kemi flukse këtë vit? Ndoshta. “I yni është vetëm mendimi teknik – thotë Forlani – Tashmë kemi një qeveri të re, e kjo mund të bëjë vlerësime politike të ndryshme nga të deritanishmet mbi eventualitetin e një dekreti fluksesh”.

 Elvio Pasca

Arrestohet në Tiranë Nurçellari, i dënuar me 20 vjet burg nga drejtësia italiane

Komisioni i ligjeve miraton ndryshimet në kodin rrugor