Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi uron kryeministrin Berisha, me rastin e Ditës së Pavarësisë
Prishtinë, 26 nëntor 2011 – Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi uroi sot homologun shqiptar, Sali Berisha me rastin e 28 Nëntorit, Ditës së Pavarësisë.
Thaçi shprehet se “Dita e Pavarësisë së Shqipërisë është ngjarje e rrënjosur thellë në kujtesën historike të kombit shqiptar, që ngjall ndjenjat e krenarisë, frymëzimit dhe rrit vetëdijen politike, kulturore dhe demokratike tek shqiptarët kudo që jetojnë”.
“Festa e Flamurit ishte një ndër ngjarjet që ka frymëzuar breza të tërë në përpjekjet për liri dhe çlirim të Kosovës, luftën e lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, arritjen e lirisë dhe shpalljen e pavarësisë së Kosovës më 18 shkurt 2008”, shprehet Thaçi.
Ai vlerëson që “në 99 vjetorin e Pavarësisë, Shqipëria hyn si shtet i konsoliduar, anëtar i NATO-s, me të drejtën e liberalizimit të vizave, si dhe me një infrastrukturë që e çon të sigurt drejt integrimit në Bashkimin Evropian”.
“Shqipëria, një shtet me perspektivë të zhvillimit ekonomik, është duke luajtur rol të rëndësishëm në rajon, si shembull i fqinjësisë së mirë, paqes, stabilitetit, partneritetit dhe bashkëpunimit. Kosova është mirënjohëse për kontributin e Shqipërisë, në të gjitha periudhat historike”, thuhet në këtë mesazh urimi.