in

Tetor 2002. Shqiptarët i japin lamtumirën ish-mbretëreshës Geraldine

Ish-mbretëresha, Geraldine Zogu, vdiq më 22 tetor 2002, në kryeqytetin e Shqipërisë. Ishte 87 vjeç. Geraldine u varros në varrezat civile të Sharrës. Në homazhet, meshën e përshpirtjes dhe varrimin e saj morën pjesë me qindra njerëz.

Ish-mbretëresha, Geraldina Zogu, ndërroi jetë më 22 tetor 2002, në kryeqytetin e Shqipërisë. Ishte 87 vjeç.

Në muajin gusht, ish-mbretëresha u kurua në një spital të Francës për shkak të problemeve në mushkëri, të cilat, sipas mjekëve, kanë lidhje me ndryshimin e klimës nga Afrika e Jugut në Tiranë.

Gerladina, e cila jetoi në azil që kur familja mbretërore u arratis nga Shqipëria në vitin 1939, u kthye në vend në muajin qershor, pasi 40 anëtarë të parlamentit e ftuan familjen të kthehej në Shqipëri. Edhe në azil, ajo e konsideronte djalin e saj të vetëm, Lekën, si udhëheqësin legjitim të Shqipërisë.

E lindur në vitin 1915 në një familje fisnike hungareze, Geraldina Aponi, u martua me mbretin Ahmet Zogu në vitin 1938.

Ahmet Zogu e shpalli veten mbret të Shqipërisë në vitin 1928 dhe mbretëroi derisa forcat italiane pushtuan vendin në vitin 1939. Ai vdiq në vitin 1961 në Paris.

Monarkia u nxor jashtë ligjit nga udhëheqësit komunistë të vendit në vitin 1946, më pak se dy dekada pasi Ahmet Zogu, babai i Lekës, e krijoi atë duke u vetëshpallur mbret.

Leka është pasardhësi i familjes mbretërore, i cili ka deklaruar se nuk do të përfshihet në politikën shqiptare derisa populli të votojë për të rivendosur monarkinë.

***

Nga e marta deri të premten ende nuk ishte përcaktuar se ku do të varrosej ish-mbretëresha. Përfaqësues të Partisë së Legalitetit, dhe të familjes Zogu kanë pritur që qeveria të shprehte për një varrim shtetëror, dhe madje kanë pretenduar që  të varroset në varrezat e dëshmorëve të kombit. Por qeveria nuk është shprehur, dhe Mbretëresha u varros “përkohësisht” në varrezat civile të Sharrës “në pritje të marrjes së një sipërfaqeje toke në kodrat e liqenit dikur pronë e familjes Zogu” thanë njerëz pranë familjes.

Personalitetet të larta të qeverisë dhe shtetit ashtu edhe njerëz të thjeshte kanë marrë pjesë në homazhet e kryera në shtëpinë e oficerëve në Tiranë. Homazhe kanë zhvilluar përfaqësues të lartë të trupit diplomatik në Tiranë, njerëz të njohur të artit dhe të kulturës, akademikë, si edhe përfaqësues të komuniteteve fetare në Shqipëri. “Unë dua të vdes në Shqipëri në tokën shqiptare, dhe në mes të shqiptarëve”, ka qenë një nga diçiturat e vendosura në sallën ku ndodhej trupi i Geraldinës , ku ishin ekspozuar një grup fotografish nga dasma e saj me Mbretin Zog. Pas përfundimit të homazheve,në Katedralen e Shën Pjetrit në Tiranë është mbajtur një meshë përshpirtëse e drejtuar nga Imzot Rrok Mirdita, arqipeshkv i Tiranës, dhe i gjithë Shqipërisë.

***

Pas përfundimit të meshës, me qindra njerëz kanë marrë pjesë në ceremoninë e varrimit. Qytetarë të thjeshtë, të ardhur nga qytete të ndryshme vendit, kanë marrë pjesë në këtë ceremoni mortore të organizuar në varrezën publike të Sharrës në perëndim të Tiranës ku fjalën e lamtumirës e ka mbajtur deputeti i PD-së Pjetër Arbnori.

Familja Zogu ka marrë telegrame ngushëllimi edhe nga Presidenti Moisiu ndërsa dy bashki, ajo e Shkodrës dhe e Kavajës, kanë mbajtur flamurin në gjysmë shtize. Kryetari i PD-së Sali Berisha është ankuar për mungesën e shtetit dhe  duke propozuar të kthehen edhe eshtrat e Ahmet Zogut ka përdorur (ndoshta pa dashje) për ish-mbretin një shprehje të  Fan Nolit:  “Nuk kemi pse ta lemë Zogun syrgjyn gjallë e syrgjyn vdekur”.

Ndërsa shkrimtari Ismail Kadare e ka quajtur Geraldinën “nje pjese e bukur e historise shqiptare”. Pak ditë para se ish-mbretëresha të kthehej në atdhe kishte patur një letërkëmbim me shkrimnarin Ismail Kadare ku dëshirës së saj për t’u kthyer e për të vdekur në Shqipëri shkrimtari i njohur Ismail Kadare i shkruante: “vendimi juaj për të jetuar në Shqipëri, ka qenë për mua, dhe kam bindjen se do të jetë për shumicën e shqiptarëve një lajm i gëzuar dhe prekës”, ndonëse sipas Kadare, “ky vend ju ka sjellë më tepër brenga sesa gëzime”. Ai quante rikthimin e Geraldinës, një akt të lartë dhe që jep një mesazh fisnik se Atdheu mund të jetë i dashur edhe kur është i vështirë dhe i varfër.

Bota Shqiptare 72, tetor 2002

Lexo edhe: Rikthimi i qytetarit Leka Zogu apo i aspirantit për mbret të shqiptarëve?

Paderno Dugnano. Humbën jetën 4 punonjës, arrestohet punëdhënësi

Rikthimi i qytetarit Leka Zogu apo i aspirantit për mbret të shqiptarëve?