in

EXPO, si ndryshon faqja e qyteteve

Nga Massimo Canario
Edicioni i tanishëm i Ekspozitës Universale po mbahet në Shangai të Kinës nga 1 maji deri më 31 tetor të 2010-s dhe ka si temë “Qytet më i mirë, jetë më e mirë”. Milano ka fituar garën e EXPO-s 2015. Një shans i madh i qytetit që do të shoqërohet me një boom investimesh e me hapjen e mijëra vendeve të punës. Pasi Ekspozitat Universale, edhe pse zgjasin pak javë,  ndryshojnë rrënjësisht metropolet.

Më 31 mars 2008 Milano u zgjodh si qyteti që ku do të zhvillohet Ekspozita Universale e vitit 2015. Në përzgjedhjen përfundimtare qytetet në garë ishin vetëm dy: kryevendi i Lombardisë dhe qyteti turk Izmir, kish paraqitur kandidaturën e para që në maj të vitit 2006. Zgjedhja e Milanos është lajm shumë i rëndësishëm për Italinë kur prestigji i saj nuk është në nivelin më të lartë, me gjithë polemikat që kanë shoqëruar proklamimin e fituesit e mbi të cilat do të kthehemi më pas.

“Ekspozitë botërore” është emri i përgjithshëm që tregon ekspozita të mëdha që janë mbajtur që nga gjysma e shekullit XVII. Organizmi zyrtar përgjegjës për këto ekspozita është Bureau International des Expositions (BIE). I ngritur në vitin 1923 në Paris, BIE ka për detyrë të disiplinojë dhe të kontrollojë organizimin e këtyre manifestimeve; këto ekspozita ndahen në tipologji të ndryshme: universale, ndërkombëtare dhe të specializuara; mund të zgjasin nga 3 deri në 6 muaj. Nuk mbahen me një periodicitet të caktuar, edhe pse është vendosur që nga shekulli XXI ekspozitat universale të bëhen çdo pesë vjet ndërsa ato ndërkombëtare dhe të specializuara të mbahen në vitet e ndërmjetme të universaleve dhe t’u drejtohen kombeve që dëshirojnë të festojnë ndonjë ngjarje të veçantë.

Ekspozita e parë Universale u realizua në Londër në vitin 1776 dhe i dyti në Paris në 1798-n. Mes ekspozitash universale dhe tematike, gjatë këtyre dy shekujve e gjysmë, janë mbajtur me dhjetëra. Disa prej tyre kanë përfaqësuar jo vetëm çaste ndryshimesh rrënjësore arkitektonike për qytetet bujtëse, por edhe, siç thuhet sot, një rivlerësim imazhi të konsiderueshëm, me një numër vizitorësh që shpesh ka kapërcyer 50 milionët.

Falë Ekspozitave Universale janë ngritur disa nga monumentet që kanë karakterizuar për shumë vite qytetet bujtëse dhe që në disa raste vazhdojnë ta bëjnë edhe sot e kësaj dite.

Në 1851-shin manifestimi bëhet në Londër. Mendohet të ngrihet një pallat ku të bëhet ekspozita dhe organizohet tenderi për ndërtimin e tij. Paraqiten projekte të ndryshme dhe ai i francezit Hector Horeau dhe irlandezit Richard Turner konsiderohet më interesanti. Pëlqehet mbi të gjitha ideja e ndërtesës krejtësisht në hekur dhe qelq. Por në fund projekti lihet mënjanë. Shkaqet janë dy: duhet shumë kohë për ta realizuar dhe është e pamundur të zhvendoset në një anë tjetër të qytetit pas përfundimit të Ekspozitës. Ai që arrin të mënjanojë të dyja problemet është arkitekti Joseph Paxton. Lind kështu Crystal Palace, godinë e madhe në stilin viktorian. I instaluar fillimisht për Ekspozitën në Hyde Park, në vitin 1854 u çmontua dhe u ringrit në një zonë tjetër të qytetit (Levisham). Shpesh i dëmtuar nga zjarret, pallati u shkatërrua thuajse plotësisht nga ai i 30 nëntorit 1936; mbetën në këmbë vetëm dy kulla anësore që u shkatërruan më pas nga gjermanët gjatë luftës së dytë botërore.

Në vitin 1889 Ekspozita mbahet në Paris për të festuar njëqindvjetorin e Revolucionit. Pikërisht për këtë rast u projektua dhe u ngrit monumenti që edhe sot e kësaj dite karakterizon kryeqytetin francez. E kemi fjalën për Kullën Eiffel, të ndërtuar në më pak se dy vjet: ndërtimi i saj filloi në vitin 1887, u inaugurua më 31 mars 1889 dhe u hap për publikun më 6 maj të të njëjtit vit.

Ideatori i Kullës Eiffel ishte inxhinieri Gustave Eiffel, i njohur edhe për realizimin disa vjet më parë të Statujës së Lirisë në New York. Kulla është 304 metra e lartë dhe çdo vit vizitohet mesatarisht nga pesë milionë e gjysmë turistë.

Gjëja kureshtare është që në çastin e ndërtimit të saj pati shumë polemika pasi shumë vetë ishin të idesë se nuk ishte shumë estetike. Ndërsa sot konsiderohet thuajse nga të gjithë si një nga shembujt më të jashtëzakonshëm të arkitekturës mbarëbotërore.

Në vitin 1958 Ekspozita Universale mbahet në Belgjikë dhe për atë rast Brukseli zbukurohet me monumentin që akoma sot e karakterizon në botë, Atomium që ndodhet në parkun Heysel. E projektuar nga arkitekti André Waterkeyn, përbëhet nga nëntë sfera që përfaqësojnë kristalin e hekurit të zmadhuar 165 miliardë herë. Monumenti është i lartë 103 metra; sferat kanë diametër 18 metra dhe lidhen me njëra-tjetrën me shkallë të lëvizshme e të palëvizshme.

Në Itali Ekspozitat Universale janë zhvilluar edhe më parë. Në vitin 1906 u mbajt pikërisht në Milano. Është viti i inaugurimit të Tunelit të Sempione-s që lidh Val d’Ossola, në Itali, me Alta Valle të Rodano-s, në Zvicër. Ekspozita, atë vit kushtuar paqes dhe mirëkuptimit mes popujve, shërben si një kuti enorme rezonance për tunelin: manifestimi zhvillohet në një park që më pas do të quhet pikërisht Sempione dhe që riprodhonte pikërisht dy hyrjet e Galerisë së sapopërfunduar. Tunelit i përkushtohej një zonë e tërë e ekspozitës me vizatimet, projektet, fotografitë, mjetet e punës së kantierit.

Një rast më vete është ai i Ekspozitës që duhej të mbahej në Romë në vitin 1942 por që u anulua për shkak të fillimit të Luftës së Dytë Botërore.

Me Ekspozitën Universale në Romë fashizmi dëshironte të festonte njëzetvjetorin e Marshimit mbi Romën. Ideja ishte të ndërtohej një lagje e tërë e re. Emri fillestar i saj duhej të ishte E42 (Ekspozita 1942), më pas ndryshoi në EUR nga akronimi i Ekspozitës Universale të Romës, emër me të cilin njihet edhe sot, edhe pse në toponomastikën e qytetit emri zyrtar është Lagjja Europa.

Në dhjetor të vitit 1936 u ngrit posaçërisht për këtë qëllim Enti EUR që nis menjëherë ndërtimin e tri pallateve: Palazzo degli Uffici, vepër e arkitektit Minnucci; Palazzo dei Congressi, që fillimisht u quajt pallati i pritjeve dhe i kongreseve, vepër e arkitektit Libera; Palazzo della Civiltŕ Italiana, emri i të cilit në epokën e ndërtimit ishte pallati i qytetërimit të punës, vepër e arkitektëve Guerrini, La Padula dhe Romano.

Ekspozita për shkak të luftës nuk bëhet por Enti EUR mbetet në këmbë. Pas konfliktit botëror rifillon aktivitetin e tij në vitin 1951 nën udhëheqjen e “komisarit të jashtëzakonshëm” Virgilio Testa, falë të cilit nis edhe ngritja e lagjes së mirëfilltë. Olimpiadat e vitit 1960 që zhvillohen në kryeqytetin italian, përfaqësojnë rastin më të mirë për ngritjen e impianteve të reja si Palazzo dello Sport, Velodromo dhe Piscina delle Rose.

Në vitin 1992, me rastin e 500-vjetorit të zbulimit të Amerikës, Ekspozita Universale iu dha Seviljes dhe Gjenovës. Në kryevendin e Ligurias manifestimet u mbajtën nga 15 maji deri më 15 gusht dhe patën si titull “Cristoforo Colombo – La nave e il Mare”. Ashtu si edhe për rastet e mësipërme edhe për këtë pati shumë punime restyling për qytetin: mbi skicat e arkitektit Renzo Piano u ristrukturua i gjithë Porti Antik dhe u ndërtuan një akuarium dhe Bigo, një lloj ashensori panoramik nga i cili ke një pamje të mrekullueshme të të gjithë qytetit.

Edicioni i tanishëm i Ekspozitës po mbahet në Shangai të Kinës nga 1 maji deri më 31 tetor të 2010-s dhe ka si temë “Qytet më i mirë, jetë më e mirë”. Marrin pjesë 192 shtete dhe 50 organizata të ndryshme. Pavijoni Italia, me 7.000 metra katrorë në tri kate, u ofron vizitorëve magjepsjen e përshkimit të mbarë Italisë, duke u bërë të mundur të shohin evolucionet artistike, të provojnë novacionet teknologjike, të njohin pasurinë e pafund kulturore, të shijojnë pjatat më të mira të kuzhinës italiane.

Pas pesë vjetësh do të jetë radha e Milanos. Përzgjedhja e kryevendit lombard, por siç e thamë edhe në fillim, nuk kanë munguar polemikat. Janë serioze polemikat për impaktin ambiental që projektet e reja mund të kenë mbi qytetin. E nisi Adriano Celentano që në blogun e tij, shkruan që edhe pse i gëzuar për mundësinë e dhënë qytetit të tij nga ana tjetër i trembet çimentifikimit dhe “spekulimeve të tipit sfigurativ”. Kryebashkiaku Moratti i përgjigjet menjëherë që të ndërtosh nuk është vetëm çimentifikim.

Por është ende herët për të folur. Një gjë është e sigurt, që bëhet fjalë për shifra astronomike: sipas një hulumtimi fillestar të Dhomës së Tregtisë së Milanos (në vitin 2008) do të ketë investime për mëse 20 miliardë euro, mëse 29 milionë vizitorë dhe të paktën 44 miliardë euro xhiro më shumë për ndërmarrjet milaneze, për të mos folur për kthimin e imazhit që mund të ketë i gjithë “made in Italy”. Rasti është i volitshëm por precedentët italianë këshillojnë të bëhet kujdes. Është akoma i freskët kujtimi i kërdisë që u bë me rastin e kampionatit botëror të futbollit të vitit 1990, mes ndërtimeve keqfunksionuese, veprave që nuk u përdorën më, korrupsionit dhe rëndimit fiskal të taksapaguesve mbi të cilat u desh ndërhyrja e organeve të drejtësisë. Ndoshta ishin të tjera kohë, nuk kishin filluar akoma hetimet për tangjentopolin. Është e vërtetë, por megjithatë nuk arrijmë të jemi optimistë.

Massimo Canario

 

E premtja e nxehtë e grevave

Bashkëpunëtoret familjare a mund të kërkojnë paradhënie të Tfr?