in

Rikthehen reshjet, kërcënohen nga përmbytjet lagjet periferike të Shkodrës

Foto nga permbytjet e vitit te shkuar
Tiranë 7 dhjetor 2011 – Ndërsa Qeveria sapo ka miratuar dëmshpërblimin për përmbytjet e dimrit të shkuar, reshjet e dy-tre ditëve të fundit që kanë përfshirë rajonin verior të Shkodrës, kanë dhënë ndikimin e tyre në fryrjen e shtratit të lumit Kir. Thuajse krejt e pajetë në pjesën më të madhe të shtrirjes së tij, shkarkimi i përrenjve të zonave malore në shtratin e tij ka bërë që niveli i ujit të rritet ndjeshëm.

Më shumë se kudo tjetër, fryrja e tij dallohet në zonën pranë Urës së Lumit Kiri, aty ku deri pak ditë më parë të ngjante si një shkretëtirë pa asnjë pikë ujë, ndërkohë që tani rrjedha e ujit është bërë e rrëmbyeshme.     

Një fryrje e tillë, për banorët e lagjeve periferike të qytetit, si ato “Mark Lulaj“, “Tepe”, “Ajasëm”, por edhe për fshatin Bardhaj të komunës Rrethi si dhe Kuç të komunës Gur i Zi është e frikshme për një përmbytje të mundshme.

Edhe pse reshjet janë vetëm në ditët e para, në disa zonë të rritja e nivelit të ujit në shtratin e Kirit ka filluar të japë kërcënimet e para.

Të parët që filluan të shqetësohen, kanë qenë dje pjesëtarë të komunitetit të lagjeve periferike si dhe të fshatit Kuç, të cilët kanë kërkuar interesimin e duhur ana e strukturave vendore për të evituar ndonjë rikthim të mundshëm të situatës së vitit të kaluar.

Nga prefektura e Shkodrës bëjnë të ditur për ATSH-në se strukturat e shtabit të emergjencës civile pranë kësaj prefekture, me masat e marra gjatë periudhës së mëparshme, garantojnë se situata është plotësisht nën kontroll.

Sipas sekretarit të prefekturës, Bardh Sheqi, përqendrimi i investimeve të qeverisë shqiptare ka qenë kryesisht në zonën problematike të NënShkodrës, ku janë ndërtuar një sërë argjinaturash mbrojtëse për të mos lejuar përsëritjen e situatës së vitit të kaluar.

Qeveria miraton dëmshpërblimin për përmbytjet e dimrit të shkuar në Shkodër

Fatkeqësi në punë. Bie nga dhjetë metra e vdes 45-vjeçari Gjoka