Në qytetin antik të Apolonisë u hap më 6 dhjetor Muzeu Arkeologjik në raftet dhe stendat e të cilit janë ekspozuar objekte, vepra dhe punime, të cilat dëshmojnë ekzistencën e këtij qyteti, 12 shekuj para Krishtit
Tiranë 8 dhjetor 2011 – Të paktën 800 objekte të ndryshme, që tregojnë epokat e zhvillimit të Apolonisë, janë ekspozuar në muzeun arkeologjik të këtij qyteti antik. Nëpërmjet objekteve të ekspozuara, vizitorët mësojnë se Apolonia antike e krijuar nga kolonët grekë rreth viteve 620 Para Krishtit është ndërtuar mbi rrënjët e një qytetërimi shumë më të hershëm.
“Në Apoloni numri i vizitorëve shënon rritje progresive nga viti në vit, por mungesa e një muzeu arkeologjik ka qenë një mungesë e madhe. Për këtë arsye hapja e një muzeu të denjë për një park arkeologjik si Apolonia ka qenë një nga objektivat tanë kryesorë, që falë mbështetjes së Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve dhe të zyrës së Unesco-s në Venecia, u bë realitet”, tha Drejtori i Parkut Kombëtar Arkeologjik të Apolonisë, Marin Haxhimihali.
Sipas tij, pritet që rihapja e muzeut arkeologjik ta shtojë edhe më tepër frekuentimin e parkut arkeologjik të Apolonisë, i cili vitin e kaluar u vizitua nga 35.000 turistë
Objektet dhe veglat e ekspozuara në stendat e muzeut datojnë në një periudhë shumë më të largët, rreth 1200 vjet Para Krishtit. Në galerinë e pafund të objekteve të gjetura dhe tashmë të ekspozuara në Muzeun Arkeologjik të Apolonisë gjenden skulptura nga më të ndryshme si, portrete aristokratësh, gladiatorë, portrete vajzash, gurë varresh me gdhendje, vegla pune, figura kafshësh, kalorës, luftëtarë, peizazhe natyrore,etj.
I hapur fillimisht gjatë periudhës së komunizmit, muzeu i Apolonisë ishte mbyllur në vitin 1991 për shkak të grabitjeve sistematike në kohën e fillimit të tranzicionit. Objektet arkeologjike që prej asaj kohe ruheshin në Institutin e Arkeologjisë në Tiranë. Tashmë ato i janë rikthyer vendit ku u zbuluan, parkut arkeologjik të Apolonisë. Rihapja e muzeut arkeologjik në Apoloni është fryt i bashkëpunimit të MTKRS-së me UNESCO-n që mbështeti financiarisht projektin me një vlerë prej 180 mijë dollarësh.