in

Berishës i bie të fikët. Topalli: “Asgjë për t’u shqetësuar”. Rama: “Të shkuara!”

Gjatë fjalës në 21 vjetorin e Partisë Demokratike, një situatë e papritur është krijuar kur kryeministri Berisha ka humbur ekuilibrin, gjë që ka sjellë ndërhyrjen e menjëhershme të truprojave dhe shoqëruesve për ta larguar atë nga foltorja.

Tiranë, 13 dhjetor 2011 – Pas rreth 30 minutave fjalim në ceremoninë e 21 vjetorit të themelimit të Partisë Demokratike të organizuar në Pallatin e Kongreseve, kryeministrit Sali Berisha i ka rënë të fikët. Ai ka qenë drejt përfundimit të fjalimit, kur ka humbur ekuilibrin. Menjëherë shoqëruesit e tij e kanë larguar nga foltorja. Ceremonia e festimeve është ndërprerë menjëherë. Më pas në Pallatin e Kongreseve është parë një ambulancë që ka ndërhyrë për të kontrolluar gjendjen shëndetësore të kryeministrit.

Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli ka folur pak minuta më vonë për të qetësuar të pranishmit duke u thënë se nuk ka asgjë për t’u shqetësuar dhe se gjendja e kryeministrit është pasojë e një virusi.

I menjëhershëm edhe mesazhi i Edi Ramës në rrjetin social Twitter: “Sapo dëgjova për sëkëlldinë e Saliut në festë. Ndiej keqardhje dhe uroj sinqerisht që të mos jetë asgjë serioze për shëndetin. Të shkuara!”

Pas mëse një ore del edhe një njoftim zyrtar mbi shëndetin e Berishës nga zyra e shtypit e qeverisë: “Kryeministri Sali Berisha është në gjendje të mirë shëndetësore dhe konsulta mjekësore tregoi parametra normale dhe gjendje të stabilizuar”.    

Sipas saj “në mbrëmje, kryeministri Berisha pati një gjendje lodhjeje në përfundim të fjalës së tij, me rastin e 21 vjetorit të Partisë Demokratike. Pas një konsulte mjekësore u konstatua një gjendje lipotimie (debolese), e lidhur  me një virozë, për të cilën Kryeministri është mjekuar gjatë ditëve të fundit. Konsulta mjekësore tregoi parametra normale dhe gjendje të stabilizuar”.

“Kryeministri Berisha është në gjendje të mirë shëndetësore dhe para largimit nga Pallati i Kongreseve konsumoi një kafe me miq dhe të ftuar dhe më pas u kthye në apartamentin e tij”, citohet në njoftimi.

“Kryeministri Berisha u shpreh mirënjohjen të gjithë anëtarëve dhe simpatizantëve të Partisë Demokratike, miqve dhe të ftuarve në përvjetorin e krijimit të PD-së, për interesimin e treguar dhe uron dhe njëherë gëzuar festën”, përfundon njoftimi nga zyra e qeverisë.

Ajo çka i ngjau Berishës të sjell ndërmend një ngjarje të tillë të ngjarë Silvio Berlusconit pesë vjet më parë. Më 26 nëntor 2006, edhe këtij të fundit i ka rënë të fikët teksa mbante një fjalim përpara Qarqeve të të rinjve të PdL-s në Montecatini Terme.

Zarfe me plumba për ministrin e drejtësisë dhe kryebashkiakun e Romës

Fano. Fiton 5 milionë euro punëtori shqiptar