in

Aleanca KuqeZi: “Shqiptarët në emigracion të harruar nga qeveria”

Duke marrë shkas nga faktet e bëra publike nga Raportuesi i OKB-së për të drejtat e emigrantëve François Crépeau, Aleanca KuqeZi denoncon sot qeverinë dhe shtetin shqiptarë që, sipas saj, dhunon dhe shkel hapur nenin 8 të Kushtetutës Shqiptare i cili e detyron atë “të mbrojë të drejtat dhe interesat e shqiptarëve kudo që janë, edhe jashtë kufijve”

Romë, 15 dhjetor 2011 – Në dy takimet e organizuara në Romë, në qershor e në tetor të këtij viti, Aleanca KuqeZi ka vënë theksin në dy çështje që prekin nga afër emigrantët shqiptarë: në të drejtën e votës për zgjedhjet shqiptare në vendet ku ata jetojnë (dhe jo thjesht përfshirjen e tyre në listat elektorale në vendlindje, gjë që nuk u mundëson të gjithëve ushtrimin efektiv të kësaj të drejte), dhe në mësimin e gjuhës shqipe. “Nëna, keni misionin fisnik e të shenjtë t’u mësoni bijve tuaj gjuhën shqipe” u bëri thirrje grave shqiptare në tetor kryetari i Aleancës dhe nënkryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Kreshnik Spahiu, që nuk harroi të kritikonte edhe në atë rast qeverinë shqiptare që bën pak për të ndihmuar mësimin e gjuhës shqipe nga fëmijët e shqiptarëve që rriten në emigracion. Takimi i ardhshëm i Aleancës KuqeZi me komunitetin shqiptar në Itali do të mbahet në Mentana të Romës më 26 dhjetor 2011.

Sot, Aleanca KuqeZi përshëndet faktet e bëra publike nga Raportuesi i Kombeve të Bashkuara për të drejtat e emigrantëve François Crépeau i cili ka përfunduar një vizitë faktmbledhëse në Shqipëri. Mungesa e një strategjie prej 21 vitesh për emigrantët shqiptarë është një e metë e madhe që e diferencon Shqipërinë në krahasim me vendet e tjera evropiane por edhe nga fqinjët e saj të cilët prej disa dekadash hartojnë politika të veçanta për emigrantët e tyre, madje kanë ngritur dhe institucionet të posaçme për këtë kategori të shoqërisë së tyre.

“Edhe pas 21 vitesh largime pa fund shqiptarët nuk e dinë ende se sa bashkëkombës të tyre janë larguar nga vendi, apo se sa të tjerë janë rikthyer pas vitesh të tëra emigrim. Ne nuk e kemi asnjë informacion, asnjë regjistër, asnjë përllogaritje për numrin e saktë të shqiptarëve që janë larguar nga vendi ynë. Gjithashtu ne ende nuk jemi në dijeni se sa emigrantë janë kthyer në atdhe pas vitesh të tëra emigrim.

Aleanca KuqeZi i bën thirrje qeverisë shqiptarë që të mos keqpërdorë emigrantët dhe keq informojë qytetarët shqiptarë kur thotë se janë 1 milion turistë në sezonin verorë pse të gjithë ne jemi dëshmitarë të faktit se bashkëkombësit tanë dy herë në vit kthehen tek familjarët e tyre për festat e fund vitit dhe sezonin verorë” vë në dukje komunikata e Aleancës KuqeZi.

Mungesa e politikave të qeverive të shtetit shqiptarë kanë krijuar këtë situatë konfuze për të gjithë ne, por mbi të gjitha për ata qytetarë shqiptarë të cilët për plot 21 vjet sot nuk kanë asgjë të sigurt, jo më në tokën e huaj por as në të tyren.

Qeveria shqiptare u mobilizua në një proces të shumë-propaganduar siç ishte procesi i regjistrimit të popullsisë mbi baza etnike dhe fetare. “Në të gjithë atë proces, për të cilin u harxhuan plot 14 milion euro, hartuesit e regjistrimit harruan emigrantët shqiptarë të cilët vetëm sepse jetonin jashtë vendit, nuk u parashikuan fare në regjistrimin e popullsisë shqiptare. Aleanca KuqeZi i kujton qeverisë aktuale, por edhe qeverive të kaluara se mbrojtja e të drejtave të qytetarëve është parim i mbrojtur nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, parim jo vetëm i anashkaluar por i braktisur totalisht”.

Aleanca KuqeZi i bën thirrje qeverisë shqiptare dhe ministrisë së Jashtme që të vërë në lëvizje ata mijëra punonjës diplomatikë “të kenë në vëmendje të tyre qytetarët shqiptarë që largohen nga vendi mëmë për një jetë më të mirë dhe jo protokollet e vizitave zyrtare të drejtuesve të shtetit shqiptarë”.

Ata kritikojnë sërish qeverinë për moskrijimin e kushteve që emigrantët  të mund të ushtrojnë të drejtën e votës: “Prej 21 vitesh këta qytetarë shqiptarë nuk kanë mundur të shprehin vullnetin e tyre në asnjë nga proceset zgjedhore, një tjetër e drejtë e shkruar e zeza mbi të bardhë në dokumentin themeltarë të shtetit shqiptarë, kushtetutën e republikës).

Ndaj, Aleanca KuqeZi e mbyll komunikatën e saj me një sërë kërkesash shtruar qeverisë shqiptare:

  1. Të hartojë një strategji afatgjatë për emigrantët shqiptarë që rikthehen në atdhe duke i mbështetur ata me ndihmë sociale deri në integrimin e plote në shoqëri.
  2. Të hartojë një regjistër zyrtar të të dhënave mbi qytetarët e larguar në emigrim dhe ata të rikthyer në atdhe.
  3. Të garantojë të drejtat e qytetarëve shqiptarë që jetojnë në emigrim dhe të fëmijëve të tyre të cilët nuk flasin më asnjë fjalë shqip.
  4. Të reformojë misionet diplomatike duke hartuar një strategji konkrete për të ndihmuar dhe mbështetur në çdo kohë dhe në çdo rast emigrantët shqiptarë.
  5. Reforme radikale në strukturat e trupit diplomatik shqiptarë.
  6. Të mundësojë më çdo kusht dhe formë të drejtën e votës për emigrantët shqiptare.

Lexo edhe: Raportuesi i OKB-së: “Të bëhet më shumë për mbrojtjen e të drejtave të migrantëve”

Koncert me muzikë klasike për festat e fundvitit

Sekuestrohen në Bari 760 kg marijuanë dhe arrestohet një shqiptar