Ndërsa në Durrës gjatë gjithë vitit janë sekuestruar 412 kg marijuanë, nga ana tjetër e Adriatikut, në Itali, vetëm gjatë dy javëve të para të dhjetorit janë arrestuar disa shqiptarë të cilëve u janë sekuestruar 1,5 tonë marijuanë
Romë, 22 dhjetor 2011 – Forcat e policisë së Durrësit gjatë këtij viti kanë sekuestruar mbi 12 kg lëndë narkotike të forta, si dhe mbi 400 kg cannabis sativa.
Shifrat janë bërë të ditura për ATSH-në nga drejtori i policisë së qarkut, Aleks Hajdari, i cili tha se gjatë vitit 2011 janë arrestuar 69 persona, të dyshuar si prodhues dhe shpërndarës të lëndëve narkotike. Nga pesë operacionet e përbashkëta me policinë portuale si dhe me strukturat e luftës kundër narkotikëve, janë bllokuar 1,061 kg kokainë dhe 11,368 kg heroinë.
Sipas të njëjtit burim, forcat e policisë kanë sekuestruar gjithashtu mbi 400 kg cannabis sativa, 1,5 kg vaj cannabis si dhe janë asgjësuar 149 rrënjë nga ku prodhohet lënda narkotike.
Por nga ana tjetër e Adriatikut, vetëm gjatë dy javëve të para të dhjetorit janë arrestuar disa shqiptarë për trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike të cilëve u janë sekuestruar një ton e gjysmë marijuanë.
Lexo edhe: 15 dhjetor 2011 – Sekuestrohen në Bari 760 kg marijuanë dhe arrestohet një shqiptar