in

Konvertimi i patentave shqiptare tani është realitet

Sipas Zyrës së Motorizimit civil në Romë, më 15 gusht 2009 do të hyjë në fuqi marrëveshja për konvertimin e patentave shqiptare

Burime zyrtare nga departamenti i Motorizimit Civil të Ministrisë së Transportit italian bëjnë të ditur për Botën shqiptare se është gati qarkorja që informon zyrat periferike për hyrjen në fuqi më 15 gusht 2009 e marrëveshjes dypalëshe për njohjen dhe konvertimin e patentave shqiptare në Itali. Sipas sqarimit të nëpunëses Celentano “konvertimi i patentave do të fillojë nga data 17 gusht 2009 pasi 15 e 16 gusht janë ditë festive. Megjithatë e drejta e konvertimit do t’u jepet edhe atyre që mund të kenë një patentë shqiptare që u skadon pikërisht në njërën prej këtyre dy ditëve”.

Marrëveshja mes dy shteteve për njohjen reciproke dhe konvertimin e patentave për dhënien e makinës, është nënshkruar tetorin e vitit të shkuar nga ministri i jashtëm Italian Franco Frattini, në kuadrin e bashkëpunimit në sektorin e transporteve të nisur nga qeveritë e të dy vendeve, në prani të kryeministrit shqiptar Sali Berisha, dhe ministrit të jashtëm Lulzim Basha. Por vetëm tani me ratifikimin e plotë të kësaj marrëveshjeje ajo hyn në fuqi.

Në vija të përgjithshme, mund të themi që  konvertimi i patentave shqiptare do të jetë me siguri i ngjashëm, në mos i njëjtë, me konvertimin e patentave të vendeve të tjera jo anëtare të BE-së që kanë nënshkruar marrëveshje dypalëshe, ashtu si në rastin e Shqipërisë. Ndaj le të shohim se si bëhet konvertimi i këtyre patentave.

Para së gjithash, duhet treguar që patenta është marrë në Shqipëri para vendosjes së rezidencës në Itali dhe se kërkuesi i konvertimit të patentës ka një dokument qëndrimi në Itali, leje apo kartë qëndrimi.

Konvertimi i patentës nuk është tjetër veçse lëshimi i një patente italiane në vend të asaj shqiptare.

Procedura dhe dokumentet e nevojshme për konvertimin

Kërkesa e konvertimit duhet bërë pranë një zyre provinciale të motorizimit civil duke paraqitur këto dokumente:

– Kërkesa në modularin TT 2112 (që jepet në sportel) e përpiluar dhe e nënshkruar;

– Dëshmia e derdhjes së 29,24 eurove në llogarinë rrjedhëse postare 4028;

– Dëshmia e derdhjes së 9,00 eurove në llogarinë postare 9001. Buletinet e llogarive rrjedhëse të gatshme mund të gjenden në zyrat e postës ose në Zyrat Provinciale të Departamentit të Trasportit tokësor. Nuk mund të përdoren buletine të tjera përveç këtyre të gatshme;

– Patenta shqiptare në origjinal;

Një dokument me pullë-taksë me përkthimin e të dhënave të patentës shqiptare. Përputhshmëria e përkthimit me tekstin shqip duhet të certifikohet nga përfaqësia diplomatike (konsullatat) shqiptare në Itali. Kjo certifikatë duhet të konvalidohet më pas në Prefekturë;

– 2 fotografi format tesera;

– Certifikata mjekësore me pullë-taksë me fotografi (bëhet në ASL dhe nga mjekë të autorizuar) e gjashtë muajve të fundit;

– Fotokopja e kodit fiskal;

– Fotokopja e lejes apo e kartës së qëndrimit e paskaduar, ose kuponi i përtëritjes.

– Për konvertimin e patentave në formatin e vjetër, në karton, të ardhura në fuqi më 1 nëntor 1999, kërkohet një certifikatë vërtetësie e vlefshmërie të lëshuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor të Ministrisë së Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit e Shqipërisë sipas një modeli të parashikuar në marrëveshje që mund të shihni këtu poshtë.

Certifikata e vërtetësisë dhe e vlefshmërisë

Qarkorja e ministrisë italiane të Infrastrukturave dhe Transporteve mbi konvertimin e patentave shqiptare

Keti Biçoku

Mes shqiptarëve në Lombardinë e krizës

Papunësia dhe leja e qëndrimit