in

Punëdhënësi: “Ose bëhu Dëshmitar i Jehovait, ose me ne nuk punon!”

Nikollë Biba nuk punon më, sepse nuk pranoi të ndërronte fe. “Mund ta denoncojë për diskriminim. Kushtetuta italiane dënon çdo formë racizmi e diskriminimi të bazuar, mes të tjerash, edhe në përkatësinë fetare” thotë avokati

Romë, 22 dhjetor 2011 – “Ose bëhu Dëshmitar i Jehovait, ose me ne nuk punon!”. Kështu i thuhet në nëntor Nikollë Bibës, nga sipërmarrësi i një ndërmarrjeje me të cilën kishte bashkëpunuar kohë më parë. E meqë Nikolla i thotë “Jo”, nga ajo ditë sipërmarrësi nuk i jep punën.

Nikollë Biba është 47 vjeç dhe jeton në provincën e Pistoia-s prej 9 jetësh bashkë me familjen. Telefonon në redaksi për të denoncuar padrejtësinë që i është bërë.

“Jam bojaxhi e prej 5 vjetësh punoj me partita IVA, sepse nuk të punëson njeri. Para disa kohësh kisha bashkëpunuar me Arte Casa, një ndërmarrje bojërash, që më gjente ndonjë punë. Kur i kërkova prapë punë herën e fundit në nëntor, pronari i ndërmarrjes, V. Marassa ma preu shkurt: “Bëhu dëshmitar i Jehovait, përndryshe me ne nuk ke punë!”. Edhe më parë më shtynte që të ndiqja fenë e tij, ndonjëherë edhe kisha shkuar me të në kishë, por kot për t’i bërë qejfin. Këtë herë i thashë “Jo. Kam fenë time”.

Dhe që nga ajo ditë nuk bashkëpunon më me Arte Casa. A ke pasur probleme të tilla më parë? “Jo. Zakonisht problemet janë të tjera. Të paguajnë me vonesë, apo nuk të paguajnë fare, kam edhe një çështje të hapur për këtë problem. Por që të mos më merrnin në punë pse nuk merrja fenë e pronarit nuk më kishte rastisur ndonjëherë”. Nikolla tregon se ka punuar edhe në Greqi për 12 vjet. “Atje shqiptarët ndërrojnë edhe emrin, por që të më kërkonin të përkrahja një fe vetëm për të punuar edhe këtu në Itali, nuk ma priste mendja”.

E me sa tregon Nikolla, Marassa nuk ia ka bërë vetëm atij një propozim të tillë. “Edhe të tjerëve që bashkëpunojnë me të, ua kërkon. Ndoshta ndonjëri edhe pranon prej hallit”.

“Nëse është e vërtetë ajo që tregon Biba, kemi të bëjmë me diskriminim dhe një gjë e tillë dënohet me ligj”, thotë avokatja Mascia Salvatore e shoqërisë Stranieri in Italia. “Kushtetuta italiane dënon çdo formë racizmi e në nenin 3 thotë: “të gjithë qytetarët kanë dinjitet shoqëror të njëjtë dhe të drejta të barabarta përpara ligjit, pa dallim gjinie, race, gjuhe, besimi fetar, opinioni politik, statusi personal dhe shoqëror”. Dhe me qytetarë, nënkuptohen edhe të gjithë të huajt që ndodhen në vendin tonë” shpjegon avokatja Salvatore.  

Ligji flet qartë “Çdo sjellje që, në mënyrë të drejtpërdrejtë apo tërthorazi, shkakton dallim, përjashtim, reduktim apo parapëlqim i bazuar mbi racën, ngjyrën, prejardhjen, apo bindjen politike konsiderohet diskriminim nga ligji italian (neni 43 i dekretit legjislativ 286/98)”.

Gjithnjë sipas ligjit, kryen një akt diskriminues “punëdhënësi apo personat e caktuar prej tij që kryejnë çfarëdo lloj akti që shkakton diskriminim edhe tërthorazi, mes punonjësve vetëm për shkak të përkatësisë së tyre në një racë, grup etnik apo gjuhësor, besim fetar apo shtetësi të caktuar”.

“Kështu që, nëse çka tregon Nikollë Biba korrespondon me të vërtetën, ai ka të drejtë të denoncojë përpara gjykatësit pronarin e ndërmarrjes për qëndrimin që mban karshi tij vetëm pse nuk pranon që të përkrahë kultin fetar të Dëshmitarëve të Jehovait”, përfundon avokatja.

Keti Biçoku

Kuvendi miraton ligjin për “mbikëqyrjen elektronike”

Festat jashtë shtetit? Në Pragë hotelet më të shtrenjta