in

Topi: “Vetëm nëse do të zgjidhej nga populli do të kandidoja për president”

Presidenti Bamir Topi, duke folur në emisionin ‘Tonight’ të Ilva Tares ka deklaruar sërish se ai nuk do jetë president në vitin 2012, por do i kthehet politikës. Duke folur për 21 janarin, dhe fyerjet e akuzat e kryeministrit për qëndrimin e presidentit, Topi thotë: “Janë të papranueshme, por unë kam kujtesë të fortë”

Tiranë, 24 dhjetor 2011 – Presidenti Bamir Topi, ka thënë mbrëmjen e të premtes se do të rikandidonte për postin e Presidentit vetëm në rast se ai do të zgjidhej nga populli.

I ftuar në emisionin televiziv ‘Tonight’ të Ilva Tares, Topi tha se “gjithmonë ka qenë inkurajues i rotacioneve politike, pasi në një vend si Shqipëria që kalon tranzicion, gjithmonë ka nevojë për një qarkullim të elitave”.

“Në postin e presidentit do të vijë dikush tjetër. Do të ishte ndryshe, vetëm nëse ky post do të ishte një vendim i popullit. Për sa kohë kjo është një çështje që i takon partive politike le ta bëjnë sipas asaj formule që do ta zgjedhin Presidentin me një maxhorancë të thjeshtë. Opsioni që unë i referohem është ai i zgjedhjes së Presidentit nga populli”, tha Topi.

I pyetur mbi mundësinë e krijimit të një partie të re, Topi tha: “Sa kohë unë do të jem President do të jem në ushtrim të detyrës dhe kompetencave të Presidentit”. “E di që ka një frymë që diskutohet dhe përcillet, pasi nuk mund të bëjë rolin e njeriut që nuk dëgjoj dhe nuk shikoj. Por unë deri në korrik të vitit 2012 me vullnetin tim do të jem në zbatim të detyrimeve kushtetuese”, tha Topi. Presidenti mohoi kategorikisht të ketë pasur negociata me njerëz të Berishës për rolin e tij pasi të lërë detyrën ose për një mandat të dytë.

Topi nuk pranoi as të komentojë mundësinë e kandidimit të liderit historik të PS-së, Fatos Nano për postin e Presidentit. “Nga pozita që kam nuk mund të shprehem për asnjë kandidaturë”, tha ai.

Ndërkohë Topi tha se, Presidenti i ardhshëm duhet të jetë një njeri tolerant, konsekuent në zbatimin e rregullit të artë për atë pozicion, që është shkëputja nga interesat e partive dhe të jetë në mbrojtje të institucioneve të pavarura.

Lidhur me marrëdhëniet e tij me kryeministrin Berisha, Bamir Topi deklaroi se situata e krijuar për miratimin e ndryshimeve kushtetuese në vitin 2008, mund të ketë shënuar edhe pikën e ftohjes së marrëdhënieve të tyre. “Unë kam vlerësim për të gjithë kolegët e mi, pavarësisht se si vijnë rrjedhat dhe konjukurat politike. I takon gjithsecilit të bëjë një check up për veten e tij, për mënyrën e sjelljes dhe komunikimit”, tha Topi.

Kreu i Shtetit tha se, përfaqësuesit e maxhorancës dhe opozitës bënë ndryshimet kushtetuese pa u konsultuar në asnjë moment me Kryetarin e Shtetit. “Është e drejta e grupeve parlamentare të bëjnë ndryshimet kushtetuese, por ishte një detyrim që vinte nga pozicioni im kushtetues që këto ndryshime të konsultoheshin. Ndryshimet kushtetuese sollën edhe një atakim të drejtpërdrejtë të kompetencave të Presidentit, aq sa u diskutua edhe kundër reagimi ndaj dekreteve të Presidentit”, tha Topi.

Sipas Topit, në sajë të ndryshimeve kushtetuese, vendimmarrjet politike kanë ardhur duke u koncentruar në një vendimmarrje individuale të kryetarit të partisë.

Sipas tij, të gjitha problemet që lindin mes institucioneve kryesore shqiptare vijnë si rezultat i mungesës të komunikimit. “Pavarësisht nga emocionet e komunikimit, institucioni duhet të funksionojë ndaj marrëdhëniet kanë qenë tërësisht institucionale. Unë asnjëherë nuk kam ndryshuar, por i takon të tjerëve të thonë pse kanë ndryshuar. Unë nuk kam fyer asnjëherë kundërshtarët”, tha Topi.

Përsa i përket reformës zgjedhore, Topi tha se, pavarësisht njohurive relativisht të thella për sistemet zgjedhore, pasi ka qenë pjesë e komisioneve parlamentare për reformën zgjedhore, pozicioni aktual nuk i lejon të shprehet për llojin e sistemit zgjedhor. “E rëndësishme është që reforma të bëhet në kohë, pasi asnjëherë ligji për zgjedhjet nuk ka qenë i keq, por problemi qëndron te zbatimi”, tha ai.

Duke folur për 21 janarin, Topi tha se atë ditë kishte dhunë ndaj institucioneve, por edhe të vrarë. Ai tha se nuk e mblodhi Këshillin e Sigurisë pasi nuk kishte vullnet për të ardhur. “Këshilli i Sigurisë mblidhet kur ka një vullnet për të ardhur. Çdo anëtar duhet të ketë predispozicionin, urtësinë për të diskutuar. Aktorët politikë nuk kishin vullnet,” tha Topi.

I pyetur nëse do të pajtohej me Berishën, pasi ai është pajtuar edhe me Fatos Nanon, Topi tha: “Unë nuk jam një njeri që kam një mbiemër tjetër, ose më shumë se një mbiemër. Kam individualitetin tim, kam një memorie të fortë dhe nuk harroj kollaj. Gjuha kocka nuk ka, por kocka thyen. Gjuha komandohet nga truri”.

Presidenti tha se akuzat për puç shteti më 21 janar janë një absurditet: “Është një thënie plotësisht e papranueshme. Shqipëria është një vend me partnerë dhe qëndrimi realist ndaj kësaj ngjarje e kanë dhënë partnerët tanë më të rëndësishëm”.

Presidenti rrëfeu edhe gjëra të tjera, ai tha se atij nuk i kanë dërguar asnjë propozim për falje të dënuarish. Sa i përket ligjit për plehrat dhe sulmit të Berishës, Topi tha se nuk merr në konsideratë deklarata emocionale.

Prenotime me internet për Sportelin Unik të Imigracionit në Romë

Emigrantët kthehen për festa. Radhë në kufirin me shtetin grek