“Costa Crocere” dhe “MSC” kanë shprehur interesim e tyre për një bashkëpunim të drejtpërdrejtë në sektorin e lundrimeve me kroçera turistike
Tiranë, 24 dhjetor 2011 – Kalatat 7 dhe 8 në portin detar të Durrësit do të kthehen në një shesh ankorimi dhe pritjeje për anije të mëdha turistike.
Burime zyrtare të drejtorisë së Autoritetit portual, shpjegojnë se përfaqësues të lartë të agjencive të njohura “Costa Crocere” dhe “MSC” kanë mbërritur muajt e fundit në Durrës dhe kanë shprehur interesim e tyre për një bashkëpunim të drejtpërdrejtë në sektorin e lundrimeve me kroçera turistike.
Kalatat 7 dhe 8, që ndodhen pranë sheshit të trageteve do të jenë krejtësisht në dispozicion të ankorimit të krocerave me kapacitet 2.500-3.000 udhëtarë, shtuan burimet.
Që nga viti 2006 numri i kroçerave në portin më të madh të vendit ka ardhur duke u rritur. “Artania”, kroçera e fundit që ka mbërritur në portin detar më 11 nëntor të këtij viti, ka sjellë në vendin tonë 1.106 turistë, ndërsa kapaciteti mesatar i anijeve turistike që kanë mbërritur deri tani në portin detar arrin në 200-400 turistë gjithsej.
Ndërkaq përpunimi i mineraleve dhe qymyrit do të zhvendoset krejtësisht në kalatën 10, rikonstruksioni i plotë i së cilës do të përfundojë brenda disa muajsh. Thellimi i basenit dhe kanalit hyrës të portit që do të nisë vitin e ardhshëm do të ndihmojë lundrimin e kroçerave të mëdha turistike drejt Durrësit, thanë burimet portuale.