in

Nga 80 në 200 euro. Mbërrin taksa mbi lejet e qëndrimit

Goditje e rëndë për imigrantët: duhet ta paguajnë sa herë që kërkojnë lëshimin apo përtëritjen e dokumentit të qëndrimit. Vjen në fuqi nga 30 janari, do të shërbejë për të financuar dëbimet dhe veprimtarinë e sporteleve unike për imigracionin

Romë, 2 janar 2011 – Për të huajt në Itali, vitit 2012 fillon si mos më keq. Përveç taksave e shkurtimeve që do të vuajnë si të gjithë italianët për shkak të krizës, të huajve do t’u duhet të bëjnë hesapet edhe me taksën e re që duhet të paguajnë sa herë do të kërkojnë apo të përtërijnë lejen e qëndrimit.

E parashikuar nga ligji i sigurisë i 15 korrikut 2009, deri më sot kishte mbetur veç në letër, ndoshta edhe për shkak të shërbimit aspak efikas (për të marrë apo për të përtërirë një leje qëndrimi kalojnë muaj të tërë pritjeje). Por sot taksa është realitet, falë një dekreti të nënshkruar më 6 tetor 2011 nga ministrat e asokohe të Brendshëm dhe të Ekonomisë Roberto Maroni dhe Giulio Tremonti, dhe i mbërritur në Gazetën Zyrtare më 31 dhjetor 2011.

Shuma e “kontributit për lëshimin dhe përtëritjen e lejes së qëndrimit” ndryshon në bazë të kohëzgjatjes së lejes së qëndrimit: 80 euro nëse leja zgjat nga tre muaj deri në një vit, 100 euro për lejet me kohëzgjatje mbi 1 vit deri në dy vjet dhe 200 euro për “lejet e qëndrimit BE për qëndruesit afatgjatë”, e njohur ndryshe si karta e qëndrimit. Këto shuma u shtohen kontributit prej 27,50 eurosh për lëshimin e lejeqëndrimit elektronik dhe 30 eurove që marrin Postat italiane për shërbimin.

Taksa e re nuk do të prekë lejeqëndrimet e të miturve, përfshirë ata që vijnë me bashkim familjar. Nuk paguajnë as të huajt që hyjnë në Itali për t’iu nënshtruar kurave mjekësore dhe familjarët e tyre, as kërkuesit e azilit, të mbrojtjes humanitare. Kontributi nuk prek as ata që kërkojnë përditësimin e të dhënave apo konvertimin e një lejeqëndrimi të vlefshëm.

E ç’do të bëjë shteti me këto para? Gjysma do të shërbejë për financimin e “Fondit për Riatdhesimet”, me rezultatin (e çuditshëm) që imigrantët e rregullt do të paguajnë për dëbimet e klandestinëve, ndërsa gjysma tjetër do t’i shkojë ministrisë së Brendshme për shpenzime të rendit publik dhe të sigurisë, për të financuar sportelet unike dhe aktualizimin e marrëveshjes së Integrimit.

Risia vjen në fuqi më 30 janar. Kush ka një lejeqëndrim që po i skadon, bën mirë të kërkojë përtëritjen para kësaj date, për t’i shpëtuar taksës, të paktën këtë radhë.

Elvio Pasca

 

Shkarko Dekretin

Mbi 200 euro për të marrë kartën e qëndrimit

Daniela Meçaj. Nga fotografia te vera