in

Pas festave emigrantët kthehen në vendet ku punojnë

Prej dy ditësh ka nisur fluksi në kah të kundërt në pikat kufitare me Greqinë e në portet e Durrësit e të Vlorës

Tiranë, 3 janar 2012 – Vijon prej 2 ditësh fluksi i udhëtarëve drejt Greqisë në pikën doganore të Kapshticës.

Një numër i madh emigrantësh që po kthehen në Greqi pas kalimit të festave të fundvitit në atdhe kanë hasur vështirësi në dalje të pikës kufitare të Kapshticës, për shkak të numrit të vogël të sporteleve të palës greke. Fluksi i madh u udhëtarëve nuk përballohet nga 3 sportelet, 2 në hyrje e 1 në dalje që u hapen në anën greke të kufirit duke shkaktuar kështu një varg të gjatë makinash dhe pasagjerësh në tokën shqiptare dhe atë neutrale.

Pala shqiptare e pikës kufitare po vijon prej 2 ditësh punën me 9 sportele. Për të përballuar situatën, pala shqiptare nisi sot paradite dhe një takim me homologët grekë me qëllim shtimin e numrit të sporteleve.

Menjëherë pas takimit, rreth orës 13:00, grekët vendosën të shtojnë edhe 2 sportele, duke çuar numrin në 5 numrin e sporteleve në funksionim. Pavarësisht kësaj, për gjithë ditën e sotme ka pasur radhë të gjata me udhëtarë që presin të dalin nga Shqiperia. Në këtë pikë kufitare për rreth 24 orë kanë dalë rreth 4.500 emigrantë, por ka pasur edhe 1.700 hyrje.

Ndërkohë mbi 4.500 emigrantë dhe 1.200 atuomjete kanë lëvizur  sot drejt Greqisë deri në orën 14 edhe përmes vendkalimit kufitar të Kakavijë, njofton policia kufitare e Gjirokastrës. Madje, në orët në vazhdim numri i emigrantëve që udhëtojnë drejt Greqisë është rritur.

Aktualisht, në Kakavijë funksionojnë shtatë sportele shqiptare, katër në dalje dhe tre në hyrje, ndërsa pala greke punon me tre sportele në hyrje dhe dy në dalje.

Mbrëmjen e 2 janarit ka nisur edhe nga porti i Durrësit rikthimi masiv i emigrantëve shqiptarë, që kaluan festat e fundvitit pranë familjeve të tyre në vendin tonë, Kosovë dhe Maqedoni.

Burime zyrtare nga drejtoria rajonale e policisë së kufirit dhe migracionit, bënë të ditur se vetëm gjatë natës së kaluar janë nisur me tragete nga Durrësit drejt Barit mbi 2.500 udhëtarë me rreth 600 autovetura.

Përpunimi i udhëtarëve në pikat e kontrollit kufitar nuk ka pasur probleme, ndërsa tragetet kanë lundruar normalisht nga Durrësi drejt brigjeve italiane.

Sot në mbrëmje rreth orës 19.00 një traget është nisur drejt Ankonës, ndërsa tre të tjerë po nisen para mesnate në drejtim të portit të Barit. Nga të dhënat e përftuara në bashkëpunim me agjencitë e lundrimit, numri i udhëtarëve që po nisen vetëm sot drejt Italisë arrin në 3 mijë me rreth 800 automjete gjithsej.

Pas mbërritjes në Itali, një pjesë e udhëtarëve shqiptarë vazhdojnë më tej udhëtimin në rrugë tokësore drejt vendeve të tjera të Bashkimit Europian ku ata jetojnë dhe punojnë prej vitesh.

Shteti italian mund të fitojë tre miliardë në vit nga legalizimi i imigrantëve

100 telefonata ish të dashurës natën e Vitit të Ri. Arrestohet për stalking