Ministri i Brendshëm Cancelieri e ai i Integrimit Riccardi: “Nevojitet një reflektim i thelluar dhe një vlerësim i kujdesshëm. Kontributi duhet moduluar në varësi të të ardhurave”. Lega: “Të mos guxojnë ta heqin”
Romë, 4 janar 2012 – Ministri i Brendshëm Annamaria Cancellieri dhe ministri për Kooperimin ndërkombëtar dhe Integrimin Andrea Riccardi kanë vendosur të bëjnë një reflektim të thelluar dhe një vlerësim të kujdesshëm mbi kontributin për lëshimin e përtëritjen e lejeve të qëndrimit të imigrantëve të rregullt të pranishëm në Itali, të parashikuar nga një dekret i 6 tetorit 2011 dhe që do të hyjë në fuqi në fund të janarit”.
“Në veçanti – lexohet në komunikatën e përbashkët të lëshuar nga zyra e shtypit e ministrisë së Brendshme – në një moment krize që godet jo vetëm italianët por edhe punonjësit e huaj të pranishëm në vendin tonë, duhet verifikuar nëse aplikimi i kontributit mund të modulohet në bazë të të ardhurave të punonjësit të huaj dhe të përbërjes së familjes”.
“Ashtu siç kishim thënë edhe gjatë betejës sonë parlamentare, bëhet fjalë për një taksë të urryer, fryt i manisë së persekutimit ndaj imigrantëve” komenton Livia Turco, përgjegjëse e Forumit të Imigracionit të PD-së.
“Vlerësojmë vullnetin e ministrave Cancellieri e Riccardi për të rishqyrtuar atë taksë të urryer – vazhdon Turco – por theksojmë që e vetmja zgjidhje vërtet e drejtë do të ishte heqja e taksës në mënyrë që edhe imigrantët të paguajnë aq sa italianët për praktikat burokratike të zakonshme”.
Nuk dorëzohen legistët. “Do të vigjilojmë që qeveria Monti të mos heqë kontributin e kërkuar personave që duan lejen e qëndrimit, kontribut i detyrueshëm për ngarkesën e madhe administrative që administrata publike duhet të bëjë për lëshimin e dokumentit të qëndrimit apo për ta përtërirë atë” deklaron në një komunikatë nënkryetari i senatorëve të Legës Sandro Mazzatorta.
Shqiptari i Italisë