Nga 4000 maturantë shqiptarë që çdo vit largohen nga Shqipëria drejt universiteteve të huaj, mëse gjysma zgjedh Italinë, ku kushtet e studimit janë më të këqijat dhe mungon çdo ndihmë nga shteti. Ku janë, pse zgjedhin Italinë, si i sigurojnë të ardhurat, sa prej tyre i përfundojnë studimet e mbi të gjitha, a do të kthehen në atdhe?
Çdo vit largohen nga Shqipëria drejt universiteteve të huaj mëse 4000 studentë të sapodalë nga matura shqiptare. Prej këtyre, më shumë se gjysma vijnë në Itali. Janë ëto shifrat që raporton UNDP Albania për vitet e fundit. Pasi kanë dorëzuar morinë e shkresave dhe garancive që të bindin autoritetet italiane se qëllimi i vetëm e ekskluziv i transferimit të tyre në Itali, është studimi universitar, studentët shqiptarët që sapo kanë mbushur moshën madhore, katapultohen në ambientin e ri universitar, mes mijëra problemesh që ndajnë me kolegët e tyre italianë dhe të tjera që kolegëve të tyre vendas as nuk u shkojnë nëpër mend.
Më së shumti ata gjenden në universitete më të njohura, që gëzojnë më shumë prestigj edhe në Shqipëri si Roma la Sapienza, Milano, Bologna e universitete të ndryshme të veriut.
Përbëjnë një të katërtën e gjithë studentëve të huaj që frekuentojnë universitetet italiane. Dhe janë të parët në numër ndër gjithë të huajt. Më pas i ndjekin grekët e rumunët të cilët mbeten megjithatë të paktë në numër. Kështu universitetet italiane ngjajnë si ambiente dy-ngjyrëshe të dominuar nga vendasit, dhe ku sinonimi i të huajit është ekskluzivisht studenti shqiptari, ndërsa mbeten ende të papërfillshëm të huajt evropianë që vijnë për Erazmus. Mjafton një shëtitje e thjeshtë nëpër qytetet universitare, dhe korridoret e fakulteteve më të populluara për të dëgjuar gjerësisht të flitet shqip, në grupe të vogla të rinjsh që japin e marrin mes kaosit të zakonshëm.
Ndërsa Italia është duke humbur gjithmonë e më shumë sharm në opinionin e përgjithshëm nw Shqipëri, studentët shqiptarë vazhdojnë të vinë të shumtë në universitetet italiane. Kjo natyrisht siç nënvizojnë studime të ndryshme, sepse Italia është afër, dhe lidhjet infrastrukturore me Shqipërinë as nuk mund të krahasohen me ato që mund të jenë në Francë, Britani, apo Gjermani. Për një pjesë të mirë njohja e gjuhës dhe pjesërisht edhe kulturës italiane, është një shtysë më tepër që bën të ndërmerret rruga më e shkurtër. Të gjithë synojnë me sforcimin më të vogël të arrijnë kështu një arsimim më të mirë se sa ai që mund tu ofrohet nëpër universitetet shqiptare që dergjen prej vitesh në një situatë të pashpresë mes problemesh të vjetra e të reja. Në historinë e studentëve shqiptarë që frekuentojnë universitetet italiane, vetëm faza fillestare ka qenë ajo kur në Itali mbërrinte vetëm la crčme e maturantëve, tashmë studenti shqiptar në Itali është pjesë e një kampioni gjithëpërfshirës të gjithë niveleve që gjenden në Shqipëri. Gjenden natyrisht më brilantët, gjenden të mesmit, por gjenden edhe shumë prej atyre që nuk kanë mundur të kalojnë konkurset e pranimit në universitetet shqiptare.
Pikërisht kriteri i regjistrimit kushtëzon shpesh edhe zgjedhjet e fakulteteve, që madje nuk janë shumë të ndryshme as nga prirjet që shqiptarët tregojnë në atdhe. Kështu studiojnë më shumë Ekonomi, Juridik, dhe Shkenca Politike, më pas Mjekësi e Filologji, ndërsa në vend të fundit për numrin e të regjistruarve është arkitektura. Kjo shpërndarje ka të bëjë natyrisht me bindjen e përhapur në Shqipëri për profesionet më të dobishme, si ekonomia dhe juridiku “që ha bukë në çdo kohë” por edhe nga pavarësia në studim që për disa perceptohet si lehtësi relative e këtyre fakulteteve.
Edhe pse studentët shqiptarë për vitin 2006/2007 ishin 11.415, duke përbërë numrin më të madh të studentëve të huaj, nuk janë po ashtu më të shumtët në numër për sa i përket diplomimeve. Rezulton se në vitin 2006 kanë arritur të diplomohen vetëm 883 studentë, duke përbërë vetëm 17% të gjithë të studentëve të huaj. Shqiptarët sipas gjasave kanë vështirësi në diplomim. Arsyet e këtij rezultati, edhe pse studimet e ndryshme në këtë drejtim nuk kanë analizuar thellë problemin kanë të bëjnë sigurisht me vështirësitë objektive të të jetuarit dhe studiuarit në Itali. Një pjesë e mirë e studentëve shqiptarë kur gjenden në sistemin universitar italian, përballen me një strukturë kaotike, krejt të ndryshme nga ajo shqiptare ku kontrolli dhe kontakti i drejtpërdrejtë didaktik jep një shtysë të fortë për përparimin në studime dhe natyrisht përfundimin e tyre në kohë.
Vështirësitë e një studenti të huaj në Itali nuk mbarojnë me sferën e studimit, veçanërisht kur bëhet fjalë për studentë jo-komunitarë që vijnë nga vende që e kanë PBB-në shumë më të ulët se Italia. Një pjese të mirë të studentëve shqiptarë në Itali u duhet të mendojnë vetë për mbulimin ekonomik të jetesës së tyre dhe kjo në një shtet ku në arsim investohet shumë pak dhe mbështetja sociale për të rinjtë është praktikisht zero krahasuar me politikat më se të favorshme që aplikojnë vende si Gjermania apo Franca. Një pjesë e mirë e shqiptarëve arrijnë të përfitojnë bursa studimi, kriteret e përfitimit të të cilave nuk janë të pamundura për një student të mesëm me të ardhura të ulëta, por sasia e bursës është qesharake dhe aspak e bazuar në shpenzimet reale të qyteteve të mëdha studentore. Në të tilla kushte një pjesë e mirë e studentëve e gjejnë veten të katapultuar në botën e punës, më së shumti të punës së pakualifikuar e në të zezë, të keqpaguar ku u takojnë të heqin të njëjtat peripeci që tek e fundit heqin gjithë bashkëmoshatarët e tyre që jetojnë në Itali, pa përjashtuar as vetë italianët.
Një makth kronik i studentëve shqiptarë, që i shoqëron që sapo kanë mbërritur në qytetet universitare e deri në fund të shkollimit të tyre, është gjetja e një banese. Një pjesë e mirë e shqiptarëve mbërrijnë në Itali me idenë se ashtu siç ndodh rëndom në Shqipëri do të sistemohen nëpër konviktet e posaçme universitare, por ndryshe nga Shqipëria e pjesa tjetër e Evropës, të tilla infrastruktura në Itali janë një përjashtim vetëm për qytete të vogla universitare, për pjesën tjetër ato kanë humbur me kohë kuptim. Por strukturat e pakta studentore që ekzistojnë përgjithësisht arrijnë të përfitohen nga shqiptarët në sajë të të ardhurave të pakta që deklarojnë. Madje nuk kanë qenë të pakta rastet e fundit kur gazetat universitare si “Studenti” dhe “Ateneo” kanë denoncuar faktin që konviktet në zhargonin universitar quhen “Casa Albania” në vend të “Casa dello studente” për shkak të pranisë masive të studentëve shqiptarë në to. Por vetëm një pjesë e vogël e tyre arrijnë vërtetë të sistemohen nëpër konvikte, pjesës tjetër i duhet të kërkojë shtëpi në të zezë, me bashkëmoshatarë shpesh italianë të cilëve fjala “shqiptar” u tingëllon e njohur që nga kohërat e errëta kur për shqiptarët buçiste përditë propaganda e kronikës së zezë. Kështu kërkimi i shtëpisë kalon përmes shumë refuzimesh, të cilat për solidaritet në fatkeqësi i pësojnë edhe erazmusët gjermanë apo francezë, sepse italianët “nuk duan të huaj” në shtëpi. Por duhet thënë se të rinjve shqiptarë sot nuk u takon të heqin të njëjtin fat që u ka takuar paraardhësve të tyre të viteve ’90. Imazhi negativ i shqiptarëve nuk përbën më aktualitet, por nëpër universitetet italiane mosbesimi reciprok, i shqiptarëve që dinë se mund të ndeshen me paramendime të trashëguara nga e kaluara, dhe paaftësia për të krijuar marrëdhënie me ata që janë të ndryshëm e të huaj, që përgjithësisht karakterizon rininë italiane edhe në metropolet ë të rrahura nga shumëkulturësia, sjellin një komunitarizim të shqiptarëve, që shoqërizojnë në mënyrë shumë të ngjashme me atë të bashkëmoshatarëve e tyre në Tiranë, duke zhvilluar shoqëritë brenda- shqiptare, dhe frekuentime të shpeshta ku spikat riti i kafesë së gjatë ballkanase bareve të universiteteve. Komunitarizmi relativisht i fortë midis studentëve shqiptarë është në një farë mënyre tregues i faktit se lidhjet me Shqipërinë e kulturën shqiptare vazhdojnë të jenë të forta e identifikuese.
Një kontingjent i tillë është një potencial premtues për Shqipërinë e së ardhmes nëse një ditë këta studentë do të kthen në atdhe. Sipas një studimi të zhvilluar nga UNDP Albania , rreth 46% e studentëve shqiptarë të anketuar në Itali, Francë dhe ShBA, mendon të kthehet në Shqipëri pas studimeve. Vështirësitë e hyrjes në botën e punës në Itali, mundësitë për punë transnacionale, bashkëngjitur rritjes ekonomike që po përjeton Shqipëria, gjë që ngjall optimizëm në shumë studentë të brezave më të rinj do të bëjnë me siguri që numri i atyre që do të kthehen do të jetë më i lartë.
Nga Marjola Rukaj, dhjetor 2008
Studentët shqiptarë në universitetet italiane
viti akademik shqiptarë gjithsej
2003-2004 8.257
2004-2005 9.552
2005-2006 10.543
2006-2007 11.415
Studentë shqiptarë të regjistruar në vitin e parë
2003-2004 2.508
2004-2005 2.437
2005-2006 2.284
2006-2007 2.232