Historia e një fëmije të lënë pas dore. E ngjizur nga qendra e djathtë në verën e 2009-tës, taksa do të vijë në fuqi vetëm në fund të muajit, kur Maroni e Tremonti nuk janë më në qeveri. Por nëse PdL dhe Lega e kishin kaq për zemër, pse nuk e miratuan më parë?
Romë, 5 janar 2011 – Fajtorët janë gjithnjë të njëjtët, Maroni dhe Tremonti, që nën ligj kanë vënë edhe firmën, por qeveria e re rrezikon të bëhet bashkëfajtore e nderuar.
Mirë se të vijë revizioni i “kontributit për lëshimin dhe përtëritjen e lejes së qëndrimit” i lajmëruar më 4 janar nga ministri i Brendshëm Cancellieri dhe ministri i Integrimit Riccardi, edhe pse një vlerësim objektiv ka nevojë për modifikimet efektive. Në fakt do të jetë e vështirë për t’u kapërdirë çdo euro më shumë, se të tanishmet 70, që do të paguajnë emigrantët për një shërbim që padyshim lë për të dëshiruar.
Historia e kësaj takse është ajo e një bije të lënë pas dore, për të cilën turpërohesh. Që gjatë diskutimit të ligjit të sigurisë që e ngjizi në verën e vitit 2009 (por pa e sjellë menjëherë në jetë) u bë një nga pikat më të kritikueshme, por ndoshta binte disi në hije nga propozimet e tjera legiste si ai që pretendonte që mjekët të denonconin pacientët klandestinë apo tjetri që drejtorët e shkollave të gjurmonin bijtë e klandestinëve në institutet shkollore.
Mjekët dhe mësuesit spiunë mbetën fatmirësisht vetëm propozime, por ligji i miratuar përfundimisht nga qendra e djathtë futi një nen të ri në Tekstin Unik për imigracionin që thotë: “Kërkesa e lëshimit dhe e përtëritjes së lejes së qëndrimit i nënshtrohet derdhjes së një kontributi, me shumë nga 80 euro në 200 euro të përcaktuar me dekret të ministrit të Financave dhe të Brendshëm, dekret që përcakton gjithashtu edhe mënyrën e pagesës”.
E më pas heshtje e plotë. Qoftë nga ministria e Brendshme, qoftë nga ajo e Financave. Për më shumë se dy vjet, ndërsa Gjykata kushtetuese hidhte poshtë një pjesë të mirë të risive të sjella në jetë nga Maroni &Co., ndërsa vepra penale e klandestinitetit e tregonte veten përditë e më shumë se ishte veç gogoli që po bllokonte gjithnjë e më keq sallat e gjykatave, dekreti i ministrive nuk doli në dritë. Dhe taksa e re mbeti veç në letër.
Nuk ishte e vështirë të shkruheshin detajet. Mjaftonin disa nene për të përcaktuar shumat dhe mënyra pagesës së kontributit të ri. “Ende asgjë” përsërisnin deri pak muaj më parë teknikët e dy ministrive, duke lënë të kuptohej se nuk kishte ndonjë presion të madh politik për të përfunduar punën e nisur.
Ndoshta pritej që makina burokratike e lejeve të qëndrimit të funksiononte më mirë. Por ndërkaq, 20 ditët e parashikuara nga ligji për lëshimin e dokumenteve të qëndrimit, kanë mbetur edhe sot e kësaj dite një objektiv i paarritshëm, aq sa të mos justifikojnë as 72,12 eurot që paguajnë rregullisht imigrantët (pullë-taksë 14,62 euro + kosto e dokumentit elektronik 27,50 euro + komisioni postar 30,00 euro).
Më 6 tetor 2011, kur qeveria ishte në agoni dhe Berlusconi grindej me Tremontin, ministri, bashkë me kolegun Maroni, gjeti kohën për të firmosur dekretin që kthen në realitet barrën e re. Por është e çuditshme që ajo firmë nuk u reklamua fare, ndryshe nga ç’ndodhte për çdo ndërhyrje tjetër të stërproklamuar mbi imigracionin. Duhet të mendojmë se taksa ishte kthyer në një patate të nxehtë edhe për ata që e kishin ideuar?
E arrihet kështu në heshtje deri të shtunën më 31 dhjetor. Dhurata që qeveria Berlusconi kishte për vitin 2012 për imigrantët, mbërrin në Gazetën Zyrtare, kur në Pallatin Chiggi është një ekzekutiv i ri e kur familjet përgatiten për të festuar Vitin e Ri. Është ditë e fundit e vitit dhe të nesërmen nuk del asnjë gazetë. Të jetë rastësi që një mase kaq të rëndësishme, t’i mohohet publiciteti në media?
Por të hënën më 2 janar bomba plas. PdL dhe Lega heshtin, pjesa tjetër e Italisë zemërohet. Qeveria Monti zbulon “trashëgiminë” e padrejtë dhe të helmatisur që do t’i duhet të administrojë dhe provon ta korrigjojë. Vetëm në këtë pikë PdL dhe Lega zgjohen, nxehen dhe mbrojnë bijën që deri dje kishin harruar se kishin: por kur atë taksë e kishin kaq për zemër, pse nuk e sollën në fuqi më parë?
Elvio Pasca