Rrugët dhe rrugicat e Durrësit përbëjnë një tërheqje të madhe për turistët e huaj, por ato mund të ngacmojnë edhe më shumë vizitorët shqiptarë nga qytete të tjera, të cilat i kanë njohur ato edhe përmes filmave të xhiruar në vitet 1960-1980.
Monumentet arkeologjike dhe historike të qytetit antik ndodhen kryesisht në lagjen Kala, si dhe në pjesën qendrore të Durrësit, aty ku qyteti zhvillohet që prej 3 mijë vjetësh, pavarësisht nga shkatërrimet që kanë sjellë pushtimet dhe tërmetet e herëpashershme.
Eksperti i turizmit, Tasim Besho, thotë se “në rrugicat që ndodhen pranë kishës “Shën Luçia”, në rrugën Tregtare, si dhe pranë mureve të kalasë mesjetare janë realizuar mjaft filma të Kinostudios “Shqipëria e re”, të cilët me gjithë ngarkesat ideologjike janë një tërheqje, që mund të shfrytëzohet veçanërisht për vizitorët vendas”.
“Që në vitin 1959 në Durrës është xhiruar një nga filmat e parë shqiptarë “Furtuna”, i regjisorit Kristaq Dhamo dhe operatorit Sokrat Musha, në bashkëpunim me kineastët rusë”, thotë regjisori i varietesë Gjergj Vlashi. “Pjesa më e madhe e xhirimeve me personazh kryesor aktorin Mario Ashiku janë realizuar pranë rrugës Tregtare, madje krahasuar me pamjet filmike ndihen edhe ndryshimet, që kanë ndodhur vitet e fundit. Diku një rrugicë e mbyllur nga një ndërtim, diku tjetër reklamat që kanë bllokuar fasadat, por përgjithësisht në këtë zonë qyteti ka pasur më pak ndryshime” vijon Vlashi, i cili mbështet idenë e vendosjes së fotove nga filmat apo i shënimeve të shkurtra me të dhëna për xhirimet e 50 viteve më parë.
Më pas në Durrës janë xhiruar filmat “Oshtimë në bregdet” (1966), “Duel i heshtur” i Dhimitër Anagnostit (1967), apo “Horizonte të hapura” (1968).
Në të gjithë këta filma që transmetohen rregullisht nën siglën “Nostalgjia” të kanaleve digjitale shihen pamje të Durrësit të vjetër, i cili ka mbetur në memorien e durrsakëve, por edhe të vizitorëve që disa dekada më parë kanë qenë të vegjël apo të rinj.
“Rrugicat që kërkonin diell”, “Cirku në fshat”, “Nusja dhe shtetrrethimi”, “Ditët që sollën pranverën”, “Skëterrë ‘43” dhe “Tinguj lufte” janë xhiruar në pjesë të ndryshme të qytetit, të cilat gjithashtu mund të vendosen në itinerarin turistik të filmave artistikë, të xhiruar në qytetin bregdetar deri në vitin 1982.
Besho thotë se “fatmirësisht një pjesë e rrugicave të lagjes “Kala”, në të dy anët e rrugës Tregtaren janë shtruar 5-6 vjet më parë me kalldrëm të imituar, duke evidentuar më mirë fasadat e vjetra të shtëpive 100-vjeçare si dhe hijeshinë e lulevarëseve mbi to”.
“Shpeshherë xhirimet e një filmi bëhen shkak për nxitjen e turizmit në një qytet siç ka ndodhur me qytetin e Portofinos në Itali, apo siç ndodhi me qytezën, ku një vit më parë xhiroi filmin “Benvenuti al sud” aktori i njohur italian Claudio Bisio”, shprehet operatori Tristan Sherifi, i cili mendon se një projekt i organizuar me kujdes mund të rikthejë edhe traditën e shitjeve të suvenireve në rrugicat e qytetit, një traditë krejtësisht mesdhetare dhe që nxitet në qytetet e vendeve fqinje.
“Kohët e fundit në qytetin e Durrësit janë vendosur edhe tabelat me emërtesat e reja të rrugëve dhe kjo është një mënyrë e mirë për të promovuar edhe emrat e rinj në pjesën historike të qytetit të Durrësit”, përfundon operatori Tristan Sherifi.
Gëzim Kabashi