in

Nga 1 marsi, të gjithë me pasaporta biometrike

Sipas ministrisë së Brendshme edhe  kush e ka marrë pasaportën jo biometrike nga fillimi i vitit 2009 është i detyruar që brenda 1 marsit 2012 ta ndërrojë

Romë, 9 janar 2012 – Më 6 janar, mbërrin zyrtarisht një lajm që qarkullonte që më datë 3: “afati i fundit i përdorimit të pasaportës së vjetër për jashtë shtetit (jo biometrike) dhe nxjerrja e saj jashtë funksionit, do të jetë 1 marsi i këtij viti”. E dha me një komunikatë për shtyp zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme, Fatmir Konja.

Në 20 vjet tranzicion shqiptarët kanë ndërruar katër plot katër pasaporta, nga viti 1991 kur shumë prej shqiptarëve kanë marrë pasaportën e tyre të parë e deri më sot kur qeveria kërkon të pajisë të gjithë me pasaportën e re biometrike, kur edhe vetë Europa nuk i ka të gjithë shtetasit e saj me këtë lloj dokumenti. Por Shqipëria ecën me hapa më të shpejtë… Edhe pse është e vërtetë që për arsye sigurie, nga liberalizimi i vizave përfitojnë vetëm shtetasit e pajisur me dokumentin e ri, kjo nuk do të thotë që shteti të  abuzojë e të detyrojë shtetasit e tij të ndërrojnë pasaportat edhe kur ato janë ende të vlefshme për shumë vjet (ka nga ata që kanë marrë pasaportën e fundit jo biometrike në vitin 2009, që do të thotë se e kanë të vlefshme akoma për shtatë vjet të tjerë), dhe e kanë paguar me çmim të plotë.

E kështu, me propozim të ministrit të Brendshëm Nishani, qeveria duket se ka vendosur që pasaportat jo biometrike të dalin nga qarkullimi më 1 mars 2012. I pakuptueshëm mbetet fakti që qeveria lajmëron vetëm në 6 janar për nxjerrjen jashtë qarkullimit të pasaportave jo biometrike pas vetëm 50 ditëve.  Në faqen zyrtare online të Këshillit të Ministrave nuk gjendet ende vendimi i qeverisë për shfuqizimin e pasaportave të vjetra, edhe pse është një vendim që prek personalisht mijëra shqiptarë, veçanërisht ata që jetojnë jashtë atdheut. E pra një vendim i tillë, edhe pse për shumëkënd i padrejtë, mund të merrej edhe para një viti duke u dhënë kohë të gjithëve të pajiseshin me të renë. Por u ndoq një tjetër taktikë: ato muajt e parë të aplikimit për pasaportat e reja biometrike u hap fjala që të vjetrat do të nxirreshin nga qarkullimi në fund të vitit 2010. Zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme shqiptare, Fatmir Konja, në përgjigje të pyetjeve të Botës Shqiptare, në një mail drejtuar redaksisë më 7 shkurt 2009 shkruante: “Përsa i takon pajisjes me pasaportë biometrike, afati i vetëm është viti 2011 kur skadojnë pasaportat aktuale”. Zëvendësministri i Brendshëm Ferdinand Poni në një intervistë dhënë ATSh-së më 2 shtator 2010, mes të tjerash pohonte: “Liberalizimi i vizave në fund të këtij viti për Shqipërinë përkon dhe me afatin e skadimit të pasaportave aktuale për jashtë shtetit. Pavarësisht kohës së skadimit të tyre, nga data 1 Janar 2011, ato  nuk do të jenë më të vlefshme dhe kjo është dhe kërkesë e Bashkimit Europian. Për të mos u ndodhur në kushtet e emergjencës, qytetarët shqiptarë duhet të aplikojnë për t’u pajisur me këtë dokument”.

Por ndërkaq, asnjë vendim qeverie apo ligj përcaktonte një datë të saktë. Vetëm një ligj i 22 korrikut 2010 fliste mbi mundësinë e përcaktimit të një date për nxjerrjen nga qarkullimi të pasaportave jo biometrike nga qeveria: në paragrafin e parë të nenit 9 të ligjit nr. 10.306 (të datës 22.07.2010), nen “dispozitash kalimtare” parashikohej: “Pasaportat e vlefshme jo biometrike mund të nxirren nga qarkullimi përpara mbarimit të afatit të vlefshmërisë me vendim të Këshillit të Ministrave”.

Më pas u tha se nuk ekzistonte asnjë skadencë më 1 janar 2011, se ishin të gjitha thashetheme.

Ndërkaq nga zyra konsullore e ambasadës sonë në Romë gjatë vitit të shkuar, kujt pyeste nëse duhet të aplikonte edhe pse kishte pasaportën të vlefshme akoma për shumë kohë, përgjigjeshin: “Duhet të aplikoni sa më shpejt pasi me pasaportat e vjetra nuk do të mund të udhëtoni më vitin e ardhshëm”. Për të sqaruar këtë çështje, në shtator të vitit të shkuar Ambasadori i Shqipërisë në Romë, Llesh Kola siguroi redaksinë se deri në atë çast asnjë ligj nuk parashikonte nxjerrjen jashtë qarkullimit të pasaportave jo biometrike, dhe se do të ishin të vlefshme deri në skadencën e tyre të natyrshme.

Sot, në ambasadën shqiptare në Romë thonë për shqiptariiitalise.com se ende nuk kanë një lajmërim zyrtar, se ashtu si gjithë të tjerët, dinë vetëm lajmin e botuar në faqen on-line të ministrisë së Brendshme.

Por gjithsesi lajmi nuk duket se është “thashethem”. E vetmja shpresë për shqiptarët e Italisë që kanë pasaportat jo biometrike mjaft të reja për t’i quajtur “të vjetra” është që edhe këtë radhë, ashtu siç u bë për letërnjoftimet elektronike, qeveria të parashikojë një afat më të gjatë vlefshmërie për një të tretën e shtetasve që jetojnë jashtë kufijve të Shqipërisë.

Keti Biçoku

Kexo edhe: Pasaportat jobiometrike skadojnë më 1 mars 2012

Konsullata italiane në Gjirokastër. Një sërë shërbimesh për komunitetin e biznesin

“Amnistia” e Alimanit në kinemanë e Muzeut të Artit Modern në Nju Jork