in

Zija Saraçi. Mall për skenat shqiptare

Artisti i 120 këngëve të kënduara në skenat shqiptare është rikthyer në Shqipëri pas një periudhe të gjatë në Firence. Ai ka nisur të këndojë në piano-baret e Durrësit dhe Tiranës, por është i bindur se shumë shpejt do të ngjitet në skenë

Zija Saraçi, këngëtari i njohur i festivaleve të muzikës së lehtë, që për shumë vite ka jetuar në Firence, i është rikthyer skenës së teatrit “Aleksandër Moisiu” të Durrësit pas gati 22 vjetësh. Gjatë një ceremonie dekorimi fundvitin e kaluar, Saraçi ka hyrë në skenë me tingujt e “Këngës së marinarit”, ndoshta më e njohura në repertorin që përmbledh bashkë me këngët e autorëve të tjerë, edhe krijime të atij vetë. Ka fituar duartrokitjet e bashkëqytetarëve, të cilët e kanë parë të formohet si artist dhe që prej shumë vitesh dinin pak për jetën e tij. 

“Më kanë dhënë kënaqësinë më të madhe gjatë atyre viteve”, do të shprehej ai kur notat e këngës së deteve dhe oqeaneve do t-ia linin vendin përgëzimeve të spektatorëve. Duket si prelud i një ringjalljeje për një nga zërat më interesantë të viteve 1970-1980, atëherë kur muzika e lehtë ishte një nga mënyrat e pakta të argëtimit për dëgjuesit, por që mund t’u kushtonte shtrenjtë krijuesve dhe interpretuesve të saj.

Rikthimi, ëndrra më e bukur

Zija Saraçi ka mall për skenën; ka mall edhe për spektatorët dhe është i bindur se do të jetë shumë shpejt mes tyre. Megjithëse ka hyrë në dekadën e shtatë të jetës, interpretuesi i njohur e ka shpallur sfidën e tij: të këndojë përsëri para publikut shqiptar, duke hedhur tej ndrydhjen dhe vetëpërmbajtjen e shekullit të shkuar. Saraçi është përgatitur të këndojë në një spektakël të madh, jo vetëm këngët e hershme të festivaleve dhe anketave muzikore, por të shpalosë faqet më të bukura të muzikës italiane, spanjolle e angleze, e mbi të gjitha edhe krijimtarinë e tij të viteve të fundit, kompozuar, orkestruar dhe kënduar në Itali.

Në një intervistë për ATSH-në, Zija Saraçi tregon kontaktin e parë me skenën, në vitin e largët 1966, atëherë kur bashkëmoshatarët e tij e njihnin si “zhdoganuesin” e këngëve të huaja; kur këngëtarët italianë Luciano Tajoli dhe Claudio Villa ishin idhujt e tij lirikë; kur nga festivali i këngës së Durrësit, do të ngjitej më pas në skenat e Festivaleve në RTVSH; kur do të kujdesej që përballë kamerave asgjë të mos dilte jashtë kornizave.

Po aq ka vuajtur në vitet 1990 kur ka hasur në indiferencën e institucioneve dhe kur mbështetja e tij e vetme në ditët e vështira është bërë familja, e shoqja Valentina dhe dy djemtë Barti dhe Maresteli. Vitet e kaluara në Firence kanë qenë të ngjeshura me punë, e cila e ka rritur profesionalisht, por i ka dhënë edhe kënaqësinë e të kënduarit përkrah bashkatdhetarëve dhe për ta. Shumë shpejt pas mbërritjes në Firence, Saraçi bëhet pikë referimi për artistët shqiptarë që jetojnë e punojnë në krahinën e Toskanës. Këngëtari i detit zgjidhet unanimisht president i Shoqatës së shkrimtarëve dhe artistëve shqiptarë dhe vitet e Zija Saraçit duket sikur numërohen mbrapsht. Ai e ndjen vetën më të ri dhe kërkon provën e kontaktit me spektatorët, në skenat shqiptare.

Peripecitë e festivaleve

Në thelb historia e këngëtarit Zija Saraçi nuk ndryshon shumë nga ajo e shumë artistëve të tjerë të viteve 1970. Saraçi u bë shpejt i përkëdheluri i kompozitorëve të njohur si, Nikolla Zoraqi, Gjon Simoni, Ferdinand Deda, për të cilët këngëtari durrsak vazhdon të ruajë një respekt të veçantë. Nga edicioni i 9-të deri në atë të 14-të, Zija Saraçi ka marrë pjesë pa ndërprerje në festivalet e këngës. “Kam debutuar me këngën “Nënë dhe shoqe” të kompozitorit Tasim Hoshafi, i cili më përzgjodhi në konkurrimin e Zërave të Rinj dy muaj përpara veprimtarisë”, tregon ai. Po atë vit Saraçi këndon “Viti i ri” të Nexhmedin Dokos. 

Pastaj vijojnë: në Festivalin e 10-të këngët “Vajza me balonë” nga Aleksandër Lalo dhe “Horizontet” nga Aleksandër Peçi. Në edicionin e 11-të, festivalin që shkatërroi karrierën e dhjetëra artistëve, ai këndon “Sonte u takoj të gjithëve”, që u rendit e katërta pas grumbullimit të pikëve nga juritë në Tiranë dhe në rrethe. Në tre festivalet e radhës nga i 12-ti të i 14-ti, Zija Saraçi këndon “Nëpër ditët tona” të Kastriot Gjinit, së bashku me Ramadan Muhametin këndon “Qyteti i ri” të Rexhep Hasimit dhe “Urimi i bardhë” i N. Bulos. Ishte një karrierë gjithnjë në ngjitje, spektatorët e donin dhe e duartrokitnin, e megjithatë Saraçi ishte i kujdesshëm në paraqitjet e tij. Duket sikur durrsaku i këngës ka arritur të mbijetojë në periudhën më të vështirë për krijuesit dhe interpretuesit shqiptarë të këngës. Por në fakt nuk ndodhi kështu.

Një shkrim i vitit 1974 në gazetën “Zëri i popullit” me titull “Të mos ambientohemi me të huajën” ndër të tjera evidentonte shfaqjet e huaja të Saraçit në skenë. Një goditje që habiti shumëkënd, nga ata që vinin re kujdesin e Saraçit për klishetë e përcaktuara, por që sipas atij vetë, kishin lidhje me smirën dhe me emrin e babait të tij, edhe pse nuk kishte jetuar me të asnjë ditë. Artisti i mirënjohur i “Këngës së marinarit”, krijim i kompozitorit Isuf Xhumrri dhe poetit Moikom Zeqo, do të niste kalvarin e pamerituar të luftës për t’u rikthyer te pasioni i tij, kënga dhe skena. 

Ajo që ka ndikuar pozitivisht në jetën e Saraçit në këtë periudhë të vështirë ka qenë krijimi i familjes. Në shtator të vitit 1974, Zijai u fejua me Valentinën, një vajzë elbasanase, edhe ajo artiste amatore. Fatmirësisht vazhdoi të punojë në estradën e Durrësit. Saraçi kujton se në vitin 1982, 6 vjet pas goditjes, kompozitori Gazmend Mullai që porsa kishte ardhur në redaksinë e muzikës në Radio-Tirana, asistoi në shfaqjen e estradës së Durrësit. “Ai më ftoi të jem pjesëmarrës në Anketën Muzikore të Radios, ku këndova për herë të parë si kantautor dhe fitova vendin e pare”, tregon Zija Saraçi.

Në dy Festivalet pasues 1985 dhe 1986 dy krijimet e kompozuara nga Zija Saraçi interpretohen nga Petrit Lulo, dhe nga dueti Pëllumb Elmazi-Jolanda Dhamo. Në vitet 1988 dhe 1990 Zija Saraçi këndon së bashku me Engjëllushe Lazen, ndërsa në vitin 1990 këndon krijimin e tij “Ëndërr”. Artisti i 120 këngëve të kënduara në skenat shqiptare është rikthyer në Shqipëri pas një periudhe të gjatë në vendin fqinj. Ai ka nisur të këndojë në piano-baret e Durrësit dhe Tiranës, por është i bindur se shumë shpejt do të jetë në skenë, edhe më fuqishëm se dikur.

Gëzim Kabashi

Skënderbeu i qeverisë Monti jep dorëheqjen

“Nevojiten krematoriumet”. Legisti Aicardi hetohet për racizëm