Bilanci i deritanishëm i fundosjes së pjesshme të Costa Concordias, më 13 janar në darkë pranë brigjeve të ishullit Giglio, flet për gjashtë të vdekur dhe 16 të humbur nga 4.229 pasagjerët dhe pjesëtarët e ekuipazhit që ishin në anije
Romë, 16 janar 2012 – Mes 3.216 pasagjerëve të Costa Concordias, e gjysmëfundosur më 13 janar në darkë pranë brigjeve të ishullit Giglio, kishte edhe dy shqiptarë. Që të dy kanë shpëtuar, kështu sigurojnë për shqiptariiitalise.com nga Ambasada shqiptare në Romë. Janë të të njëjtës familje, jetojnë në Zvicër e tashmë janë kthyer në shtëpi.
Mbytja e anijes ‘Costa Concordia’ vazhdon të zërë faqet e para të mediave italiane. Bilanci i deritanishëm flet për gjashtë të vdekur dhe 16 të humbur nga 4.229 pasagjerët dhe pjesëtarët e ekuipazhit që ishin në anije.
Tashmë askush nuk ka dyshim mbi fajin e kapitenit të anijes, 52 vjeçarit Francesco Schettino, i cili është arrestuar me akuzën për vrasje dhe për braktisje të anijes. Ajo çka shkaktoi aksidentin e rëndë nuk është një shkëmb nënujor i pasinjalizuar në hartat detare, por afrimi i papërgjegjshëm i një anijeje të përmasave kaq të mëdha me bregun e ishullit.
Ndërsa shumica e të shpëtuarve janë kthyer në shtëpitë e tyre, vazhdojnë kërkimet për të humburit që duhet të kenë mbetur të bllokuar në anije. Me kalimin e orëve bëhet gjithnjë e më e vogël mundësia për t’i gjetur ata akoma në jetë.