Pas verifikimeve, është zbuluar identiteti i vërtetë i të vrarit nga i zoti i shtëpisë ku po hynte për të vjedhur natën e Krishtlindjeve. Quhet Sali Kakuli.
Romë 19 janar 2012 – Sali Kakuli, 28 vjeç nga Durrësi. Ky është identiteti i vërtetë i personit të vrarë natën e Krishtlindjes në Recanati. U qëllua me armë nga Stefano Terrucidoro, i zoti i shtëpisë ku po përpiqej të hynte për të vjedhur, dhe vdiq pak më pas në spital.
Fillimisht 28-vjeçari ishte identifikuar me emrin Marsel Myftari, pasi në xhep karabinierët i kishin gjetur një pasaportë shqiptare me këtë emër.
Hetimet dhe verifikimet e shenjave të gishtërinjve, të konfirmuara edhe nga autoritetet shqiptare, ashtu si edhe njohja e trupit nga familjarë të viktimës të kontaktuar në Shqipëri, kanë çuar në identifikimin zyrtar të 28-vjeçarit me emrin Sali Kakuli.
Ishte prej disa vitesh në Itali e njihej nga forcat e rendit si përgjegjës për disa vepra penale, madje edhe ishte dëbuar. Ishte rikthyer në Itali me dokumentin e falsifikuar rreth një muaj para tentativës së grabitjes ku gjeti edhe vdekjen.
Karabinierët vazhdojnë hetimet për kapjen e bashkëpunëtorëve të Kakulit.