in

Diplomatët e huaj: «Shqetësuese statistikat mbi dhunën ndaj grave»

Dymbëdhjetë diplomatë të huaj në shqipëri nënshkruajnë një letër të hapur në mbrojtje të të drejtave ligjore të grave

Tiranë, 23 janar 2012 – “Gratë në Shqipëri nuk kanë një zë të fortë që t’u sigurojnë atyre që interesat dhe nevojat e tyre të adresohen në mënyrën e duhur”. Këtë pohojnë ambasadorë dhe përfaqësues të lartë të organizatave ndërkombëtare në Shqipëri, përmes një letre të hapur, me të cilën kërkojnë konsolidimin e të drejtave të grave në Shqipëri.

Në letrën e firmosur nga 12 diplomatë të huaj, veçohet miratimi i Ligjit “Për Barazinë Gjinore në Shoqëri”, Ligjit “Për Mbrojtjen nga Diskriminimi”, Ligjit për “Masa ndaj dhunës në marrëdhëniet familjare” dhe së fundi nënshkrimi i Konventës së Këshillit të Europës “Për parandalimin dhe luftën kundër dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje”.

Përfshirja e kuotës gjinore prej 30% në Kodin Zgjedhor cilësohet si një hap inkurajues në rritjen e pjesëmarrjes së grave në politikë. Por Ambasadorët vlerësojnë gjithashtu se, pavarësisht kuotës 30% për pjesëmarrjen e grave në politikë, aksesi i grave në poste vendimmarrëse si në nivel kombëtar edhe në atë vendor, mbetet i ulët. Gratë përfaqësojnë vetëm 16% të deputetëve në parlament, 12,4% të anëtarëve në këshillat bashkiakë dhe të komunave, si dhe vetëm 7 nga 384 kryetarë të qeverisjes vendore, ato nuk mund të kenë një zë të fortë dhe të sigurojnë që interesat dhe nevojat e tyre të adresohen në mënyrën e duhur. Në këtë drejtim, vihet në dukje se rishikimi dhe fuqizimi i sistemit ekzistues të kuotës gjinore, në linjë me rekomandimet e OSBE/ODIHR-it, duhet të ndihmojë që të garantohet dëgjimi i zërit të grave.

“Për të konsoliduar më tej të drejtat e grave, ne nxisim autoritetet kombëtare të garantojnë që legjislacioni penal t’i sigurojë mbrojtjen dhe mekanizmat e përshtatshëm ligjor të mbijetuarave të dhunës në familje”, thuhet në këtë letër. “Ne vazhdojmë të jemi mjaft të shqetësuar nga statistikat zyrtare që tregojnë se 17 gra janë vrarë nga bashkëshortët e tyre gjatë vitit të kaluar. Më e rëndësishme është nevoja për të penalizuar si dhunën me bazë gjinore ashtu edhe dhunën në familje”, vijon letra e diplomatëve të huaj.

“Duke qenë se Kodi Penal dhe Kodi Zgjedhor do të rishikohen nga Parlamenti së shpejti, ne shpresojmë që këto shqetësime do të adresohen dhe do të nxisin Shqipërinë të bëjë përpjekje për të arritur standardet ndërkombëtare të vendosura nga Konventa e Kombeve të Bashkuara për Eleminimin e të Gjitha Formave të Diskriminimit ndaj Gruas, së bashku me harmonizimin e legjislacionit shqiptar me kuadrin ligjor të BE-së për të siguruar de facto të drejta të barabarta si për burrat edhe për gratë”, përfundon letra e diplomatëve të huaj.

Nënshkruesit:

Christine Moro, Ambasadore e Republikës së Francës në Shqipëri
Carola Müller-Holtkemper, Ambasadore e Republikës Federale të Gjermanisë.
Yvana Enzler, Ambasadore e Konfederatës së Zvicrës në Shqipëri
Fiona McIlëham, Ambasadore e Mbretërisë së Bashkuar
Zineb Touimi-Benjelloun, Koordinatore e Përhershme e Kombeve të Bashkuara
Semia de Tapia, Përfaqësuese e UN Ëomen
Kseniya Lvovsky, Manaxhere e Bankës Botërore në Shqipëri.
Astrid Ëein, Drejtoreshë e Zyrës së Bashkëpunimit Teknik Austriak
Henk G.C. van den Dool, Ambasador i Mbretërisë së Holandës
Karsten Ankjaer Jensen, Ambasador i Mbretërisë së Danimarkës
Ettore Sequi, Ambasador i Delegacionit të Bashkimit Europian
Eugen Ëollfarth, Ambasador i OSBE-së

 

Aksidenti i rëndë në kantier i merr jetën punëtorit

Prokuroria kërkon arrestimin e komandantit të Gardës për 21 janarin 2011