in

Nicola Montano: “Unë, polici i kufirit që prita anijen Vlora”

Intervistë me Nicola Montanon, ish polic i kufirit në portin e Barit, që mes përvojave të tij të shumta ka përjetuar edhe mbërritjen e anijes “Vlora” ne Bari në gusht 1991. Përjetimet i ka hedhur në një libër, “Ladri di stelle” ku tregon histori klandestinësh, ngjarje të dhimbshme e njerëzore që përbëjnë përditshmërinë e një polici kufiri.

Shqiptari i Italisë: Një libër me kujtime të një polici kufiri. Është diçka e rrallë edhe nga ana editoriale.

Nicola Montano: Ideja për të shkruar këtë libër më lindi kur dola në pension. Në një farë pike pata dëshirë të shikoj prapa gjithë ç’kisha bërë deri në atë moment dhe vendosa të hidhja në letër atë pjesë të jetës sime që ka të bëjë me portin e Barit. Dhe kështu përfundova duke folur për klandestinët, ndër të cilët edhe për shqiptarët.

Çfarë synonit t’i shtonit fjalosjes së madhe që bëhet rreth klandestinëve në Itali sot?

Para së gjithash, doja të thosha se klandestinët janë njerëz. Dhe natyrisht meritojnë respekt. Kanë të kaluarën e vet, jetën e vet që meriton të respektohet. Ideja e librit më lindi edhe duke dëgjuar aq shpesh lajmet ku flitet për klandestinët mirëpo flitet sikur të ishin vetëm numra, e jo persona. Për shembull pak ditë më parë u fol për disa të vdekur në det gjatë transportimit të klandestinëve. Ndjesia ime si para pak ditësh edhe gjithmonë ishte se po raportohej një shifër e çfarëdoshme sikur të mos kishe të bëje me njerëz. Ndërkohë që këta klandestinë janë njerëz. Shpesh flitet për klandestinët dhe kriminalitetin, këto dy gjëra përfundojnë si sinonime. Klandestini është një njeri që ka dëshirë të shkojë në një vend tjetër. është një njeri që ka të drejtë të kërkojë një jetë më të mirë në një vend tjetër. Këtu sa herë që flitet për klandestinët flitet për kriminalitet., por kriminaliteti nuk ka kombësi. Krimineli është kriminel mbi kombësinë që mund të ketë.

Por këto aspekte lihen gjithmonë pas dore nga mediat…

Po këto aspekte lihen pas dore. Kur flitet për klandestinët flitet vetëm për kriminalitet. Natyrisht që ka edhe kriminelë mes tyre. Por mediat italiane duhet të kenë parasysh se këta klandestinë janë njerëz që kanë lënë familjet e tyre, vendin e tyre, jetën e tyre të mëparshme për të filluar një tjetër në vendin tonë. Natyrisht ligjet duhen respektuar por duhet gjetur mënyra se si të respektohen këto rregulla. Pas 40 vjet pune në polici, kam luftuar kriminalitetin, dhe më ka ndodhur të kem të bëj edhe me klandestinë. Por kur këta mbërrijnë në Itali janë vetëm njerëz dhe asgjë më shumë. Unë kur kam qenë i ri kam qenë emigrant në Gjermani dhe i kam kaluar këto përvoja mbi lëkurën time dhe e di se ç’do të thotë kur të trajtojnë në këtë lloj mënyre. Në thelb, problemi varet edhe nga paaftësia e shtetit italian në përballjen me problemin e emigrantëve klandestinë.

Si ka mundësi që pas pothuaj 20 vjetësh shteti italian mbetet ende i papërgatitur ndaj këtij problemi?

Jam dakord me pohimin tuaj, shteti italian mbetet i papërgatitur. Mungon një politikë koherente. Shteti nuk shqetësohet për t’iu përgjigjur nevojave të vërteta të vendit. Nëse industria kërkon krahë pune, kjo do të thotë se duhen marrë këta njerëz nga jashtë. Mirëpo këta njerëz nuk janë vetëm një palë krahë, që i përdor vetëm për punë dhe pastaj mund edhe t’i hedhësh tutje, janë njerëz, me tru, me një personalitet të vetin, që kanë nevoja si edhe ne të tjerët. Kështu mendoj që Italia duhet të ndryshojë mënyrën e përballjes me këta imigrantë, si edhe në përkrahjen e shumë italianëve që kanë nevojë për ndihmën e shtetit.

Pra është faji i mungesës së një shteti social, apo është edhe fakti që Italia nuk është ende e mësuar me shumëkulturësinë?

Po edhe kjo është. Italianët nuk janë të mësuar me këtë shoqëri të re shumë-etnike e shumëkulturore sepse italianët deri para pak kohësh ishin vetë emigrantë e madje pjesërisht duhet thënë se mbeten ende të tillë, veçanërisht për sa i përket jugut të Italisë. Të rinjtë e jugut shkojnë të gjithë drejt veriut apo drejt Evropës. Di me siguri se janë të paktën 270 mijë të tillë në vit që largohen nga toka e tyre për të emigruar. Vende si Irlanda apo si Spanja kishin të njëjtat probleme por me zbatimin e politikave të duhura kanë arritur ta reduktojnë këtë problem e madje edhe ta asgjësojnë pothuaj atë. Unë sot jam pothuaj 60 vjeç, dhe mund t’ju them me siguri se për sa kujtoj unë, asgjë nuk ka ndryshuar.

Pra është një problem shumë i thellë?

Po, unë kur kam qenë polic në veri, më thërrisnin herë pas here me epitete të ndryshme, fyese. Herën e parë mund ta merrje lehtë, pastaj ndodhte që të krijoheshin probleme. Sipas meje, njeriu duhet të trajtohet siç thotë Deklarata e të drejtave të njeriut. Meqenëse ne e pranojmë sepse Italia e ka nënshkruar, duhet edhe ta zbatojmë. Edhe pse ka shumë probleme me vetë italianët, ata që vijnë në Itali duhet të priten me dinjitet. Nuk është e vërtetë që të gjithë rumunët sot, apo të gjithë shqiptarët dje, janë kriminelë. Këtë e dinë të gjithë. Pikërisht nga përvoja ime si polic mund të them se më kujtohet që në ’92-shin, apo ’93-shin shikoja shumë shqiptarë, ndër të cilët nuk mungonin trafikuesit e drogës e të prostitucionit, por shumica e tyre ishin familje që ktheheshin në shtëpi. Ishin njerëz që në Itali jetonin dhe kontribuonin edhe në mirëqenien e Italisë.

Çfarë thuhej mes kolegësh, ndërsa shqiptarët fillonin të zbarkonin në vitin ’91?

Mbetëm të shushatur, nga gjithë ajo masë njerëzish që papritur erdhën në brigjet tona. Nuk e njihnim akoma Shqipërinë, por po fillonim ta njihnim. Njerëzit na tregonin për të. Me ndonjë përjashtim pati mirëkuptim ndaj tyre.

Si ju dukeshin shqiptarët, këta të panjohur?

Ajo që na çudiste tej mase, ishte mënyra e tyre e të veshurit, që ishte shumë e standardizuar, dhe për më tepër vishnin disa pantallona të gjera që ne kishim pasur 30 vjet përpara. Personalisht më dukeshin shumë të dobët, nuk e di nëse nuk hanin, por është e qartë se nuk ishin mbipeshë. Por ishin shumë të shkathët e të fortë. Më kujtohet kur zbarkoi Vlora, shikoja fëmijët shqiptarë që mbanin në krah fëmijë më të mëdhenj se vetja dhe ia dilnin t’i mbanin. Nuk besoj se fëmijët tanë do të mund të bënin të tilla gjëra. Ndoshta është çështje mbijetese.

Pastaj fillon faza e kriminalitetit shqiptar dhe albanofobia pushton mediat. Po mes policëve çfarë mendohej për këtë “racë kriminelësh”?

Mediat kanë ndikuar shumë në ndërtimin e këtij stereotipi. Ka pasur një bombardim disa-vjeçar me idenë se shqiptarët ishin kriminelë. Unë kam arrestuar shumë shqiptarë, por ndërsa arrestonim një prej tyre, kishim përballë shumë të tjerë që kalonin kufirin dhe që ishin njerëz të mirë që punonin. Kishte shumë shqiptarë që ishin bërë kriminelë, ndoshta ishin të tillë edhe në Shqipëri. Por pasojat e këtij problemi i kanë vuajtur edhe ata shqiptarë që nuk bënin pjesë në këtë grup.

Po tani, si mendoni ç’mendim mbizotëron për shqiptarët?

Tani është radha e rumunëve. Shqiptarë tani janë bërë rumunët. Bindja më e përhapur është se shqiptarët tashmë janë bërë italianë. Janë mësuar të jetojnë në mënyrë italiane, veçanërisht të rinjtë, që kanë zakonet e italianëve, vishen si italianët.

Vitin e kaluar shkova në Durrës dhe në Tiranë. Tashmë mund të thuhet se nuk ka ndryshim midis dy brigjeve. Dikur shikoje një shqiptar dhe e dalloje, sot shqiptarët nuk dallohen më. Shqiptarët që jetojnë sot në Itali janë bërë italianë.

Ju keni qenë emigrant në Gjermani në vitet ’60, kur ishit shumë i ri. Përvoja që keni pasur me shqiptarët ju ka kujtuar në ndonjë lloj mënyre përvojën tuaj personale në Gjermani, kur ju kishit rolin e shqiptarëve?

Ka një paralelizëm. Qëllimi është të punuarit. Përmirësimi i jetës së vet. Unë shkova në gjermani për të arritur pavarësinë ekonomike dhe për të ndihmuar familjen time që ishte në varfëri. Përndryshe nuk do të kisha ikur. Nuk besoj se njerëzit e lënë shtëpinë e vet kaq lehtë në mos për arsye turizmi, ndodh vetëm për të përmirësuar kushtet e jetesës.

Si ishte përvoja juaj në Gjermani, ndërkohë që deri para pak kohësh gjermanët i përkufizonin italianët në mënyrë fyese “italiener”…

Jo, fjala e përdorur më shumë ishte “italiener Scheisse”, merda italiana…. Nuk ishte e thjeshtë sepse pata shumë probleme, por nga ana tjetër ndesha edhe gjermanë shumë të sjellshëm. Kisha disa zonja që kur unë kthehesha në shtëpi nga puna, me jepnin një pjatë supë gati. është një gjë e përbashkët për të gjithë vendet. Ka njerëz që janë bujarë dhe dashamirës, ka të tjerë që janë më të mbyllur dhe antipatikë. Për fat të keq, në këtë aspekt, nuk e mendojmë të gjithë njësoj.

Si ka mundësi që një popull si italianët që kanë qenë viktimë e një racizmi të theksuar kudo në Evropë deri para tridhjetë vjetësh, të arrijnë të shprehin gjithë këtë urrejtje ksenofobie ndaj rumunëve apo shqiptarëve para 10 vjetësh?

Lexova librin e Gianantonio Stellës “Quando gli albanesi eravamo noi”, dhe aty shfaqet qartë sa kanë vuajtur italianët jashtë shtetit. Dhe për mendimin tim, ajo që ata kanë pësuar është diçka shumë herë më e ashpër se ajo që kanë pësuar shqiptarët në Itali. Nuk besoj se ekziston një urrejtje e përgjithshme për shqiptarët apo për rumunët në Itali sot. Unë për shembull kam fqinj një djalë shqiptar që është një punëtor i jashtëzakonshëm dhe të gjithë e respektojmë. Ai jeton në Itali prej 20 vjetësh, zgjohet në mëngjes në orën 5, e kthehet në shtëpi në orën 8. Ç’mund të presësh më shumë nga një njeri i ndershëm. Shumica e italianëve nuk janë racistë, por ka një pakicë që është e tillë.

Marjola Rukaj

Lexo edhe Vlora mbërrin në Bari, fragment nga libri “Ladri di Stelle”

Çfarë humbim kur dhunohen gratë?

Salvini contro il ministero dell’Integrazione: “Inutile, costoso, fabbrica di ipocrisia. Va abolito”