Paolo Muner prezanton fakte të panjohura për flamujt shqiptarë në anijet tregtare në Shkodër, në vitet 1913-1914. Studimi i tij dygjuhësh, “Një histori Shkodrane”, i plotësuar me foto dhe skica të kohës, dëshmon për “një zbulim të vogël historik”: Cili ishte flamuri i parë i Shqipërisë së pavarur që u valëvit në Adriatik
“Një histori shkodrane” quhet hulumtimi i gjatë i Paolo Muner, që udhëton nëpër histori shqiptare me flamurë të panjohur në ato vite të tranzicionit 1913-1914 kur shteti shqiptar ishte ende një shprehje gjeografike e paformësuar, shpërndarë sa nëpër ambiciet e zotëve të vegjël lokalë, aq midis orekseve të perandorive të mëdha që po jepnin shpirt. Triestini 64 vjeçar, ish ushtarak i marinës së Triestes, ka vendosur të tregojë ato vite duke vrojtuar flamurët e anijeve shqiptare që në atë gjendje amullie ishin simbole të lëkundshme pasqyruese të problemeve të brendshme e të jashtme të Shqipërisë së sapolindur, e madje të palindur ende mirë. Por Muner, nuk bën vetëm një shëtitje porteve ish austro-hungareze për të hulumtuar flamurë e kuverta anijesh, por ringjall faqeve të librit një Shkodër të së kaluarës që e tillë ka mbetur vetëm në kujtimet dhe identitetin urban të shkodranëve të vjetër. Është Shkodra kozmopolite, ku kulturat përziheshin, e komunikonin me anën tjetër të Adriatikut, ndërsa derdhja e Bunës, e bënte qytetin portual, duke e shndërruar në nyje të gjeopolitikës detare austro-hungareze së bashku me Triesten, Venecian, Budvën e Tivarin. Hulumtimi shumë-vjeçar i Muner-it, hedh dritë për atë periudhë para se secili nga këto porte të shndërrohej në periferi turistike të shteteve të reja adriatike.
Bota shqiptare: Si lindi ideja për të bërë këtë studim?
Paolo Muner: Lind në dy mënyra. Unë kam kaluar pothuaj tre vjet në Shqipëri për shkak të punës sime, duke punuar ushtarak i marinës. Duke jetuar atje u pasionova me historinë e këtij populli, dhe kur para gjashtë vjetësh dola në pension iu kushtova në kohën e lirë e madje në shumicën e kohës pikërisht këtyre kërkimeve. Por në të vërtetë me këtë temë e me Shkodrën u ndesha krejt rastësisht. Isha duke bërë një punë kërkimore, që nuk e kam përfunduar ende për kapitanerinë e Tivarit. Unë jam triestin, dhe jetoj në Trieste, kam kështu fatin të kem pranë shtëpisë arkivin e qeverisë së perandorisë austriake për çështjet detare, sepse Trieste ishte kryeqyteti detar i Perandorisë. Dhe aty ka informacione shumë të rëndësishme për pjesën tjetër të Adriatikut. Jo vetëm për periudhën kur një pjesë e atyre brigjeve kontrollohej nga perandoria austrohungareze por edhe më pas sepse për shembull Mali i Zi edhe pasi iu njoh pavarësia në 1879 në Kongresin e Berlinit nuk iu lejua të kishte një flotë të vetën detare, dhe vazhdoi kështu të mbetej i lidhur me perandorinë austriake. Ky arkiv është shumë i pasur me dokumente që kanë të bëjnë me kapitanerinë e Tivarit dhe me degë ne saj më të vogël të Ulqinit. Unë isha duke kryer një kërkim për Tivarin kur rastësisht më ra në dorë një telegram që njoftonte mbërritjen në një port austriak që është konkretisht Budva, sot në Malin e Zi, të një anijeje me vela me flamurin kuq e zi që vinte nga Shkodra. I kërkohej kështu qeverisë së Vjenës nëse duhej t’i lejonin apo jo hyrjen në port këtij velieri. Ky është një problem që gjithmonë ka ekzistuar në veçanti për arsye sanitare sepse anijet që vinin në një port mund të sillnin sëmundje të rrezikshme në veçanti sëmundje tropikale. Kjo anije kishte një flamur të panjohur. Ishte 14 qershori 1913, Shqipëria sapo kishte shpallur pavarësinë por kjo pavarësi nuk ishte njohur nga të gjitha shtetet dhe kishte mbi të gjitha një kaos të jashtëzakonshëm për sa i përket simbolikës së shtetit. Kështu autoritetet e portit të Budvës dërgojnë një telegram në Trieste, që përgjigjet fillimisht negativisht por i dërgon një telegram Vjenës. Nga Vjena, pas një orë e 20 minutash, një kohë rekord për kohën, i përgjigjen pozitivisht, duke e lejuar anijen të hyjë në port. Pasi zbulova këtë telegram shkova në Shqipëri për të par nëse kishte ndonjë provë të njohjes së këtij episodi. Por zbulova vetëm një tjetër rast, të ngjashëm por që kishte ndodhur në Rijeka në Kroaci e që nuk kishte të bënte me Budvën. Pra aty mendova se kisha bërë një zbulim të rëndësishëm të problemeve që kishte Shqipëria si shtet i sapoformuar, me simbolikën dhe me të drejtën ndërkombëtare detare. Kështu zbulova librin e Rrok Zojzit për këtë temë e pastaj u mora edhe me hulumtime të tjera në arkiv. Njohësi më i mirë i kësaj teme është Rrok Zojzi që mendon se tregtia detare shqiptare lind në të vërtetë në Ulqin por kur Ulqini i kalon shtetit të pavarur të Malit të Zi, ky grup njerëzish vendos të zhvendoset drejt Shkodrës duke e zhvendosur kështu edhe epiqendrën e tregtisë detare shqiptare të kësaj zone. Për këtë nga Ulqini përfundova duke u marrë me Shkodrën. Sidoqoftë kjo është një temë që u intereson edhe shqiptarëve të Ulqinit. Në 2006 shkova në Shqipëri për të marrë pjesë në një konferencë por kur shkova të flisja në të, një shtëpie botuese iu duk shumë interesant studimi dhe më pyetën pse nuk e thelloja edhe më për ta botuar. Kështu vazhdova kërkimet edhe dy vjet të tjera dhe kështu doli një libër.
Çfarë zbuluat për flamurët e Shqipërisë? Në Shqipëri gjithmonë ka shumë interes për flamurin si simbolikë, shpesh diskutohet pse këto ngjyra, pse kjo shqiponjë që tek e fundit është një element i përbashkët edhe me fqinjët ballkanas, e madje edhe me simbolet e perandorisë austriake…
Unë nuk kam hyrë në të tilla debate. është e vërtetë që shqiponja dykrerëshe është një simbol që gjendet në shumë shtete ballkanase por edhe në Rusi, që nga Rusia cariste, e madje edhe në Perandorinë austriake. Shpjegimet janë të ndryshme. Dikush thotë për shembull se një nga shqiponjat shikon në lindje e tjetra në perëndim, e dikush në fenë e krishterë e një në atë islame.. Ajo që më interesonte ishte rivaliteti ndërmjet gjithë atyre flamujve që synonin të bëheshin flamuj të shqiptarëve. Shqipëria në atë kohë ishte një shtet i pavarur vetëm në mënyrë teorike, në të vërtetë kishte qeveri të ndryshme nëpër pjesë të ndryshme të Shqipërisë, që synonin të merrnin pushtetin dhe që ishin në konflikt të vazhdueshëm midis tyre përveç vështirësive të jashtëzakonshme që kishin për tu njohur në nivel ndërkombëtar. Kështu ishte qeveria e Ismail Qemalit në Vlorë, ajo e Esat Pashës në Tiranë, më pas vjen princi Vid. Në episodin që zbulova unë, flamuri i përdorur me me shirita dy-ngjyrësh të kuq dhe të zinj, dy shirita të kuq me një të zi në mes. Zojzi tregon një rast tjetër të një anijeje që lundron drejt Rjekës, dhe duke mos ditur si të paraqiste shqiponjën në flamur, sepse nuk është e thjeshtë ta paraqesësh, vendosi thjeshtë një shirit të zi në mes të fushës së kuqe që përfaqësonte shqiponjën dykrerëshe. Mirëpo ky është një shpjegim poetik e i thjeshtuar. Kur Shqipëria fillon të njihet nga shumë shtete e veçanërisht me njohjen nga Vjena u përcaktua edhe se flamuri detar i Shqipërisë do të përputhej me flamurin kombëtar. Por edhe më tej ka anije që mbajnë flamuj të huaj si për shembull një rast shumë interesant ishte me një anije me flamur malazez. Pronari i anijes ishte nga Shkodra, por mbante flamur malazez për të vetmin fakt sepse gjatë një prej rrethimeve të shumta të Shkodrës nga ana e malazezëve, malazezët kishin detyruar mbajtjen e flamurit të tyre nga anijet shkodrane. Qëllimi i tyre, kuptohet, ishte që të vazhdonin ta mbanin Shkodrën. Ajo anije kishte kryer shërbime të ndryshme dhe e dinte se për sa kohë që mbante flamur malazez mund të shpresonte të paguhej – kuptohet që shteti paguan me vonesë. Një ditën niset për në Trieste. Një ditë pas nisjes ndërsa ndodhet në mes të detit plas Lufta e parë botërore. Mirëpo Mali i Zi ishte kundër Austro-Hungarisë në atë luftë, dhe kjo anije mbante një flamur armik. Ekuipazhin e arrestuan për gjashtë muaj, dhe rasti u shndërrua në një problem diplomatik, prej nga doli se ekuipazhi dhe anija ishte etnikisht shqiptar, por mbanin flamur malazez thjeshtë për arsye ekonomike. Nevojiten gjashtë muaj për të arritur deri në lirimin e tyre.
Cilat ishin variantet e flamurit më interesante që keni gjetur gjatë kërkimeve tuaja?
Ato që kam gjetur më shpesh ishin me tre shirita të kuq e të zinj, me apo pa yll. Por janë rreth 50 apo 60 flamuj që qarkullonin në atë periudhë. Flamuri që përmenda më lart, përkufizohej si flamuri tregtar i Esat Pashës. Por nuk jam shumë i bindur për këtë. Edhe ai që quhet si flamuri i Princ Vidit, me yllin e bardhë pesëcepësh është në të vërtetë një flamur që unë kam gjetur të një periudhë para se të vinte princ Vidi. Nuk di të shpjegoj kuptimin e këtij ylli të bardhë. Por me siguri paraqiste edhe një farë problemi. Kam gjetur edhe disa episode pak të qarta që kanë të bëjnë me këtë simbol. Ka pasur edhe anije që qarkullonin me flamur me yll të bardhë, e më pas pa yll. Madje ky ishte një problem që edhe ishte ngritur në Trieste por janë elemente shumë të detajuara.
Trieste ka pasur një histori të përbashkët me portet e Adriatikut lindor duke qenë kryeporti i Perandorisë austro-hungareze. Në identitetin urban të Shkodrës sot është ruajtur shumë prej asaj kohe. Po në Trieste sa ka mbetur nga lidhjet me anën tjetër të Adriatikut?
Në Trieste ka një klasë tregtare, me një numër të madh familjesh shqiptare që jetojnë në Trieste prej 200 vjetësh. Prenushi, Ashiku, janë vetëm dy nga mbiemrat e rëndësishëm ndërmjet tyre. Përveç faktit që janë me mijëra shqiptarët që jetojnë tashmë në Trieste prej pothuaj 20 vjetësh dhe që janë kështu më se të integruar. Ka disa personalitete që lidhin Triesten me Shqipërinë, një prej tyre është për shembull Aleksandër Moisi, që për ne është Alessandro Moisi, që ka lindur në Trieste edhe pse në shumë tekste shqiptare thuhet se ka lindur në Durrës. Unë kam provuar me siguri se ka lindur në Trieste. Në tekstet gjermane thuhet që ka lindur në Trieste e madje edhe në enciklopedinë Treccani, përkufizohet si aktor austriak, sepse tek e fundit atje punoi. Ndërsa italisht ka recituar vetëm gjatë viteve ’30. Shtetësia italiane iu dha në prag të vdekjes nga qeveria Mussolini. Por është një nga shqiptarët më të rëndësishëm të Triestes. Kam kontrolluar regjistrat e kishës greko-ortodokse të Triestes ku ai është pagëzuar dhe rezulton se i iati ishte nga Durrësi, kurse emri i mamisë, është tipik triestin. Kjo është prova që Moisiu ka lindur në Trieste. Pastaj një tjetër është Karl Gega, inxhinieri shqiptar që ka ndërtuar hekurudhat më të vështira të Austrisë. Rruga kryesore e Triestes që niset nga Stacioni quhet pikërisht Via Ghega.
Po në Shkodër e perceptoni këtë lloj identiteti e ndikese austriake?
Shkodra e librit tim përshkruhet kur ishte një port detar. Nga derdhja e Bunës fillonin trafiqet e rëndësishme që shkonin drejt Venecias e drejt Triestes. Gjë që sot nuk është më. Sot Shkodra është e bukur dhe rëndësishme për arsye të tjera por të qenët një port detar është patjetër diçka që ky qytet nuk ka më. Por ndihet ende ndikesa e së kaluarës. Di për shembull që një shëtitore, një rrugë e përuruar së fundmi dhe që është jashtëzakonisht e bukur, e quajnë Rruga e venecianëve. Ka disa ndërtesa shumë të bukura që të kujtojnë disi Venecian. Dhe mbi të gjitha ka mbetur shumë i fortë kujtimi i një të kaluare tregtare. Kam njohur prodhues të maskave veneciane, për të cilat thuhet se 70% e tyre prodhohet në Shkodër. Karnavalet e Shkodrës po ashtu në përmasat e tyre janë një reminishencë e asaj periudhë.
Marjola Rukaj
Bota shqiptare 213