Flamuri i ngritur nga Ismail Qemali më 28 nëntor të vitit 1912 në qytetin e Vlorës është fiksuar në një kartolinë të botuar nga Ilo në vitin 1920, ndërkohë që ai largohej sërish në emigrim në Boston. Këtë kartolinë e gjen në Milano arkitekti dhe studiuesi vlonjat Pirro Stefa
Flamuri që ngriti patrioti Ismail Qemali në 28 nëntor të vitit 1912 në qytetin e Vlorës, ka edhe një dëshmi origjinale, që vjen nga njëri prej protagonistëve të asaj ngjarjeje madhore, patrioti Spiridon Ilo, nënshkrues i aktit të Pavarësisë Kombëtare.
Ky flamur, në pamjen e vet origjinale, është fiksuar në një kartolinë (kartë postale në terminologjinë e kohës), të botuar nga Ilo në vitin 1920, ndërkohë që ai largohej sërish në emigrim në Boston (SHBA).
Kartolinën dhe historinë e saj, e sjell për lexuesin, arkitekti dhe studiuesi vlonjat Pirro Stefa, i cili e ka siguruar atë në një qytet të Italisë, duke ia bashkuar koleksionit të vet të rrallë me mbi 1.000 botime të këtij lloji, pjesa më e madhe e të cilave i përkasin periudhës së para Luftës së Dytë Botërore.
“Kartolinën e kam blerë në një nga kartoleritë e qytetit të Milanos, të mbushur me botime të vjetra dhe të rralla, mes të cilave edhe nga Shqipëria e dekadave më parë”, tregon Stefa. Sipas tij, kjo mënyrë komunikimi mes shtetasve italianë dhe familjarëve e të afërmve të tyre në Itali, ka lënë gjurmë të tilla, të cilat marrin vlera autentike dokumentare për ngjarje të rëndësishme të historisë së Shqipërisë.
Sipas Stefës, kartolina evokon pamjen e flamurit të Pavarësisë, që të bën të mendosh se është origjinali, nisur nga roli që ka pasur Spiridon Ilo në këtë ngjarje madhore të Shqipërisë dhe afërsia familjare me protagonisten tjetër të këtij momenti, Marigo Posio.
“Nga një arsyetim lidhur me kronologjinë e ngjarjeve që shoqëruan 28 nëntorin e vitit 1912 dhe roli që ka luajtur Spiridon Ilo, si një nga drejtuesit e komunitetit shqiptar në Bukuresht dhe firmëtar i Aktit të Shpalljes së Pavarësisë, të bën të mendosh që flamuri që paraqitet në kartolinë është origjinali”, sqaron Stefa. Madje, kjo, sipas tij, përputhet edhe me një nga katër variantet e këtij Flamuri, që u ngrit nga Ismail Qemali në njërin nga ballkonet e godinës 3-katëshe, pronë e Xhemil Bej Vlorës, pinjoll i familjes së njohur vlonjate.
Ardhja e Flamurit në Vlorë lidhet me patriotin Spiridon Ilo, një nga protagonistët e Shpalljes së Pavarësisë dhe delegat i grupit të patriotëve shqiptarë në Bukuresht. Prej vitesh, Ilo, me origjinë nga Korça, jetonte në kryeqytetin rumun, duke qenë një nga personazhet kryesorë që përpiqeshin për përhapjen e ndjenjave atdhetare.
Sipas historianëve, flamuri që ngriti Ismail Qemali në Vlorë, ishte i njëjti që zbukuronte fasadën e Hotel “Kontinental” në Bukuresht, ku, në 5 nëntor të vitit 1912, gjatë vizitës së tij në këtë qytet Ismail Qemali zhvilloi një takim me patriotët shqiptarë.
Në këtë takim, që i parapriu udhëtimit të Ismail Qemalit drejt Vlorës, u deklarua për herë të parë ideja e shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, si e vetmja alternativë që garantonte të ardhmen e vendit tonë, përballë interesave dhe synimeve shoviniste të fqinjëve. Prej këtej, Spiridon Ilo, që ishte pjesëtar në grupin e patriotëve që shoqëruan Ismail Qemalin drejt Vlorës, e mori flamurin me vete.
Sipas historianit Bardhosh Gaçe, ai ishte kushëri i parë(djalë tezeje), i Marigo Posios dhe për këtë arsye, në natën mes 27 dhe 28 nëntorit, ai fjeti në banesën e bashkëshortëve Posio, në lagjen Muradie, ku patriotja qëndisi brenda një nate edhe thekët e Flamurit. Sipas disa historianëve, ky flamur ishte i stampuar dhe jo i qëndisur, me përjashtim të thekëve që përgatiti Marigo Posio.
Nisur nga kjo, studiuesi Pirro Stefa thotë se historia dhe flamuri, që është fiksuar në kartolinën e edituar nga Spiridon Ilo, që në vitin 1920 u largua drejt Bostonit, bashkohen në një.
Ndërkohë, është tashmë i njohur fakti që Flamuri, që u ngrit të 28 Nëntor të vitit 1912, ka një histori dhe një origjinë, e cila formatohet në katër variante. Secili prej tyre ka dëshmitarët e vet. Gjithsesi, vajza me origjinë nga Korça, Marigo Posio, është personazhi i përbashkët, që lidh me njeri tjetrin 3 nga katër variantet.
Posio, mbiemri i vajzërisë Poçi, që kishte lindur në 2 shkurt të vitit 1892 në Korçë, u martua me tregtarin Jovan Posio, me të cilin u shpërngulën në vitin 1904 në qytetin e Vlorës. Bashkëshortët banonin në një banesë ku kishte jetuar gazetari francez Justin Godard, emrin e të cilit mban sot rruga karakteristike, që ndodhet shumë pranë Sheshit të Flamurit në Vlorë. Me këtë shtëpi lidhet edhe historia e Flamurit, që shënoi shpalljen e shtetit të pavarur shqiptar, në vitin 1912.
Gjithsesi, Stefa thotë se përmes kartolinës së Spiridon Ilos, një nga katër grupet e kartolinave me temë patriotike që ai editoi në vitet 1920-1930-të nga Bostoni, vjen një dokument origjinal dhe mjaft i rëndësishëm, që lidhet me flamurin që u ngrit në 28 Nëntor të vitit 1912 në Vlorë. “Kjo dëshmohet edhe në pjesën e pasme të kartolinës, ku përcaktohen qartë të drejtat e autorit, botuesit të saj, Spiridon T. Ilo. Në këtë përfundim – thotë Stefa, – të çon edhe një element tjetër, që është vula e vendosur në këndin e kartolinës, në faqen ku shfaqet flamuri kuq e zi. (ATSh)