Viti 1989 ndryshoi botën. Muri i Berlinit, që ishte shndërruar në një fortesë çudibërëse për shumë vite të gjata e që madje kishte mbrujtur një ndjesi statikshmërie të përjetshme në një botë mes dy blloqeve, u shkërmoq papritur ndërsa edhe vetë demiurgët e politikës ndërkombëtare mbetën gojëhapur nga beftësia e murit që u ra nën hundë. Qartësitë dhe siguritë u shkërmoqën dhe gjithë skemat mendore e politike u vunë në diskutim.
Buzë Adriatikut në Shqipërinë që qëndronte si shkëmb graniti hermetik, vala e murit të shkërmoqur mbërriti me shumë vonesë pothuaj një vit më pas, por në fund edhe mureve të trasha e të granitshme të fortesës krenare në mes të Evropës filluan t’i binin copat njëra pas tjetrës derisa edhe shqiptarët e panë veten mes botës së madhe, pa ide të qarta, e me një sistem vlerash të përçudnuar si gjithë sivëllezërit e tjerë të Evropës lindore, e shumë më tepër se gjithë të tjerët
Wind of change
Edhe sot nuk dihet mirë se si ndodhi që muri ra. Ishte kriza ekonomike, ishte fryma e ndryshimit që kaploi një ditë prej ditësh studentët, apo ishte një inskenim i ngathët i politikanëve të kohës që të ndërgjegjshëm për diskrititimin e ideologjisë komuniste panë ç’panë e i hapën portat. Ndoshta tepër shpejt për të arsyetuar mbi ato vite të trazuara ende të përziera me letargun e shqiptarëve. Është i habitshëm fakti se në Shqipëri megjithatë nuk ekziston një debat i tillë që të synojë sa do pak të ndriçojë një pjesë të rëndësishme të së kaluarës së afërme të shqiptarëve. As ky vit jubilar nuk duket të ketë shkundur nga rutina e tranzicionit dhe zënkat identitare, shqiptarët e pas murit, që në vend të kenë rigjetur përmasat e tyre evropiane pas shkërmoqjes së shumëpritur të mureve duket se i janë qepur me bukë në trastë përmasave të veta ballkanike, deri sa të mos i zërë më gjumi për pellazgët, skënderbejtë e fqinjët ziliqarë që duan të rrëmbejnë thesaret origjinare të të parëve. Ndërsa kur muri ra, ajo që u celebrua me aq entuziazëm ishte shfaqja e shqiptarëve sërish në Evropë, pas të paktën gjysmë shekulli syrgjynosjeje në kurrkund.
Ra muri dhe Kartagjena
Ishin kohëra surreale ato që pllakosën Shqipërinë e fund-viteve ’80 e fillim viteve ’90, prej të cilave sociologët e historianët mund të nxjerrin një mori fenomenesh të psikes së përbashkët njerëzore që vështirë se mund të përsëriten sërish në ndonjë cep të botës. Ishin vite entuziazmi si kudo në lindje të murit, por edhe përurimi i procesit unik të tabula rasës shqiptare, të çrrënjosjes së disajtë që u ra sërish mbi kokë shqiptarëve. Dhe me këtë u përurua tranzicioni, që dukej si një fjalë magjike, pothuaj sa edhe diktatura e proletariatit si fazë e ndërmjetme drejt një të ardhmeje shumë më të mirë e nuk dihet se si të përndritur. Ndërkohë trandja e madhe ishte humbja e ndjesisë së normalitetit, dhe mbrujtja e thellë e shumë brezave me psikozën e masës se “jeta është tjetërkund”. Ndërsa ndryshimet dhe trandja erdhën e u shndërruan në një zhvoshkje vlerash, që u zëvendësuan me parimet të atykëtushme vjedhur mjeteve të pakta të informacionit sa nëpër modele sjelljesh borgjezësh të provincave, sa në amerikanizma komerciale. Ndërsa fjalët magjike ishin liri e demokraci. Pasi muri u katandis në një skelet historik, e shumëkush edhe komunistët më të devotshëm pshehrëtitën të lehtësuar, zhgjëndrra pllakosi rëndë me lirinë e paadministrueshme, dhe çoroditjen paralizuese. Ndërsa tranzicioni mbetet A-ja dhe Omega e gjithçkaje që ndodh në Shqipëri, edhe sot plot 20 vjet nga vdekja klinike e diktaturës.
Mes mallrave të jashtme: demokratura
Me rënien e murit ajo që do të eksportohej në lindje të rrënojave në masë ishte demokracia si arritja më e madhe evropianëve perëndimorë. Por meqë mes lindjes dhe perëndimit të Evropës nuk ishte vetëm një vijë prej beton armeje që caktonte kufirin, por disa shekuj diferencë në evolucionin e arsyes dhe të emancipimit shoqëror, edhe demokracia e shndërruar pothuaj në koncept mistik, nuk arriti të zotëronte mendjet e trojet e shqiptarëve të magjepsur. Edhe pse në autokritikën e thellë dhe zhgënjimin që karakterizon në përgjithësi intelektualët më të hollë të kafeneve të Tiranës, që pshehrëtijnë sikur të donin të hiqnin dorë prej atij vendi të pashpresë që “nuk bëhet” e “nuk ndreqet” fenomeni karakterizon gjithë sivëllezërit lindorë, madje edhe ata që kanë pasur fat më të mirë,e liderë më të ndriçuar. Demokratura – thoshte para pak vitesh një ish jugosllav i ndriçuar, Predrag Matvejeviq, duke e përkufizuar mallkimin e përbashkët të lindjes me këtë sintezë ndërmjet demokracisë dhe diktaturës. Meqë shqiptarët pothuaj njëzet vjet pas rrëzimit të sistemit, ende gdhihen e ngrysen duke parë shenjat e kohës në tiparet monumentale të Sali Berishës, vështirë tu qetësohen ëndrrat Matvejeviqëve dhe të tjerë pshehrëtitësve profesionistë.
Shqiptari me veten dhe me të tjerë
Kur muret ranë shqiptarët u gjetën më në fund të zbuluar përpara botës. Bota zbuloi shqiptarët, misterin e fundit në Evropë, që për pjesën më të madhe ishte një shprehje gjeografike e zhveshur nga kuptimi semantik, dhe shqiptarët zbuluan në tri-përmasore botën me ngjyra dhe shumëllojshmëri mallrash që kishin parë fshehurazi televizioneve të ndalura. Por zbuluan edhe veten, sepse identiteti mbrujtet më së shumti para tjetrit, e jo vetëm para pasqyrës e përrallave me armiq e diversantë. Shqipëtarët iu përqasën botës, të telikosur nga izolimi, e me një grusht kompleksesh surreale inferioriteti e superioriteti bashkë që u ngulën thellë në identitetin dhe imazhin që i ofruan botës së pamësuar me ta. Komplekse lindorësh që i përbashkojnë madje edhe me lindorët e lartëm të Gjermanisë e Çekisë së pakrahasueshme, por edhe endemike që buruan nga sindroma e bunkerit kryekëput shqiptare. Ndërsa bunkeri u shndërrua në kartëvizitë turistike, sociologjike, e Shqipërisë bashkëkohore, që i shitet mirë si vrojtuesit për katër grosh, edhe intelektualit të marritur nga fenomeni i paparë. Evolucioni i marrëdhënieve të shqiptarëve me të tjerët mbetet i shënuar nga e kaluara dhe endemizmi, e madje edhe sot njëzet vjet më vonë, kur Shqipëria nuk është më ajo e përgjumura dhe e përhumbura, vazhdon të jetë vend pelegrinazhi gazetarësh në krizë krijimtarie, që rreken të tërheqin publikun me çuditshmërinë bajate të Shqipërisë, qoftë kjo edhe skutave më të varrosura të malësive e periferive të harruara.
Muri që ra, muret që u ngritën
Kur komunizmi filloi të fuste ujë nga të gjitha anët, ajo që shqiptarët e mallëngjyer mezi prisnin ishte dalja nga izolimi shumë-vjeçar dhe liria më në fund për të komunikuar me botën. Muri ishte ai që mbante të ndara dy botët. Por pas entuziazmit të parë erdhi zhgjëndrra e pabarazisë midis dy botëve të ndara, dhe muri edhe pse u shkërmoq fizikisht në Berlin, e madje me shumë ceremoni, u rindërtua i plotë e madje edhe më kërcënues se më parë me rrjetën e padepërtueshme të burokracive dhe kangjellave kanosëse të ambasadave kryeneçe. Muri ra deri në një farë pike, por nuk ra plotësisht. Sepse shqiptarëve ende u takon të përballen me muret bezdisës që ndajnë pothuaj si më parë Shqipërinë nga pjesa tjetër e Evropës së shumëkërkuar. Ndërsa idetë qarkullojnë shpejtë, e mbërrijnë, me lehtësirat e epokës së internetit. Por gjithçka mbërrin me vonesë, dhe mendjet më të ndritura të Tiranës në rastin më të mirë mbeten konsumatorë të asaj që bluajnë kolegët e tyre përtej Shqipërisë. Izolimi nuk është më i dikurshmi, por në logjikën e periferive dhe hierarkive të reja evropiane, kësaj pjese të botës nuk duket t’i ketë buzëqeshur fati.
Ndërsa njësoj si këtu e njëzet vjet të shkuara pas portave të blinduara e mureve të pakalueshme fshihet Brukseli, hijerëndë e i paarritshëm, më shumë i menduar se sa real, që vazhdon të jetë në sytë e shqiptarëve një lloj toke e premtuar, vështirë e përkufizueshme, por pothuaj po aq e efektshme sa edhe dikur.
Nga Marjola Rukaj, Berlin
Bota shqiptare 222 – 16 tetor 2009