in

Kosova në zi për personat që humbën jetën nga orteku i të shtunës në Restelicë

Ndërsa vazhdojnë kërkimet edhe sot për personin e fundit që duhet të jetë nën gërmadhat e shtëpive të shembura nga orteku i të shtunës në Restelicë të Dragashit, presidentja e Kosovës ka vendosur që sot të jetë ditë zije në ndërim të viktimave. Të dielën presidentja ka shkuar të vizitojë në spitalin e Prizrenit vogëlushen Asmira Reka, të mbijetuarën e vetme të tragjedisë

Prishtinë, 13 shkurt 2012 – Vazhdojnë sot kërkimet për personin e njëmbëdhjetë që duhet të gjendet nën gërmadhat e shtëpive të shembura nga orteku i të shtunës në Restelicë të Drashanit në Kosovë. Deri mbrëmë janë nxjerrë nëntë trupa të pajetë dhe vetëm një vogëlushe e gjallë.

Në nderim të pjesëtarëve të familjeve Reka, që pësuan fatkeqësinë natyrore në fshatin Restelicë të komunës së Dragashit, presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga e ka shpallur ditën e hënë, ditë zie shtetërore.

Sipas vendimit të Presidentes, në të gjitha institucionet shtetërore dhe publike të Republikës së Kosovës, flamuri i Kosovës ulet në gjysmë shtizë. Gjithashtu, të gjitha veprimtaritë artistike, kulturore dhe sportive, të planifikuara për këtë ditë, pezullohen dhe shtyhen për një datë të mëvonshme.

Ndërsa të dielën, presidentja e Kosovës ka vizituar spitalin rajonal të Prizrenit, ku ndodhet Asmira Reka, vogëlushja e vetme që i shpëtoi tragjedisë.

Gjatë vizitës, presidentja Jahjaga, e shoqëruar nga kryetari i komunës së Prizrenit, Ramadan Muja, u njoftua nga mjekët e spitalit me gjendjen e Asmirës. Me këtë rast, presidentja Jahjaga ngushëlloi sërish familjen Reka dhe të gjithë qytetarët e Kosovës për këtë humbje tragjike dhe trishtuese të jetëve të njerëzve.

Sipas Kosovapress, presidentja falënderoi mjekët dhe personelin e këtij spitali për mobilizimin dhe përkujdesjen që ata po ofrojnë për qytetarët e Restelicës, por edhe për të gjithë banorët e fshatrave të tjera të rrezikuar nga bora e rënë ditëve të fundit në mbarë Kosovën.

Ajo u bëri thirrje qytetarëve që në këto kushte të vështira atmosferike nëpër të cilat po kalon vendi ynë, të solidarizohen dhe t’i dalin në ndihmë njëri-tjetrit, duke premtuar se ndihma e institucioneve të Kosovës nuk do të mungojë.

Presidentja Jahjaga posaçërisht veçoi punën e palodhshme të Forcave të Sigurisë së Kosovës, Policisë së Kosovës, KFOR-it dhe qytetarëve vullnetarë për përpjekjet e tyre të pandërprera për të hapur rrugën dhe për t’u ardhur në ndihmë të të ngujuarve në Restelicë.

Me këtë rast, Presidentja Jahjaga ndau edhe 10.000 euro nga fondi i Zyrës së Presidentes për të ndihmuar familjet e goditura të fshatit Restelicë.

Qeveria shpall gjendjen e fatkeqësisë natyrore

Fiton 270 mijë euro me video-lotari