in

Sikur të mos kishte qenë 7 prilli…

Italia nuk i ka kërkuar kurrë falje Shqipërisë për pushtimin. E as ka treguar përballë shqiptarëve një vrasje ndërgjegjeje për agresionin e rëndë. Por ndoshta, tek ai agresion, u përcaktua fati i një populli për vitet që do të vinin

Durres, 7 prill 1939 (Foto Istituto Luce)
Sikur për një çast të kthehemi mbrapa të përfytyrojmë ecurinë e ngjarjeve duke hamendësuar se 7 prilli 1939 të ishte një ditë e zakonshme, pa asnjë ngjarje të shënuar, cila do të ishte tabloja e sotme e Shqipërisë? Duke pasur parasysh mirë konceptin se historia nuk shkruhet me sikur dhe nëse, le t’i nënshtrohemi një sforcimi të imagjinatës dhe të logjikës historike mbi ngjarje të pandodhura, por potencialisht të mundshme, sikur Shqipëria e mbretit Zog të vazhdonte normalisht ecjen e saj pa traumën e 7 prillit.

Shqipëria e asaj kohe ishte një vend me shumë probleme por dhe me shumë perspektiva. Politikisht ajo ishte një mbretëri e drejtuar nga një klasë politike, në pjesën e saj më të madhe, e formuar në perandorinë turke. Si e tillë ajo pasqyronte të gjitha kufizimet e mundshme, por e drejtuar nga një person në lartësinë e detyrës, nuk ngrinte mure në mbrojtje të identitetit të saj dhe ishte e hapur ndaj modernizimit dhe liberalizimit të ideve. Si pasojë e ashpërsisë së luftës politike të viteve njëzet, një pjesë e mirë e klasës politike të asaj kohe jetonte në mërgim, në vende të ndryshme, ku kishte vajtur mbas dështimit të eksperimentit majtist të qeverisë së Nolit. Mbreti Zog kishte shpallur një amnisti, nga e cila përfituan mjaft të mërguar për t’u kthyer. Me kalimin e kohës, i gjithë ai kontingjent njerëzish të politikës do të ishte në vendin e tij, në shërbim të një dialektike normale, që do të kontribuonte në demokratizimin e plotë të jetës së vendit.

Sistemi i partive do të funksiononte normalisht, duke pasqyruar rrymat e ndryshme të mendimit politik, por ai nuk paraqiste rrezikun e degjenerimit ekstremist, mbasi institucioni i mbretërisë garantonte drejtpeshimin dhe tendencat fashiste e komuniste nuk gjenin terren lulëzimi. Për vetë formimin shpirtëror të shqiptarëve, të lidhur fort me disa koncepte si atdheu, besa, familja, respekti ndaj pronës, besimit fetar dhe autoritetit, qoftë fisnor e qoftë shtetëror, idetë komuniste do të mbeteshin pronë e pak të rinjve, ndikimi i të cilëve do të ishte i papërfillshëm në shoqërinë shqiptare,

Ky kuadër politik do të bënte të mundur evolucionin e vendit drejt modeleve perëndimore të demokracisë dhe njëkohësisht do të garantonte ripërtëritjen e pandërprerë të sistemit e të klasës së tij drejtuese. Kjo presupozonte një funksionim normal të institucioneve të shtetit, që duke kaluar nga amullia e viteve të para të pavarësisë e të luftës së parë botërore, kishin bërë një hop cilësor të madh në vitet e fundit të mbretërisë. Struktura e shtetit ishte ndërtuar dhe funksiononte, sigurisht jo në formë të përsosur, por në raport me stadin e zhvillimit të vendit, ishte e qëndrueshme dhe efikase. Me kohë ajo do të pësonte ndryshimet e duhura në përputhje me kërkesat e kohës, do të ripërtërihej me kuadro të rinj e të përgatitur në universitetet perëndimore, që do të garantonin modernizimin e vazhdueshëm, cilësinë dhe qëndrueshmërinë e një aparati administrativ që nuk do të ishte instrument në varësi të politikës por shërbyes i përhershëm i shoqërisë, i shtetit, i kombit. Jo vetëm lidhja me tokën mëmë, por edhe stimujt materialë që shteti i asaj kohe vinte në dispozicion të të diplomuarve jashtë bënin që shumica dërrmuese e tyre të kthehej e të shërbente në atdhe, duke rritur kështu numrin e intelektualëve, aq të domosdoshëm në një vend që kishte probleme serioze të analfabetizmit.

Në këtë mënyrë viti dymijë do ta gjente Shqipërinë politikisht një shtet normal e me autoritet, me zyrtarë të aftë profesionalisht, të shpërblyer në atë masë sa të mos ua kishin zilinë kolegëve të vendeve të zhvilluara, të ndershëm e të përkushtuar ndaj detyrës, tepër larg modeleve të ngjashëm të këtij vendi sot.

E gjithë kjo superstrukturë shtetërore, që në tërësinë e saj do të përfshinte jo vetëm administratën publike por dhe institucionet e drejtësisë, të rendit, të arsimit, të mbrojtjes, të shëndetësisë, të marrëdhënieve me botën, që në kohën e mbretërisë kishte krijuar zanafillën e saj, në Shqipërinë pa revolucion e përmbysje me dhunë do të vazhdonte ecjen e përsosjen mbi parime meritash e cilësie. Ajo do të ishte shprehje e një shoqërie të hapur, në garë me shoqëri të tjera fqinje apo me të largëta, do të merrte e do të bënte të sajën përvojën e të tjerëve, pa u kushtëzuar nga delire “madhështie” apo komplekse përulësie.

Kjo shoqëri do të kishte dhe bazën e saj ekonomike, themeli mbi të cilin do të ngrihej perspektiva e zhvillimit. Shqipëria e dhjetëvjeçarëve të parë të shekullit XX ishte një vend i prapambetur ekonomikisht. Perandoria turke në pesë shekuj sundimi nuk bëri investime prodhuese me karakter industrial në këtë vend, por stimuloi tregtinë pa kufizime. Me kapitalet e pakta, të fituara nga ky aktivitet, filluan të lindin punishtet e vogla. Një zhvillim të mirë kishte në shoqërinë e asaj kohe dhe zejtaria. Mbretëria i dha një hov të madh ndërtimit të fabrikave të para të materialeve të ndërtimit apo të industrisë së lehtë dhe ushqimore.

Strategjia ekonomike e qeverive të mbretërisë synonte shfrytëzimin sa më racional të pasurive potenciale të vendit, nëpërmjet koncesioneve kapitalit të huaj dhe me stimulimin e kapitalit vendas nëpërmjet ligjeve, që garantonin pronën private dhe lehtësonin aktivitetin ekonomik. Përsa i përket pronësisë së tokës, që në një pjesë të konsiderueshme ishte në dorë të pak familjeve të bejlerëve, ishte hartuar projekti i një reforme agrare që do t’ju jepte mundësi bujqve argatë pa tokë të kishin mundësinë e pronës së tyre.

Këshilltarë të kualifikuar të huaj, të thirrur për të dhënë mendimin e tyre mbi rrugët dhe përparësitë e ndryshme të mundësive të zhvillimit, vinin para qeverisë dhe mbretit projektet e tyre. Kreditë afatgjata nga shtetet e huaja, kryesisht Italia dhe forca e monedhës garantonin nga ana financiare këto projekte.

Rendi publik i siguruar më së miri, stabiliteti politik dhe kuadri ligjor i favorshëm për investimet e huaja do të kishin thithur kapitale që do ta kthenin Shqipërinë në një kantier të madh ku ritmet e rritjes do të kalonin çdo vit dy shifrat. Do të ishin ndërtuar infrastruktura bashkëkohore, qytete me plane rregulluese të studiuara e të respektuara, qendra turistike që do të shfrytëzonin bukuritë e spikatura të natyrës, qoftë alpine qoftë bregdetare, që do të sillnin në Shqipëri çdo vit qindra mijëra turistë të huaj.

Ky zhvillim i gjithanshëm i ekonomisë do të kërkonte një masë njerëzish të kualifikuar, të dalë nga rinia shqiptare e përgatitur në shkollat e profileve të ndryshme në Shqipëri e jashtë saj. Ritmet e zhvillimit ishin plotësisht të mundshme në sajë të kushteve të përgjithshme të Shqipërisë si një vend me një nëntokë të pasur, me një reliev natyror të harmonizuar që premtonte një zhvillim paralel të bujqësisë e të blegtorisë, me një klimë mesdhetare që i vinte në ndihmë atyre dhe bënte të mundur praninë e një pemëtarie shumëllojëshe e prodhimtare, me pyje shekullorë e të pafund, me lumenj të shumtë që ishin burime natyrore energjie etj. Të gjitha këto dhurata të natyrës, të administruara nga një sistem shoqëror demokratik, i lirë dhe i hapur, në të cilin njeriu që fëmijë do të edukohej me respektimin e ligjit, të pronës e të punës së ndershme. do ta bënin Shqipërinë e vitit dymijë një vend normal të zhvilluar, një Zvicër të Ballkanit, siç e ëndërronin ata që u munduan t’i vënë themelet.

Shqiptarët sot do të ishin një popull që do të ballafaqohej me problemet normale të një shoqërie të përparuar, si popujt e zhvilluar të kontinentit. Nuk do të kishin pasur asnjë arsye të merrnin rrugët e Europës e të Botës për t’u bërë shërbëtorë, trafikantë e prostituta, do të ruanin krenarinë e fisnikërinë e racës së tyre në vendin e tyre, që do t’i siguronte secilit, sipas aftësive, një të ardhme të sigurt… Në truallin e lirë të tyre do të lulëzonte kulti i një kulture autoktone e në ballafaqim me atë të popujve të tjerë, kulturë e një shoqërie të lirë, pa kufizime, dogma, ideologji e paragjykime, kulturë që do të respektonte e do të çonte më tej traditat më të mira të së shkuarës së këtij populli.

Ndoshta, pra, tabloja e Shqipërisë pa 7 prillin e 1939-s do të ishte krejt e ndryshme nga kjo e sotmja. Komunistët shqiptarë strumentalizuan pushtimin për të mashtruar bashkatdhetarët e tyre, për t’i droguar me termat liri e barazi, në mënyrë që më 29 nëntor 1944, në emër të atyre termave, t’u vinin zinxhirët gjysmëshekullorë të tiranisë, të dhunës, të varfërisë, të prapambetjes, të zëvendësimit të kultit të Zotit me atë të Enver Hoxhës, të Titos, të Stalinit, të Mao Ce Dunit. Pasojat afatgjata të atyre zinxhirëve po vazhdojmë t’i vuajmë ende me jetën e gjymtuar të tre brezave, me lëmoshat që i kërkojmë botës për të mbijetuar, me një vend ku qytetari ndihet i pasigurt e nuk gjen rrugëdalje veç braktisjes.

Ja pra pse 7 prilli nuk qe vetëm një ditë e zezë pushtimi, që do të mbaronte në pak vite, por u bë shkas për një tragjedi shekullore, ja pra pse qe një ditë kataklizmi për Shqipërinë e për shqiptarët.

Eugjen Merlika

 

Italia vend tërmetesh

Garanti i të burgosurve: “Cie është më keq se burgu”