Janë dashur 12 orë për të bindur një sipërmarrës ndërtimi shqiptar, L. Çoku, në Parabiago të Milanos që të zbriste na çatia e shtëpisë. Kërcënonte të vetëvritej nëse nuk do të paguhej për punën e bërë.
Romë, 23 shkurt 2012 – Zgjidhje ekstreme për situata ekstreme. Kështu do ta ketë menduar sipërmarrësi i ndërtimit, shqiptari L. Çoku 41 vjeç, i zhgënjyer dhe i inatosur në maksimum, që ka hipur dje në çatinë e një shtëpie në Parabiago të Milanos dhe ka kërcënuar se do të hidhej nëse nuk do të paguhej sa më shpejt për punën e bërë.
Të njëjtën gjë, e për të njëjtën arsye, kish bërë edhe më 16 janar, kur mezi i mbushën mendjen të zbriste pas pesë orëve. Por me sa duket nuk ia kish dalë të merrte paratë që kërkonte, kështu që dje e ka provuar sërish.
E dje është dashur edhe më shumë për ta bindur të zbriste. Policia, karabinierët, zjarrfikësit, personeli i ambulancës së ndihmës së shpejtë, që kanë shkuar që në mëngjes në vendngjarje, kanë folur me të deri në tetë e gjysmë të darkës për ta bindur që të zbriste. Dhe fatmirësisht ia kanë dalë mbanë. Por të shpresojmë që L. Çoku do të paguhet vërtet shpejt për punën e kryer, përndryshe, të njëjtin gjest mund ta bëjë sërish duke vënë vërtet në rrezik jetën e tij.